Bolonjë, Itali

Drejtuesit e Lartë të Kishës i Drejtohen Forumit Ndërfetar të G20‑ës në Itali

Plaku Ronald A. Rasband diskuton mbi lirinë fetare; Motra Iubank flet mbi ndikimin e urisë në varfërinë në fëmijëri

Organizatorët e Forumit Ndërfetar të G20‑ës (mbajtur në Itali më 12–14 shtator) ftuan udhëheqës të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për të diskutuar mbi lirinë fetare dhe ndikimin e saj në fetë e pakicave.

Plaku Xhek N. Xherard (në mes), Motra Sheron Iubank (majtas) dhe Plaku Ronald A. Rasband (djathtas), shkojnë në një takim gjatë Forumit Ndërfetar të G20 ës.
Plaku Xhek N. Xherard (në mes), Motra Sheron Iubank (majtas) dhe Plaku Ronald A. Rasband (djathtas), shkojnë në një takim gjatë Forumit Ndërfetar të G20 ës.

Dhe kjo është ajo që bëri Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Në fjalët e tij më 13 shtator përpara udhëheqësve fetarë globalë në sesionin e forumit mbi lirinë fetare dhe besimet e pakicave, Apostulli foli për fillimet e Kishës – vetë dikur një pakicë. Nga fillimi i saj i thjeshtë në shekullin e 19‑të në Nju‑Jork dhe kohët e saj të trazuara në Ohajo të Misurit dhe në Ilinois, Kisha tani është një besim mbarëbotëror prej gati 17 milionë anëtarësh.

“Kur fesë i jepet liria për të lulëzuar, besimtarët kudo kryejnë vepra të thjeshta dhe ndonjëherë heroike të shërbimit”, tha Plaku Rasband. “Ne qëndrojmë krah për krah në shërbim me shumë prej jush.”

Apostulli përvijoi shërbimin që Kisha ka bërë me të tjerët gjatë pandemisë COVID‑19. Vetëm në vitin 2021, tha ai, kjo përfshin kontributet në COVAX për të siguruar gati 1.5 miliardë vaksina COVID‑19, 26 milionë vakte të dhëna për të uriturit dhe 294 projekte shërbimi për refugjatët në 50 vende.

“Shpresoj që mirësia universale e nxitur nga traditat e besimit, do të nderohet dhe admirohet”, tha Plaku Rasband në forum. “Njerëzit anekënd botës bekohen teksa ne i ngremë shpirtërisht dhe i inkurajojmë të tjerët nëpërmjet ndihmës për shpëtimin e jetës. Qofshim mirënjohës për mundësinë që kemi për të sjellin një ndryshim. Në këto mënyra, ne përmbushim dhe zgjerojmë të vërtetën [se] ‘Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij në çdo komb të botës’ – madje edhe pakicat më të vogla mes nesh.”

Më vonë, gjatë ditës, pas fjalëve të tij, Plaku Rasband u takua me Patriarkun Ekumenik, Gjithëshenjtërinë e Tij Bartolomeu të Kishës Ortodokse Greke. Kjo është hera e parë që një Apostull nga Kisha e Jezu Krishtit takohet me udhëheqësin ortodoks grek.

Plaku Ronald A. Rasband (majtas), takohet me Patriarkun Ekumenik, Gjithëshenjtërinë e Tij Bartolomeu të Kishës Ortodokse Greke në Forumin Ndërfetar të G20 ës
Plaku Ronald A. Rasband (majtas), takohet me Patriarkun Ekumenik, Gjithëshenjtërinë e Tij Bartolomeu të Kishës Ortodokse Greke në Forumin Ndërfetar të G20 ës

“Ishte një takim i mrekullueshëm”, tha Plaku Rasband. “Ai shprehu dëshirën për të pasur një marrëdhënie të mirë mes dy besimeve tona dhe shpreson se do të ketë shumë më tepër mundësi për shkëmbim e angazhim në të ardhmen.”

Plaku Rasband dhe ata që ishin me të (Plaku Xhek N. Xherard, i Të Shtatëdhjetëve, dhe Motra Sheron Iubank, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës) u takuan gjatë forumit treditor me shumë udhëheqës të tjerë të besimeve fetare dhe civilë nga vende të tjera. Lexoni më shumë për disa nga këto vizita më poshtë.

