Esteri jeton në qytetin jugperëndimor të Bordosë në Francë. Klementi e ka shtëpinë në Res, në Francën verilindore. Ata tani kanë një lidhje të papritur e të re. Të dy janë përzgjedhur si pjesëmarrës nga bota në The Tabernacle Choir at Temple Square në shtetin amerikan të Jutës. Ata do të këndojnë me Korin gjatë konferencës së përgjithshme mbarëbotërore të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, më 6–7 prill 2024.

The Tabernacle Choir, fitues i çmimeve, është një nga koret më të vjetra dhe më të mëdha në botë. Kori ka interpretuar përpara spektatorëve në më shumë se 28 vendeve dhe ka shitur miliona kopje albumesh.

E lindur në Strasburg, Ester Petioni është e nënta nga dhjetë fëmijë që u rrit në një familje muzikantësh. Të gjithë fëmijët mësuan të këndonin dhe të luanin një instrument në rininë e tyre, përfshirë njërën që më vonë e bëri të kënduarit profesion. Në moshën shtatëvjeçare, Esteri priste me padurim të niste studimet në konservatorin e muzikës së Strasburgut, të mësonte teorinë e thjeshtë të muzikës dhe të këndonte në korin e fëmijëve. Nëna i mësoi aftësitë bazë për pianon dhe kur ishte nëntë vjeçe, ajo shtoi dhe violonçelin në repertorin e saj.

Esteri tani jeton në Bordo dhe punon si një terapiste e të folurit, duke u ardhur në ndihmë fëmijëve dhe të rriturve. Ajo gjithashtu shfrytëzon çdo mundësi për të kënduar. “Nuk jam profesioniste”, – tha Esteri, – “por më ka pëlqyer gjithmonë të këndoj për kënaqësi dhe për të shprehur gëzimin tim.” Ajo pati mundësi të këndonte në kore të shumta në konservator dhe në kishë. Si nëna dhe shumica e motrave të saj, Esteri është soprano me tonalitet të lartë. “Të kënduarit me The Tabernacle Choir do të jetë një përvojë e pabesueshme muzikore dhe një mundësi për t’ia dhënë zërin tim Zotit.”


Esteri do të udhëtojë drejt Solt‑Lejk‑Sitit me Klement Zhuëlin, një bas bariton, i cili u lind në Bordo, por tani jeton me bashkëshorten dhe vajzën e vogël në Res. Klementi është një kontrollor i trafikut ajror, pastiçer amator dhe një muzikant i muzikës klasike. Ai nuk është një këngëtar profesional, por i afrohet shumë.
Kishte gjithmonë muzikë në shtëpinë e familjes së Klementit ku ai nisi mësimet e pianos në moshën pesëvjeçare. Prindërit e tij panë diçka te Klementi qysh herët dhe nuk e lanë atë ta ndërpriste marrjen e mësimeve kur u tundua ta bënte. Ai ia jep meritat përkrahjes dhe durimit të tyre për vazhdimin e studimit të pianos. Gjatë gjithë viteve të shkollës së mesme, ai shoqëroi këngëtarë në piano dhe qe aktiv në korin e bashkësisë së tij, i cili drejtohej nga një muzikant profesionist.

![Kur ishte 19 vjeç, Klementi mblodhi një kor për dasmën e një miku, me të cilin interpretoi këngën “I Will Follow Him” [“Do ta Ndjek Atë”] nga filmi Murgesha Gazmore.](https://content.churchofjesuschrist.org/acp/bc/cp/Europe/Area%20Images/Articles/2024/1200x1920/TabChoirFrench_07.jpg)
Kur Klementi dhe familja e tij u shpërngulën në Res dhjetë vjet më parë për të ndjekur karrierën e tij të trafikut ajror, jeta e tij muzikore mori një kthesë kur ai mori pjesë në provat përzgjedhëse për Konservatorin e Resit, jo për piano, por për të kënduarit në opera. “Aty nisi aventura e vërtetë e të kënduarit”, – vërejti Klementi. Me ndihmën e këngëtarëve të nivelit të lartë nga trupa pedagogjike dhe opera, ai pati mundësi të merrte pjesë në prodhime profesionale, përfshirë te “Flauti Magjik” i Moxartit.


