E Diela e Palmave dhe Shërbesat e Adhurimit për Pashkë Kanë si Synim të Përhapin “Dashurinë Më të Madhe” të Perëndisë

image

Presidenca e Parë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka njoftuar se në të Dielën e Palmave, më 29 mars 2026, bashkësitë vendore do të zhvillojnë një mbledhje sakramenti njëorëshe, në qoftë se nuk është planifikuar tashmë një konferencë kunji. Kjo ndodh për shkak të transmetimit të konferencës së përgjithshme vjetore të Kishës që bie në fundjavën e Pashkës.

Në një letër rreth kremtimit të kësaj periudhe Pashke, dërguar udhëheqësve vendorë të enjten, më 22 janar, Presidenca e Parë vuri në dukje se e Diela e Palmave, Pashka dhe konferenca e përgjithshme janë “mundësi të mrekullueshme” për të përkujtuar Shlyerjen dhe Ringjalljen e Shpëtimtarit nëpërmjet muzikës dhe mesazheve të frymëzuara.


“Pashka, konferenca e përgjithshme dhe e Diela e Palmave janë mundësi të mrekullueshme për të përkujtuar Shlyerjen dhe Ringjalljen e Shpëtimtarit. I nxitim të gjithë që të ftojnë miqtë, familjet dhe fqinjët që të bashkohen për këto shërbesa adhurimi të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.”

~ Presidenca e Parë

“Gati 2000 vjet më parë, e Diela e Palmave shënoi fillimin e javës së fundit të shërbesës së Jezu Krishtit në vdekshmëri. Ishte java më e rëndësishme në historinë njerëzore”, – tha Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në konferencën e përgjithshme të prillit 2023.

Ai vazhdoi: “Ajo që filloi me brohoritjen e Jezusit si Mesia i premtuar në hyrjen e Tij ngadhënjimtare në Jerusalem, u mbyll me Kryqëzimin dhe Ringjalljen e Tij. Sipas planit hyjnor, flijimi i Tij shlyes i dha fund shërbesës së Tij në vdekshmëri, duke e bërë të mundur që ne të jetojmë me Atin tonë Qiellor në përjetësi.”

Në fundjavën pasuese, njerëzit anembanë botës ftohen që të mblidhen për Konferencën e Përgjithshme Vjetore të 196-të të Kishës, më 4–5 prill 2026. Transmetimi do të jepet drejtpërdrejtë nga Qendra e Konferencave në Solt-Lejk-Siti të Jutës, në dhjetëra gjuhë.

“Me gëzimin e Pashkës, ne këndojmë: ‘U mposht vdekja, jemi t’lir’. Fitoren solli Krishti.’ Ringjallja e Krishtit na çliron nga vdekja, nga dobësitë e kohës dhe papërsosuritë fizike. Shlyerja e Jezu Krishtit gjithashtu na rivendos shpirtërisht”, – tha Plaku Gerit W. Gong, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në konferencën e përgjithshme të prillit 2025. “Ai nxori gjak nga çdo por, si të ishin lot prej gjaku, për të na siguruar shpëtimin nga mëkati dhe ndarja. Ai na ribashkon, të plotë dhe të shenjtë, me njëri‑tjetrin dhe me Perëndinë. Në të gjitha gjërat e mira, Jezu Krishti rivendos me bollëk, jo vetëm atë që ishte, por edhe atë që mund të jetë.”