Liria Fetare dhe Rëndësia e Marrëdhënieve

Në fjalët e tij drejtuar forumit, Plaku Rasband foli për dy mësime të Jozef Smithit që nënvizojnë rolin kyç të lirisë fetare në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

E para, e kanonizuar te Nenet e Besimit të Kishës, thotë: “Ne shpallim privilegjin e adhurimit të Perëndisë së Plotfuqishëm në përputhje me zërin e ndërgjegjes sonë dhe u lejojmë të gjithë njerëzve të njëjtin privilegj, që ata duhet të adhurojnë si, ku dhe çfarë të zgjedhin”.

E dyta është një koment që Profeti e bëri në vitin 1843:

“Nëse është treguar se unë kam qenë i gatshëm të vdes për një [shenjtor të ditëve të mëvonshme], nuk trembem të deklaroj përpara Qiellit se jam po aq i gatshëm që të vdes në mbrojtje të të drejtave të një presbiteriani, baptisti, ose një njeriu të mirë të cilësdo feje tjetër; sepse i njëjti parim që do të nëpërkëmbte të drejtat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme do të nëpërkëmbte të drejtat e katolikëve romanë, ose të çfarëdo feje tjetër, që mund të jetë e panjohur dhe tepër e dobët për të mbrojtur veten. Është dashuria për lirinë që e frymëzon shpirtin tim – liria civile dhe fetare për të gjithë racën njerëzore.”

“Liria fetare merret kaq seriozisht, madje edhe në këshillat më të lartë të Kishës së Zotit”, tha Plaku Rasband në një intervistë me Newsroom. “Tani ne mund të jemi më shumë se një zë i vetëm dhe katolikët të jenë më shumë se një zë i vetëm, dhe ortodoksët grekë të jenë më shumë se një zë i vetëm. Dhe në vend që të jemi solistë në pjesë të ndryshme të botës, ne mund të jemi një kor dhe mund t’i lëmë mënjanë ndryshimet në parimet tona. Dhe natyrisht që ne kemi ndryshime. Por ka disa gjëra për të cilat jemi plotësisht dakord, dhe kjo është ajo tek e cila do të përqendrohemi së bashku me të tjerët.”

Sesioni në të cilin foli Plaku Rasband, preku tema të tjera që prekin besimet e pakicave, duke përfshirë nevojën për t’u mbrojtur kundër gjuhës së urrejtjes dhe mungesës së tolerancës.

Plaku Xherard iu tha mediave të Kishës se zhvillimi i marrëdhënieve me ata që janë të ndryshëm, është vendimtar për krijimin e një toke pjellore të respektit reciprok.

“Marrëdhëniet çojnë në mirëkuptim të vërtetë”, tha Plaku Xherard. “Ne duhet të ngrihemi mbi polarizimin që shohim sot në botë. Dhe kemi nevojë të udhëheqim për t’u kujtuar anëtarëve tanë që, nëpërmjet shembullit në të gjithë botën, të tregojmë se në traditat e besimit tonë Vetë Shpëtimtari ishte një shërues i madh. Ai na mblodhi së bashku dhe i nxiti të tjerët të mos e gjykojnë njëri‑tjetrin, por të jemi të duruar, të matur në mënyrën se si e trajtojmë njëri‑tjetrin. Ne mund të mblidhemi së bashku dhe të ngrihemi mbi disa prej [gjërave që gjenden] në teknologjinë moderne, dhe të gjendemi në një vend më të mirë, duke i shëruar vërtet zemrat dhe shpirtrat e të gjithë njerëzimit, pavarësisht nga tradita e tyre e besimit ose mospasja e një tradite të besimit.”

Plaku Rasband tha se është optimist për të ardhmen e njerëzimit sepse “shërimi mund të ndodhë nëse njerëzit e përulin veten dhe i afrohen [Perëndisë]. Perëndia, Ati, është Ati i të gjithëve ne dhe Jezu Krishti, Biri i Tij, është Ai që ne e njohim se është.”

Forumi Ndërfetar i G20‑ës, i cili këtë vit përfshiu komente nga Papa Françesku dhe njerëz të tjerë nga e gjithë bota, është një ngjarje vjetore që ndodh para samitit më të madh të G20‑ës. Këtë vit ai samit më i madh do të mbahet më 30–31 tetor në Romë. G20‑ta përfshin kombet që përbëjnë 20 ekonomitë më të mëdha të botës.

