5 qershori shënon Ditën Botërore të Mjedisit, një nismë mbarëbotërore që ka për synim të kultivojë dialogun ekologjik dhe zgjidhjen e problemeve. Në fe të ndryshme, natyra ka një rëndësi të madhe, duke shërbyer shpesh si një emblemë e shenjtë besimi. Në përputhje me këndvështrimet e krishtera mbi natyrën, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, i nxit anëtarët e saj që ta përqafojnë botën natyrore si një shprehje e mirënjohjes dhe adhurimit. Apostulli i ndjerë, Plaku M. Rasëll Ballard, theksoi rëndësinë e përfshirjes me natyrën kur tha: “Që ta nderojmë me të vërtetë Krijuesin, ne duhet të vlerësojmë krijimet e Tij. Kemi nevojë të planifikojmë që të marrim kohën e duhur për të vëzhguar mrekullitë e natyrës.” Në një botë të ngarkuar me punë, Plaku Ballard i këshillon anëtarët e Kishës të “ndalojnë e t’u marrin erë trëndafilave” si një mënyrë për t’u rilidhur me Perëndinë, të tjerët dhe veten e tyre.
Ndërgjegjësimi Vetjak
Në Bibël, Perëndia këshillon: “[Rrini të qetë] dhe pranoni që jam Perëndi”. Në shoqërinë e sotme që ecën me ritme të shpejta, arritja e kësaj qetësie është sfiduese, veçanërisht për brezat e rinj. Megjithatë, pandemia e Covid‑19‑ës, i detyroi shumë njerëz të izolohen, duke ofruar një rifillim vetjak dhe duke u mësuar vlerën e përqendrimit në të tashmen dhe të ndërgjegjësimit [si terapi]. Një metodë gjithnjë e më e përhapur për të ushtruar ndërgjegjësimin, është duke shpenzuar më shumë kohë në natyrë. E vërtetuar shkencërisht se e përmirëson mirëqenien mendore dhe kultivon të menduarit pozitiv, përfshirja me mjedisin jo vetëm që e mundëson qetësinë, por gjithashtu nxit shëndetin psikologjik. Natyra shkakton vetëreflektim, duke i nxitur shumë njerëz që të gërmojnë më thellë në vetvete për të fituar njohuri vetjake dhe qetësi të brendshme.
Ura drejt Hyjnores
Ish‑Presidenti i Kishës, Xhon Tejlori tha: “Qoftë nëse shihni zogjtë, kafshët apo sistemin njerëzor, ju shihni diçka jashtëzakonisht të bukur dhe harmonike, diçka të denjë për të përsiatur se ka një Perëndi”. Në një botë gjithnjë e më laike, koncepti i ekzistencës së Perëndisë shpesh anashkalohet. Megjithatë, zhytja në natyrë shpesh nxit pyetje më të thella ekzistenciale. Plaku Stivën L. Riçards, një tjetër Apostull i ndjerë i Kishës, e barazoi bukurinë me “fenë e pastër”, duke e vënë në dyshim “nëse ndonjë qenie racionale e ka pasur ndonjëherë një koncept për Perëndinë, domethënë, si një qenie vetjake, përveçse në mjediset e bukurisë dhe hijeshisë së jashtëzakonshme”. Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, takimet me hyjnoren ndodhin shpesh në natyrë, siç dëshmohet nga rivendosja e Kishës, e cila filloi në një korije pemësh ku Jozef Smith i Riu, pa Perëndinë dhe Jezu Krishtin. Natyra shërben si një përçues për t’u lidhur me hyjnoren, duke i nxitur individët të kërkojnë përvoja shpirtërore.
Në përputhje me shumë tradita të besimeve të tjera, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme thirren që të jenë kujdestarë të tokës, duke e parë natyrën si një urë drejt Perëndisë. Nëpërmjet natyrës, njerëzit mësojnë të “rrinë të qetë” dhe të zbulojnë se Perëndia mund të jetë më afër sesa mendonin më parë.