Presidenca e Parë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka njoftuar ndryshime në emrat e grupmoshave për të rejat. Qëllimi i emrave të rinj është “t’i ndihmojnë të rejat që të kuptojnë vendin e tyre hyjnor në veprën e Perëndisë, të përfaqësojnë dinjitetin e tyre shpirtëror si bijat e Tij të dashura dhe të nxjerrin në pah përparimin e tyre”.
Emrat e rinj të grupmoshave janë si vijon:
- Ndërtueset e Besimit (të reja që mbushin 12 ose 13 vjeçe)
Një Ndërtuese e Besimit ndihmon për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë nëpërmjet besimit të saj te Krishti, gatishmërisë së palëkundur dhe veprimeve që i ngrenë moralisht dhe u japin zemër të tjerëve (shihni tek Efesianëve 2:20).
- Lajmëtaret e Shpresës (të reja që mbushin 14 ose 15 vjeçe)
Një Lajmëtare e Shpresës ua çon mesazhin e Krishtit për shpresën të munduarve, duke folur për paqen, duke dhënë ngushëllim dhe duke i ngritur zemrat nëpërmjet fuqisë së Shpirtit (shihni te Mosia 18:8–9).
- Mbledhëset e Dritës (të reja që mbushin 16 vjeçe e sipër)
Një Mbledhëse e Dritës i mirëbeson udhëzimit hyjnor dhe merr forcë nga besëlidhjet ndërsa kërkon, mbledh dhe pasqyron dritën e Perëndisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 50:24).
Presidentja e Përgjithshme e Të Rejave, Emili Bell Frimani, vizitoi një konferencë Për Forcën e Rinisë (FSY) në Tahiti në fund të vitit 2025. Ndërkohë që të rejat vendore këndonin “Si Motra në Sion”, fuqia shpirtërore e lidhur me emrat u vërtetua edhe një herë. Udhëheqësja e Të Rejave pa se si çdo strofë e himnit pasqyronte qëllimin e secilës prej grupmoshave − së pari ndërtuese të besimit, më pas lajmëtare të shpresës dhe së fundmi, në strofën e tretë, mbledhëse të dritës.
“Ndërsa vajzat këndonin, u frymëzova të mendoja për këto të reja që i mbanin besëlidhjet, qëllimi dhe misioni i të cilave do të ishte të ndërtonin besim, të shpërndanin shpresë dhe të mblidhnin e të pasqyronin dritë anembanë botës”, − tha Presidentja Friman. M’u mbushën sytë me lot kur kuptova se Shpirti e kishte udhëhequr këtë proces gjatë gjithë kohës, duke frymëzuar emra besimi, shprese dhe drite që do t’i ndihmonin bijat e Perëndisë për të jetuar si dishepulle të Krishtit dhe do t’i përgatitnin ato për të hyrë në një organizatë motrash të dashurisë hyjnore për gjithë jetën – në Shoqatën e Ndihmës.”
Letra e Presidencës së Parë i nxit udhëheqësit vendorë të kërkojnë frymëzim me lutje ndërsa i organizojnë të rejat në bashkësitë e tyre për udhëzim dhe aktivitete. Kur të jetë e përshtatshme, grupmosha të ndryshme mund të mblidhen së bashku. Pavarësisht se si mblidhen, të rejat identifikohen ende nga emrat e grupmoshave të tyre dhe çdo grupmoshë ka presidenten e vet të thirrur. Kur është e mundur, një ose dy këshilltare dhe një sekretare thirren për të përkrahur secilën presidente.
“Shpresa jonë është”, − përfundoi Presidenca e Parë, − “që këta emra grupmoshash dhe parimet që japin mësim, do t’i ndihmojnë të rejat që të bëhen dishepulle të Jezu Krishtit gjatë gjithë jetës, të përgatitura që të marrin pjesë në veprën e madhërishme të Shoqatës së Ndihmës.”
Anëtarët nxiten që të fillojnë t’i përdorin menjëherë këta emra. Organizatat e Të Rejave të lagjeve do të ndryshojnë nga një strukturë klase në një strukturë grupmoshe më 1 qershor 2026. Kjo u jep kohë udhëheqësve vendorë për të bërë ndryshime në presidencën e grupmoshave nëse është e nevojshme.
Ju lutemi, shihini më poshtë përgjigjet ndaj pyetjeve që bëhen rëndom.
Pyetje që Bëhen Rëndom
Kur do të bëhen ndryshimet në emrat e grupmoshave të Të Rejave?