Mënyra se si Latter-day Saint Charities [Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme] po i Trajton Urinë dhe Kequshqyerjen

Motra Iubank, e cila është gjithashtu presidente e Latter-day Saint Charities, foli të martën, më 14 shtator, rreth ndikimit të urisë dhe kequshqyerjes në varfërinë në fëmijëri.

Uria botërore është rritur që nga viti 2014, tha ajo, dhe COVID‑19 e përkeqësoi problemin. Në vitin 2019, 135 milionë njerëz vuanin nga uria akute. Sot, tha ajo, ai numër është rritur në 272 milionë – me një shtesë prej 9.3 milionë fëmijësh që ka të ngjarë të përjetojnë tkurrje të masës muskulore deri në vitin 2022.

Latter-day Saint Charities dhe shumë organizata të tjera mund të shpërndajnë ushqim për njerëzit në nevojë. Më e rëndësishmja, tha Motra Iubank, është përqendrimi i burimeve në zhvillimin e ushqimit.

Plaku Ronald A. Rasband (në mes), Motra Sharon Iubank (majtas) dhe Plaku Xhek N. Xherard (djathtas) bisedojnë në Forumin Ndërfetar të G20 ës me Odri Kitagauan, presidente dhe themeluese e Akademisë Ndërkombëtare për Bashkëpunim Shumëkulturor
Plaku Ronald A. Rasband (në mes), Motra Sharon Iubank (majtas) dhe Plaku Xhek N. Xherard (djathtas) bisedojnë në Forumin Ndërfetar të G20 ës me Odri Kitagauan, presidente dhe themeluese e Akademisë Ndërkombëtare për Bashkëpunim Shumëkulturor

“Është një përpjekje shumë më e ndërlikuar për të ndryshuar kulturën rreth ushqimit, dietës, ushqyerjes dhe bujqësisë”, tha ajo. “Ndryshimi mund të bëhet, në fund, vetëm nga marrëdhënie vetjake mirëbesimi. … Qasjet e vjetra nuk funksionojnë gjithmonë. Ashtu si moti ekstrem, krizat po bëhen më të mëdha, më të gjata dhe mund të trajtohen vetëm në mënyrë bashkëpunuese.”

Ajo vuri në dukje dhënien e fondeve të Kishës për Programin Botëror të Ushqimit (WFP) [PBU] për të shpërndarë furnizime jetike gjatë pandemisë.

“[PBU ka] tri qendra globale, pesë qendra rajonale. Dhe 45 000 tonë furnizime mjekësore dhe ushqim kaluan nëpër këto qendra vetëm muajt e fundit”, tha Motra Iubank. “Kjo është vendimtare sepse zinxhirët e furnizimit janë ndërprerë globalisht nga pandemia me një ritëm që nuk është parë kurrë më parë. [Ky] rrjet është i hapur për përdorim për shumë organizata humanitare. Ai rrit efektshmërinë, zvogëlon përsëritjen, shpejton kohën e përgjigjes dhe përqendrohet te blerjet në nivel vendor, gjëra të cilat ndërtojnë komunitetet.”

Motra Iubank tha se Latter-day Saint Charities gjithashtu ka punuar me International Development Enterprises [Ndërmarrjet Ndërkombëtare të Zhvillimit] (iDE) [NNZ] për t’i ndihmuar gratë të bëhen udhëheqëse në bujqësi.  Gratë janë të lidhura me fermere femra me furnizues të përballueshëm të farërave dhe tregje të qëndrueshme në mënyrë që të përmirësojnë kopshtet e tyre dhe të rritin të ardhurat e tyre. Kur goditi pandemia, gratë u trajnuan nga drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë në Zambia se si të përhapnin ndërgjegjësimin te klientët e tyre fermerë për COVID‑19 dhe se si të parandalonin përhapjen e tij.

Për më tepër, Latter-day Saint Charities ka filluar të përkrahë këshillat për veprimet në komunitet në disa nga zonat ku mbizotëron kequshqyerja. Për shembull, në Francë dhe Filipine këto këshilla janë të suksesshme duke u dhënë prindërve mësime të thjeshta, që zhvillohen në zonë për shëndetin dhe të ushqyerit”, tha Motra Iubank. Ato gjithashtu i ndihmojnë familjet të mbjellin në kopshte ose të rritin kafshë të vogla për të plotësuar ushqimin.

