Frankfurt‑mbi‑Majn, Gjermani

Dita Ndërkombëtare e Gruas 

Ndërsa bota përkujton Ditën Ndërkombëtare të Gruas më 8 mars, roli udhëheqës i grave si Këshilluese Zonale për Organizatat brenda Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme shënon përvjetorin e tij të parë këtë muaj. Për këtë qëllim, gratë udhëheqëse reflektojnë për përvojat dhe njohuritë që fituan gjatë shërbesës së tyre anembanë Europës.

Dita Ndërkombëtare e Gruas

“Çdo grua është një bijë e Perëndisë. Ato janë të mrekullueshme. Ato janë mjaft të mira! Ato kanë potencial hyjnor dhe çdo shërbim i vockël sjell një ndryshim”, – thotë motra Sibila Fingërli nga Gjermania.

Motra Treisi De Marko nga Mbretëria e Bashkuar thotë: “Unë mendoj se është e rëndësishme që gratë ta dinë ndryshimin e jashtëzakonshëm që talentet, aftësitë dhe cilësitë e tyre shpirtërore sjellin në jetën e tjerëve”.

Kur e pyetën për rolin në lidhje me forcimin e grave rreth tyre, motra Zhislen Simonet nga Franca komentoi: “Duke qenë se jemi afër tyre, ne mund t’i ndihmojmë ato të kujtojnë shpesh se janë bija të Perëndisë”. Ajo vazhdon: “Kur ta dinë këtë të vërtetë në mendjen dhe në zemrën e tyre, ato do të kryejnë mrekulli”.

Këshillueset Zonale për Organizatat u japin udhëzime udhëheqësve të Kishës dhe sjellin këndvështrimet e grave në të gjitha nivelet e këshillave. “Kjo thirrje është si një hallkë që mungon për udhëheqëset motra në kunj, për pyetjet, për t’u këshilluar së bashku, për të marrë informacion, për të dhënë informacion dhe, më shumë se gjithçka, kjo thirrje mund të japë dhe të sjellë këndvështrim të ndryshëm”, – thotë motra An-Mari Lindberg nga Danimarka. Ajo vazhdon: “Nëpërmjet shërbesës sonë ndaj udhëheqëseve motra në kunj, ato e ndiejnë se po i shohin, po i ndihmojnë dhe i dëgjojnë shumë më tepër se më parë”. Një kunj është si një dioqezë katolike që përfshin shumë bashkësi.

Dita Ndërkombëtare e Gruas

Motra Xhulia Vondra nga Viena tregoi atë që mësoi për dhënien e shërbesës ndaj njëra-tjetrës: “Mësova se kjo nuk ka të bëjë me mua, por me Shpëtimtarin. Prandaj përpiqem të jem më shumë si Ai, gjë që do të thotë se përgatitja ime shpirtërore çdo ditë është kryesore.” Ajo vazhdon: “Një motër në zonën time ishte e shteruar. Ajo kishte përshtypjen se nuk sillte kurrfarë ndryshimi dhe ishte gati të hiqte dorë. Pas trajnimit tonë, ajo u ndje e përtërirë dhe me energji dhe më thotë rregullisht tani që ka më shumë ide dhe dashuri për motrat e saj.”

Motra Simonet reflekton: “Ndërsa një anëtare e presidencës së një organizate të kunjit po përballej me sprova të rënda në jetën e saj personale dhe po mendonte të kërkonte lirimin nga thirrja, motrat e saj në presidencë e dëgjuan dhe i ofruan ndihmë e dhembshuri. Sot, vështirësitë e kësaj motre nuk janë zhdukur, por ndërsa e ndien dashurinë e motrave të saj, ajo vazhdon të shërbejë me gëzim dhe shpresë.”

Kur e pyetën se çfarë mëson nga Jezu Krishti për dhënien e shërbesës ndaj grave, motra De Marko thotë: “Më pëlqen shumë fakti që qenë gratë ato që ishin dëshmitare të disa prej aspekteve më të rëndësishme të shërbesës së Krishtit.  Ishte gruaja në pus që mësoi fillimisht se Ai ishte Mesia, ishte kërkesa e nënës së Tij që nxiti mrekullinë e parë të Shpëtimtarit, ishte Maria Magdalena ajo që pa e para varrin bosh dhe Zotin e ringjallur.  Ai u mirëbesoi grave asokohe dhe Ai u mirëbeson grave tani.  Këto gra ishin misionare të shkëlqyera ndërsa treguan atë që kishin parë, dëgjuar dhe ndier, dhe ne mund të bëjmë të njëjtën gjë sot.”

Motra Fingërli thotë: “Të gjitha gratë kanë të drejtën për ta përdorur fuqinë e Perëndisë këtu në tokë. Ato munden dhe duhet ta përdorin atë!” Kur reflekton për shërbesën e Shpëtimtarit ndaj grave, motra Lindberg thotë: “Ai i pa dhe i pranoi ato siç janë. Pa i gjykuar, pa i krahasuar – thjesht duke i dashur dhe duke u dhënë shtysë për të vepruar më mirë.” Motra De Marko shton: “Dashuria pa gjykuar është një element tejet i rëndësishëm në të gjithë shërbesën tonë, si dhe përkujdesja, bërja e ftesave dhe respektimi përherë i lirisë së zgjedhjes siç do të bënte edhe Shpëtimtari ynë”.

Ndërsa Dita Ndërkombëtare e Gruas ekziston për të njohur arritjet e grave dhe përpiqet të përqafojë larminë, barazinë dhe përfshirjen, përvojat e Këshillueseve Zonale për Organizatat japin shembullin se si gratë kudo mund të ndihmojnë në arritjen e këtyre synimeve dhe të kenë një ndikim të fuqishëm te lartësimi dhe frymëzimi i të tjerave.