Anëtarët nxiten që të fillojnë t’i përdorin menjëherë emrat e rinj të grupmoshave. Sistemi Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit (LCR) do të përditësohet më 1 qershor 2026 për të përfshirë grupmoshat e reja të Të Rejave. Në atë kohë, të gjitha të rejat do të caktohen automatikisht në një grupmoshë nisur nga mosha që mbushin në vitin 2026. Presidencat e grupmoshave mund të caktohen më pas në LCR. Në një lagje ose degë me pak të reja, grupmoshat mund të mblidhen së bashku për udhëzim dhe aktivitete.
A nevojitet të lirohen dhe të thirren përsëri presidencat ekzistuese të klasave?
Nëse të gjitha anëtaret e një presidence ekzistuese të klasës do të jenë në të njëjtën grupmoshë, ato nuk kanë nevojë të lirohen dhe të thirren përsëri. Gjithsesi, nëpunësi i lagjes do të ketë nevojë t’i ricaktojë thirrjet në LCR më 1 qershor 2026. Në qoftë se një presidencë klase nuk do të bëhet një presidencë grupmoshe, ato duhet të lirohen zyrtarisht nga një anëtar i peshkopatës dhe të thirren presidenca të reja.
Nëse nevojiten presidenca të reja, peshkopata mund të fillojë t’u japë thirrje të rejave për të shërbyer tani. Presidencat gjithashtu mund të mbështeten dhe të veçohen tani, por nëpunësit të lagjes do t’i nevojitet të presë për t’i caktuar thirrjet në LCR deri më 1 qershor 2026 ose më pas.
Cili është ndryshimi midis një grupmoshe dhe një klase?
Aktualisht, peshkopatat dhe udhëheqëset në moshë madhore të Të Rejave punojnë së bashku për t’i organizuar të rejat në një ose më shumë klasa. Duke hyrë në fuqi menjëherë, tri grupmosha do të organizohen sipas moshës që mbush çdo e re gjatë vitit: Ndërtuese të Besimit (që mbushin 12−13 vjeçe), Lajmëtare të Shpresës (që mbushin 14−15 vjeçe) dhe Mbledhëse të Dritës (që mbushin 16 vjeçe e sipër).
A mund t’i lëvizim të rejat në klasa në të njëjtën mënyrë që e kemi bërë gjatë gjashtë viteve të fundit?
Jo. Çdo grupmoshë është e dallueshme. Sidoqoftë, peshkopatat dhe udhëheqëset në moshë madhore të Të Rejave vendosin me lutje se si t’i organizojnë të rejat për udhëzim dhe aktivitete. Kur të jetë e nevojshme, grupmoshat mund të mblidhen së bashku. Çdo grupmoshë gjithsesi duhet të ketë një presidencë. Kur takohen së bashku më shumë se një grupmoshë, presidencat punojnë së bashku për të planifikuar dhe mbajtur mbledhjet e së dielës dhe aktivitetet.
Po sikur lagjja jonë të ketë një numër të vogël të rejash?
Çdo grupmoshë me një të re në grup duhet të ketë një presidente. Për shembull, nëse një lagje ka dy të reja që janë në grupmosha të ndryshme, secila prej tyre do të shërbejë si presidente e grupmoshës së saj. Atje ku është e mundur, një ose dy këshilltare dhe një sekretare mund të shërbejnë me secilën presidente.
Po sikur lagjja jonë të ketë një numër të madh të rejash?
Nëse peshkopatat dhe udhëheqëset në moshë madhore të Të Rejave vendosin që një grupmoshë përfshin tepër shumë të reja, ata mund ta ndajnë grupmoshën. Secili grup do të ketë presidencën e vet.
Kush e frekuenton këshillin e lagjes për rininë?
Presidentja e secilës grupmoshë frekuenton mbledhjet e këshillit të lagjes për rininë.
Si u caktohen udhëheqëset në moshë madhore grupmoshave?
Presidentja e Të Rejave ka përgjegjësi për Mbledhëset e Dritës (mosha 16 vjeçe e sipër). Këshilltarja e saj e parë ka përgjegjësi për Lajmëtaret e Shpresës (mosha 14−15 vjeçe). Këshilltarja e saj e dytë ka përgjegjësi për Ndërtueset e Besimit (mosha 12−13 vjeçe). Kur nevojitet, mund të thirren dhe të caktohen këshilluese për një grupmoshë të caktuar.
Si do të ndodhë përparimi i grupmoshave çdo vit?
Të rejat do të bëhen Ndërtuese të Besimit duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 12 vjeçe, Lajmëtare të Shpresës duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 14 vjeçe dhe Mbledhëse të Dritës duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 16 vjeçe.