“Ka qenë gjithnjë një ëndërr e mija të këndoja me The Tabernacle Choir. Në një pikë të jetës, mora në konsideratë edhe shpërnguljen në Jutë, që të punoja për aeroportin e Solt‑Lejk‑Sitit, duke studiuar muzikë në Universitetin “Brigam Jang” dhe të bëja provat përzgjedhëse për Korin, por ajo nuk funksionoi”, – shpjegoi Klementi. “Mbeta pa fjalë kur dëgjova rreth këtij programi.”
Pasi u rekomanduan nga Presidenca e Zonës së Europës Qendrore, si Esteri, ashtu edhe Klementi morën mesazhe me postë elektronike nga The Tabernacle Choir, ku ftoheshin në provat përzgjedhëse. Procesi zgjati rreth dhjetë javë, duke filluar me një intervistë përmes internetit për të trajtuar hollësitë praktike. Në vijim erdhi prova përzgjedhëse teknike. Ata kishin rreth një muaj kohë për të bërë regjistrime të zërave të tyre duke interpretuar në mënyra të ndryshme. Më pas ia dorëzuan regjistrimet komitetit të shqyrtimit.
Më e sikletshme për secilin prej tyre ishte prova përzgjedhëse 15‑minutëshe drejtpërsëdrejti përmes internetit me Rajën Mërfin, ndihmësdirigjentin e The Tabernacle Choir. “Ai ishte shumë i sjellshëm, shumë profesional dhe ai flet frëngjisht”, – thanë të dy. Disa javë më vonë, ata u njoftuan nëpërmjet postës elektronike për vendimin përfundimtar.
Klementi shpjegoi: “U zgjata për të fikur alarmin e telefonit një mëngjes dhe pashë disa mesazhe me postë elektronike. Ishte një nga Kori që fillonte me fjalën ‘Urime’. Kështu që e zgjova bashkëshorten dhe i thashë: ‘Ia dola!’”
“Kur e pashë mesazhin me postë elektronike, u mbusha me emocione të shumta”, – kujtoi Esteri. “U befasova, u lumturova, u bëra kureshtare dhe më zuri ankthi për pjesën tjetër të aventurës dhe u entuziazmova shumë. Më së shumti, isha tejet falënderuese ndaj Atit tim Qiellor.”
Esteri dhe Klementi do të kenë pak javë për të mësuar 11 pjesët muzikore që do të interpretojnë me The Tabernacle Choir. Kur të mbërrijnë në Solt‑Lejk‑Siti, dy javë përpara konferencës, ata do të caktohen si misionarë për muzikën dhe do ta shpenzojë të gjithë kohën duke u përgatitur për interpretimet. Ata janë të dy veçanërisht mirënjohës për mundësinë që të thirren si misionarë. “Kjo do të thotë shumë për mua sepse nuk kam shërbyer kurrë si misionare”, – tha Esteri. “Pra, tani ky është misioni im në një mënyrë të personalizuar që më shkon për shtat. Mendoj se Ati Qiellor ka një mënyrë të veçantë që gjithkush të jetë një dëshmitar i Birit të Tij dhe i mëshirës së Tij.”

Këta dy këngëtarë nga Franca do të jenë anëtarë zyrtarë të The Tabernacle Choir për një periudhë prej pesë vjetësh, me mundësinë për të kënduar në të paktën tri konferenca të përgjithshme të ndryshme të Kishës. Pjesëmarrësit e parë nga bota interpretuan me Korin në prill 2023 dhe për herë të parë këtë vit, këngëtarë nga Europa u ftuan të merrnin pjesë në provat përzgjedhëse. Do të ketë dymbëdhjetë pjesëmarrës nga bota për konferencën e përgjithshme të ardhshme të prillit 2024, shtatë prej të cilëve vijnë nga Europa: nga Franca, Austria, Suedia, Danimarka dhe Anglia.
“Mendoj se shumë nga miqtë e mi nga konservatori do t’i shohin sesionet e konferencës duke u përpjekur të më shikojnë mua”, – tha Klementi. “Ata më ndihmuan dhe më dhanë zemër gjatë procesit të provave përzgjedhëse, ndaj jam i lumtur që ata mund ta ndajnë këtë përvojë me mua.”
“Kjo është hera e parë që do të jem përpara kaq shumë njerëzve, gjë që më duket e frikshme fillimisht”, – reflektoi Esteri. “Por e di se Ati Qiellor do të më ndihmojë të di si të reagoj në mënyrë që të jem një misionare e mirë si pjesë e The Tabernacle Choir.”
Konferencat e përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme zhvillohen dy herë në vit, në prill dhe tetor.