Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Falja Plot Gëzim

Falja që na rekomandon Perëndia, është e mrekullueshme dhe paqësuese, madje çliruese dhe moralisht lartësuese.

image
Matias A. Frost, Gjermani I Shtatëdhjetë Zonal, Zona e Europës Qendrore

Falja që na rekomandon Perëndia, është e mrekullueshme dhe paqësuese, madje çliruese dhe moralisht lartësuese. Nuk ka aspak të bëjë me shtrëngimin e dhëmbëve dhe gëlltitjen e ligësisë që kemi vuajtur, as me zemërgjerësinë e shtirur. Falja e vërtetë e zgjeron këndvështrimin tonë, kështu që ne mund të dallojmë e vlerësojmë planin e Perëndisë për ne personalisht.

Bijtë e Jakobit fillimisht patën ndërmend ta vrisnin(1) Jozefin, por në vend të kësaj e hodhën në një pus bosh(2) dhe më pas e shitën në skllavëri prej lakmisë për të përfituar(3). Në Egjipt, atë e burgosën për shkak të standardeve të tij morale.(4) A nuk do të kishte qenë ajo arsye e mjaftueshme që Jozefi të bëhej njeri i hidhur?

image

Jozefi u lirua nga burgu sepse interpretoi ëndrrën e faraonit të shtatë vjetëve me bollëk, të pasuara nga shtatë vjet me skamje(5).  Gjatë shtatë vjetëve me bollëk, ai ruajti sasi të stërmëdha gruri.(6) Gjatë shtatë vjetëve me skamje “kishte mungesë ushqimesh në të tëra vendet, por në tërë vendin e Egjiptit kishte bukë”(7). Ati Jakob i dërgoi bijtë e vet në Egjipt për të blerë grurë që të mund të jetonin e të mos vdisnin.(8) Pasi u përfundua blerja, Jozefi i vendosi sërish paratë në trastat e vëllezërve të tij.(9) Herën tjetër që blenë grurë, vëllezërit e tij donin të paguanin çmimin e blerjes për blerjen e parë të grurit. Megjithatë Jozefi i parandaloi ata: “Qetësohuni, mos u trembni: Perëndia juaj dhe Perëndia [i] atit tuaj ka vënë një thesar në trastat tuaja. Unë i pata paratë tuaja.”(10) Në një mënyrë mbresëlënëse, Jozefi arriti ta sillte tërë familjen e vet në Egjipt. Ai iu paraqit vëllezërve të vet me lot në sy: “Unë jam Jozefi, vëllai juaj, që ju e shitët që ta çonin në Egjipt. Por tani mos u trishtoni dhe mos t’ju vijë keq që më shitët me qëllim që të çohesha këtu poshtë, sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj. … Nuk jeni ju, pra, që më dërguat këtu, por është Perëndia; ai më caktoi si atë i Faraonit, si zot i krejt shtëpisë së tij dhe si qeveritar i tërë vendit të Egjiptit.”(11) Që nga ajo kohë, Jozefi pati siguruar bujarisht për rrethin e tij familjar. Pasi vdiq ati i tyre, Jakobi, vëllezërit e tij patën frikë ndaj hakmarrjes së tij dhe i kërkuan falje: “‘Falu, pra, tani krimin shërbëtorëve të Perëndisë të atit tënd.’ Jozefi qau kur i folën kështu. … Jozefi u tha atyre: ‘Mos u trembni, se mos jam unë në vend të Perëndisë? Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë.’”(12)

Për Jozefin, falja ishte gëzim: nëse vëllezërit e tij nuk do ta kishin shitur në skllavëri në Egjipt, ai kurrë nuk do të kishte shkuar nëpër tërë tokën e Egjiptit; ai kurrë nuk do të kishte qenë në gjendje të shpëtonte jetën e mijërave njerëzve me grurin që kishte ruajtur. Kur vëllezërit e tij donin të paguanin për grurin, ai nuk pranoi ndonjë para, por e vlerësoi ribashkimin me vëllezërit e tij si një pagesë qiellore. Madje as nuk mori meritë për kthimin në fshehtësi të parave, por e shpjegoi atë se ishte një dhuratë e Perëndisë për vëllezërit e tij. Kur iu zbulua atyre, ai shpjegoi dhe shprehu mirënjohjen për planin e Perëndisë dhe detyrat që i ishin dhënë.(13) Si rrjedhim, ai nuk ua ktheu në të njëjtën mënyrë të vëllezërve sjelljen e tyre mizore. Ai e pa atë si një derë nëpërmjet së cilës mund të ishte një bekim për familjen e vet dhe mijëra njerëz të tjerë(14). Jozefi kurrë nuk e braktisi këtë pikëpamje. Edhe pasi kishte vdekur ati i tij, Jakobi, ai ua ripohoi vëllezërve të tij se, edhe pse ata kishin vepruar me qëllim të lig, përmes kësaj Perëndia i kishte dhënë atij mundësinë për të bekuar shumë njerëz.

Ky këndvështrim nuk ka aspak për qëllim që të justifikojë, pakësojë ose madje përkrahë ligësinë. Por është çliruese kur e ftojmë Perëndinë në sprovat tona dhe i japim Atij mundësinë për të qenë një bekim për të tjerët nëpërmjet dhembjes sonë. Provojeni këtë gjë. Merrni një vendim të ndërgjegjshëm. Ia vlen.


(1) Zanafilla 37:17–21.

(2) Zanafilla 37:24.

(3) Zanafilla 37:26.

(4) Zanafilla 39:8–20.

(5) Zanafilla 41:29–30.

(6) Zanafilla 41:49.

(7) Zanafilla 41:54.

(8) Zanafilla 42:2.

(9) Zanafilla 42:25.

(10) Zanafilla 43:23.

(11) Zanafilla 45:4–8.

(12) Zanafilla 50:15–20.

(13) Krahasojeni me vargun te Doktrina e Besëlidhje 59:21.

(14) Krahasojeni me vargun te Moisiu 5:11.