“Familjet bëhen më të qëndrueshme me [rritjen e] njohurisë”, tha Motra Iubank. “Këto janë në pjesën më të madhe ndërhyrje me kosto të ulët, me teknologji të ulët që prodhojnë një përfitim të madh.”

Bërja Miq me Udhëheqës Botërorë të Besimeve Fetare

Përveç takimit me Patriarkun Ekumenik, Gjithëshenjtërinë e Tij Bartolomeu, Plaku Rasband, Plaku Xherard dhe Motra Iubank u takuan gjatë gjithë forumit me shumë udhëheqës të besimeve fetare nga vende të tjera.

Të shtunën, ata u takuan me Haxhi Allahshukur Humat Pashazade, Sheik ul-Islam dhe myftiun e madh të Kaukazit.

“Ishte një mundësi e jashtëzakonshme për t’u takuar dhe, me kërkesën e tyre, për të zënë miq të rinj”, tha Plaku Rasband. “Ne kemi anëtarë të Kishës që jetojnë në vendin e tyre. Komenti i tyre i parë sot [në forumin e G20‑ës] ishte një ftesë për udhëheqësit e Kishës sonë që të shkojnë në kryeqytetin e tyre dhe të takohen me presidentin dhe udhëheqësit e tyre fetarë.”

“Ftesat për vizitë u bënë nga të dyja palët”, shtoi Plaku Rasband. Ai vuri në dukje se disa udhëheqës të Azerbajxhanit e kanë vizituar tashmë Solt‑Lejk‑Sitin dhe janë larguar me përshtypje të pëlqyeshme.

Të dielën, udhëheqësit e Kishës u lidhën me Nasr‑Edin Mofarihin, ministrin e çështjeve fetare të Sudanit.

Mofarihi nuk është i huaj për Kishën. Në maj 2021, ai vizitoi Presidentin e Kishës Rasëll M. Nelsonin në Sheshin e Tempullit. Dhe në mars 2020, atë e vizitoi në Sudan Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Mofarihi tha se Latter-day Saint Charities dhe qeveria sudaneze po punojnë së bashku në disa projekte humanitare. Këto përfshijnë qendrat e dializës së veshkave, nismat për karrige me rrota, kujdesin për foshnjat e sapolindura dhe projekte të mbështetjes te vetja që i ndihmojnë studentët të marrin arsimim përmes universitetit “Brigam Jang”.

“Ka shumë ngjashmëri të mëdha midis Islamit dhe Kishës së Jezu Krishtit në lidhje me besimin e tyre të thellë te Perëndia dhe rëndësinë e familjes brenda kishës”, tha Mofarihi. “Ata distancohen nga aktet e pamoralshme dhe i ftojnë njerëzit të jenë të ndershëm e njerëzorë. Dhe kjo është ajo që Islami na fton të bëjmë. [Këto] janë vlerat e mëdha me të cilat kanë ardhur lajmëtarët dhe profetët. Objektivat janë të njëjta.”

Udhëheqësit e kishës gjithashtu patën biseda të frytshme me Ndihmëspeshkopin Katolik të Bagdadit, Peshkopin Robert Jarxhis; dhe Tiguhan Tagaj Tadelen, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Etiopisë; dhe zëvendëssekretarin e tij, Mesaud Ademin.

Në takimin me delegacionin etiopian, temat e diskutimit përfshinë mënyrat se si Kisha mund të vazhdojë të ofrojë përkrahje për raste të ngutshme për Etiopinë. Kisha ka një lidhje të veçantë me vendin: Më 27 janar 1985, shenjtorët e ditëve të mëvonshme në mbarë botën agjëruan dhe mblodhën fonde për të ndihmuar viktimat e zisë së bukës në Etiopi. Kjo shenjoi fillimin e asaj që tani njihet si Latter-day Saint Charities.

“Këta janë miq të vërtetë”, tha Plaku Xherard për delegacionin etiopian. “Ata na njihnin mjaft mirë, ashtu si edhe të tjerët. Ata flasin shumë për Kishën. … Ata na ftojnë të shkojmë në vendin e tyre që të vazhdojmë të punojmë jo vetëm në përpjekjet humanitare, siç kemi bërë atje, por të vazhdojmë të ndërtojmë një marrëdhënie të vërtetë mirëbesimi dhe mirëkuptimi reciprok.”