Disa vite më parë, më zuri një kollë e pazakontë. Pas këshillimeve dhe kurimeve mjekësore, asgjë nuk dukej se po funksiononte. Trupi im po dërrmohej tërësisht. Nuk munda të fle për katër ditë. Mbërriti e shtuna, por nuk kisha lehtësim. E pashë veten, në orët e para të mëngjesit të së dielës, duke iu përgjëruar Zotit për fuqinë e Tij. Megjithëkëtë, nuk kisha prehje, por një frazë më erdhi në mendje: “Unë do të kthehem tek ti”. E dija saktësisht kontekstin e kësaj fraze. Unë po u tregoja shenjtorëve të kunjit të Oeirashit në Portugali se çfarë ishte një ordinancë (sakramenti) dhe se si “në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet”1).
Fillova duke shpjeguar se sakramenti është një ordinancë, një veprim, një akt, por ai bëhet një akt i ndryshëm, ai bëhet një akt i shenjtë. Përse? Së pari, ngaqë përfaqëson ose më mirë janë simbole të Shpëtimtarit dhe misionit të Tij shëlbues; së dyti, këto akte kanë besëlidhje që i shoqërojnë; së treti, ato administrohen nëpërmjet fuqisë së priftërisë së shenjtë, sipas urdhrit të Birit të Perëndisë, dhe, së fundi, ato lidhen me emrin e Jezu Krishtit, një emër që ka fuqi.
Vazhdova duke shpjeguar se secila pjesëz e Bukës dhe e Ujit, e bekuar nga autoriteti i Priftërisë së Shenjtë, përfaqëson trupin dhe gjakun e Krishtit. Kjo është një besëlidhje e re2), por individuale dhe shumë vetjake.
Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Për shkak se ajo është e copëtuar dhe e ndarë, çdo copë buke është unike, ashtu siç janë unikë individët që e marrin atë. Ne të gjithë kemi mëkate të ndryshme për të cilat të pendohemi. Ne të gjithë kemi nevoja të ndryshme për t’u forcuar nëpërmjet Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht, të cilin e kujtojmë në këtë ordinancë.”3) Secila copë e bukës shpërndahet individualisht dhe secila gotëz e ujit merret individualisht. Është një ftesë: “Ngrihuni dhe ejani tek unë, që të mund të vini duart tuaja në anën time dhe gjithashtu të ndieni gjurmët e gozhdëve në duart e mia dhe në këmbët e mia, që ju të dini se unë jam Perëndia i Izraelit dhe Perëndia i tërë tokës dhe se u vrava për mëkatet e botës”4).
Çdo javë kemi mundësinë që të jemi dëshmitarët e Tij. Një dëshmitar i emrit të Tij, një emër që ka fuqi.
Kur Pjetri dhe Gjoni shëruan një “njeri [të] çalë që prej lindjes”5), “priftërinjtë, komandanti i tempullit dhe saducenjtë u turrën mbi ta”6). Çfarë ishte kaq e rëndësishme që i bëri këta udhëheqës të shoqërisë fetare që të “mblidhen së bashku”? Nga çfarë kishin frikë? “Dhe, si i nxorën aty në mes, i pyetën: ‘Me ç’pushtet ose në emër të kujt e keni bërë këtë?’” Pjetri u përgjigj: “Në emër të Jezu Krishtit”. Prandaj Pjetri dhe Gjoni u ndaluan, “të mos fl[isn]in fare dhe as të mëso[nin] në emër të Jezusit”7).
Shenjtorëve të Oeirashit u kisha drejtuar sfidën që ta merrnin më me qëllim sakramentin, duke premtuar se Zoti Jezus do të kthehej për të na ndihmuar me fuqinë e Tij. Tani ishte radha ime për t’u sfiduar që ta vija në provë gjithçka që besoja.
Edhe me një trup tërësisht të sfilitur dhe plot dhembje, si dhe pa prehje prej kollës sime, vendosa ta merrja sakramentin atë të diel. E dija se si të tërhiqja fuqi nga sakramenti: “Bë[je] këtë në përkujtimin tim”8).
Në atë ditë, e mora sakramentin me një zemër plot mirënjohje për Birin e Perëndisë, i pushtuar nga mendime për misionin e Tij tokësor. Dëshiroja që ai çast të mos mbaronte kurrë. Në fund të mbledhjes së sakramentit, kuptova se kisha ndalur së kollituri. Vazhdoi ashtu gjatë gjithë ditës. I plotësova detyrat e mia të shërbimit, u ktheva në shtëpi dhe rashë në një gjumë të thellë me një dëshmi për emrin e Shpëtimtarit tim dhe fuqinë e Tij shëlbuese.
- Doktrina e Besëlidhje 84:20.
- Lluka 22:20.
- Dallin H. Oaks, “Introductory Message” (fjalim i mbajtur në seminarin për presidentët e rinj të misioneve, 25 qershor 2017).
- 3 Nefi 11:14.
- Veprat e Apostujve 3:1–6.
- Veprat e Apostujve 4:1.
- Veprat e Apostujve 4:7, 10, 18.
- Lluka 22:19.