Frankfurt‑mbi‑Majn, Gjermani

Engjëjt e “Llojit të Vdekshëm” në Sllovaki

Plaku Skot Kozak dhe Motra Kelli Kozak janë një çift misionarësh në moshë, që shërbejnë në Sllovaki dhe Poloni si Drejtorë të Ndihmës Humanitare për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ata po punonin për të ndihmuar një komunitet romësh shumë të varfër pranë Karolov‑Dvorit në Sllovaki, një qytet i vogël rreth 500 kilometra në lindje të Bratislavës, që të gjenin dru zjarri për të gatuar vaktet e tyre ushqimore dhe për të siguruar ngrohje në banesat e tyre të vobekta.

Në shkurt 2023 çifti Kozak raportoi se po kërkonin, dhe nuk kishin sukses, që të gjenin një sasi të madhe drurësh me një çmim të mirë për fshatin e romëve. Ishte muaji shkurt dhe akoma një i ftohtë i hidhur. Ata qenë shumë mirënjohës që morën atë që e emërtuan si “një mëshirë e dhembshur”, kur dy burra të mirë, të cilët nuk kishin lidhje me ta ose me komunitetin e romëve, ndihmuan që të zgjidhej ai problem i rëndësishëm.

Njerëzit romë konsiderohen si të dëbuar në shumë zona të botës dhe shumë jetojnë në varfëri të skajshme, si njerëzit në këtë fshat. Mënyra e vetme për t’u ngrohur dhe për të gatuar ushqime në shtëpitë e tyre të improvizuara është me soba të vogla që djegin dru. Por çmimi i druve të zjarrit në Sllovaki ishte rritur më shumë se dyfish.  Me krizat e energjisë që priteshin plot frikë në Europë, edhe më shumë njerëz në Europën Qendrore priteshin t’i ngrohnin shtëpitë e tyre me dru dhe Sllovakia është një burim kryesor i atyre druve.

Romët thjesht nuk mund t’i blinin drutë që iu nevojiteshin. Përveç sfidave prej kostos së lartë dhe sasisë së madhe të druve që kërkonin, ishin edhe sfidat e largësisë dhe kostos së transportit të druve. Fshati i romëve ishte tri orë larg me makinë nga burimi më i afërt i druve.

Por atëherë, “dy engjëj mes nesh erdhën për t’i shpëtuar”, – kujton Plaku Kozak. Gjatë një bashkëbisedimi rastësor me një mik të ri të quajtur Jozef Molnar, ai përmendi sfidën për dru zjarri. Jozefi mori përsipër që të lidhej me mikun e vet, Jozef Karahutën, i cili merrej me biznesin e lëndëve drusore. U organizua që çifti Kozak të takohej me Jozefin në ndërmarrjen e tij të lëndëve drusore, për të diskutuar për nevojën e tyre.  Edhe pse ai bënte tregti me lëndë drusore dhe jo dru zjarri, Jozefi plot mirësi ra dakord që të përgatiste një ngarkesë të madhe me dru zjarri me një çmim të mirë, mjaftueshëm sa të furnizohej fshati i romëve për pjesën në vazhdim të dimrit. Dhe jo vetëm kaq, por ata gjithashtu e organizuan që drutë të dërgoheshin në fshat brenda vetëm tri ditësh. “Këta dy burra ishin njëmend engjëj, të cilët organizuan një mrekulli ndihme për njerëz në një nevojë të skajshme”, – tha çifti Kozak.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ka dhënë mësim: “Unë dëshmoj për engjëjt, ata të llojit qiellor dhe ata të vdekshëm. … Kur flasim për ata që janë mjete në duart e Perëndisë, na sillet në kujtesë se jo të gjithë engjëjt janë nga ana tjetër e velit. Me disa prej tyre ne ecim dhe flasim – këtu, tani, çdo ditë.  Disa prej tyre banojnë në lagjet tona.”

Çifti Kozak tha: “Ati ynë Qiellor vazhdon të na bekojë me burimet që na nevojiten për ta përmbushur detyrën e misionit tonë që t’i bekojmë fëmijët e Perëndisë. Dhe në disa raste, ato burime janë disa prej fëmijëve të Tij të tjerë.” Vëllai dhe Motra Kozak janë dy prej 50 misionarëve kohëplotë të Mirëqenies dhe Mbështetjes te Vetja nga Kisha e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që po shërbejnë në Europë, dhe dy prej më shumë se 200 misionarëve që po shërbejnë anembanë botës në atë detyrë. Secili prej tyre mund të thotë nga përvoja e vet se, kur ndjekim porosinë e Jezu Krishtit për t’i dashur bashkënjerëzit tanë dhe për t’u shërbyer atyre, Perëndia dhuron mrekulli dhe nganjëherë dërgon engjëj.

Të shtunën më 8 prill, është Dita Ndërkombëtare e Romëve. Ajo kremton kulturën, historinë, artin e romëve dhe kontributet e tyre në shumë kombe.  Gjithashtu përpiqet ta zgjerojë ndërgjegjësimin për shumë sfida me të cilat përballen ata.  Si edhe disa minoritete të tjera etnike, romët kanë qenë të shpërfillur dhe në rrethana të pafavorshme për shekuj.  Gati 80% e popullit të romëve në Europë jeton në varfëri të mjeruar dhe ata që jetojnë pranë Karolov Dvorit nuk bëjnë përjashtim. .

Duke qenë disa milionë veta, romët përbëjnë gati 12% (numri i saktë nuk dihet) të popullsisë së përgjithshme në Hungari, Rusi, Sllovaki, Serbi, Spanjë dhe Francë.  Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u shërben të gjithë njerëzve, pavarësisht nga raca, besimi fetar, kultura apo shteti.  Kisha pati 138 projekte humanitare në Europë në vitin 2022, nga të cilët përfituan 351 000 njerëz.

Një përshëndetje e thjeshtë miqësore e filloi miqësinë e Plakut dhe Motrës Kozak me Jozef dhe Ludmilla Molnarin.  Plaku Kozak tregon: “Zoti vepron në mënyra të mistershme. Jozef dhe Ludmilla Molnari janë me origjinë nga Sllovakia por jetuan në SHBA për 10 vjet. Ludmilla e dalloi theksin amerikan të Motrës Kozak kur e përshëndetën njëra‑tjetrën në një dyqan në godinën tonë të banimit.” Pasi folën për pak minuta ato e kuptuan se të dyja familjet kishin jetuar pranë njëra‑tjetrës në Irvajn të Kalifornisë më shumë se 25 vjet më parë. Secila prej tyre kishte një djalë që kishte luajtur hokej në atë kohë. Kur një pistë e re patinazhi u hap në Irvajn, që të dyja palët, Plaku Kozak dhe biri i tyre, si dhe Jozefi dhe biri i tij ishin në ceremoninë e inaugurimit të asaj piste dhe mund të kishin qëndruar pranë njëri‑tjetrit.

Njëzet e pesë vjet më vonë ata më së fundi u takuan në Sllovaki, 10 600 kilometra larg nga Irvajni, që të sillnin “engjëj të llojit të vdekshëm” dhe një dimër më të mirë për vendbanimin e romëve në periferitë e Karolov‑Dvorit.