10 Shtator 2020

Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Parandalimin e Vetëvrasjes

Vetëvrasja është një çështje tragjike dhe e ndërlikuar. Depresioni, sëmundjet mendore, krizat vetjake, izolimi dhe tentativat e mëparshme përfaqësojnë disa nga faktorët e rrezikut që shoqërohen me vetëvrasjen. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, rreth 800 000 njerëz i marrin jetën vetes dhe shumë më tepër bëjnë tentativë vetëvrasjeje çdo vit. Përveç këtyre, vetëvrasja është shkaku i tretë kryesor i vdekjeve në botë për
15 – 19‑vjeçarët. 

Caring Hands

Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Parandalimin e Vetëvrasjes është 10 shtatori. Ajo zhvillohet çdo vit për të rritur ndërgjegjësimin dhe për t’i inkurajuar komunitetet që të shpërndajnë burime dhe informacione.

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme administron një faqe interneti mbi Parandalimin dhe Dhënien e Shërbesës për Vetëvrasjen me informacione dhe materiale filmike, për t’u dhënë përkrahje dhe udhërrëfim individëve, prindërve, familjeve dhe udhëheqësve. Te faqja në internet thuhet: “Shkalla në rritje e vetëvrasjeve në shumë vende të botës është një çështje që përbën shqetësim madhor” dhe se njerëzit “mund ta përdorin këtë burim për të mësuar rreth doktrinës së Kishës mbi vetëvrasjen, shenjave paralajmëruese të vetëvrasjes, mënyrës se si ta ndihmojnë dikë në krizë dhe se si të reagojnë pas humbjes së dikujt nga vetëvrasja”.

Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, te materiali filmik Të Kuptuarit e Vetëvrasjes, tha: “Ne e dimë nga të gjitha statistikat që kemi , që dikush në lagje [bashkësi] është i lënduar. . . Ajo që kemi nevojë të bëjmë si Kishë është t’u afrohemi me dashuri dhe përkujdesje njerëzve që kanë mendime vetëvrasjeje, që kanë bërë tentativë vetëvrasje, që ndihen të parëndësishëm në ndonjë mënyrë. Ne kemi nevojë t’u afrohemi me dashuri e kuptueshmëri, dhe ju e bëni këtë në bashkëpunim me profesionistët e shëndetit dhe me udhëheqësit kishtarë, me përkrahjen e miqve dhe të familjes.”

Për ata që kanë mendime vetëvrasjeje ose ata që kanë një shqetësim të ngutshëm për të tjerët, shërbimet telefonike të ndihmës në raste krizash janë të renditura në faqen e internetit të Kishës. Këto shërbime telefonike të ndihmës për krizat nervore shtrihen në mbarë botën, janë pa pagesë dhe kanë një personel me njerëz të trajnuar për të dhënë ndihmë.

Në bisedën e tij në Konferencën e Përgjithshme të vitit 2013 Si një Vazo e Thyer, Plaku Xhefri R Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shprehu këto fjalë inkurajuese për të zgjedhur jetën: “Cilado qoftë beteja juaj, vëllezërit dhe motrat e mia – mendore apo emocionale, ose fizike apo diçka tjetër – mos votoni kundër jetës që është kaq e çmueshme, duke i dhënë fund asaj! Mirëbesoni te Perëndia. Mbahuni fort te dashuria e Tij. Dijeni se një ditë, agimi do të çajë plot shkëlqim dhe të gjitha hijet e vdekshmërisë do të largohen”.

Faqja e internetit ofron pikëpamje dhe shpresë për prindërit dhe familjet e brengosura që janë lënë pas. Ajo ka sugjerime gjithashtu mbi mënyrën se si të ndihmohen të mbijetuarit dhe se si të diskutohet për vetëvrasjen në këshilla dhe familje.

Presidenti M. Rasëll Ballard, presidenti veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në materialin filmik I Ulur në Stol: Mendime për Parandalimin e Vetëvrasjes, tha: “Nuk ka asgjë më të fuqishme sesa krahu i dashurisë që mund të hidhet tek njerëzit që kanë mundime. . . Mendoj se ne mund të kemi një ndikim duke i udhërrëfyer njerëzit drejt disa burimeve që janë në dispozicion, për të cilat ata mund të mos e kenë idenë se ekzistojnë. Unë them që le të jemi vigjilentë. Le të kujdesemi për njëri-tjetrin, ta duam njëri-tjetrin dhe t’ia lëmë gjykimet, gjykimet e përjetshme, Atit tonë Qiellor dhe Zotit Jezu Krisht, të cilët i dinë të gjitha gjërat.”