Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, po bën një udhëtim për dhënie shërbese në muajin prill në Francë, Gjermani, Armeni dhe Afrikën e Jugut. Ai po u shtrin dorën e miqësisë fqinjëve dhe miqve të Kishës dhe po paraqet shembullin e shërbimit si Krishti ndaj refugjatëve dhe viktimave të fatkeqësive natyrore dhe konflikteve.
FRANCË
Ndalesa e parë në dhënien e shërbesës nga Plaku Rasband ishte në Lë‑Shene‑Rokonkur në Francë, vendndodhja e Tempullit të Parisit në Francë për Kishën. Atje ai u takua me një gazetar francez dhe i shpjegoi përgjegjësitë e tij si një dëshmitar i veçantë i Jezu Krishtit. Ai i dha një kopje të asaj që e përshkroi si njërin nga zotërimet e tij më të çmuara, të Librit të Mormonit – Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit.
Më pas ai e mirëpriti ngrohtë kryetarin e bashkisë së Lë‑Shene‑Rokonkurit, Rishard Delepierin, duke i paraqitur edhe atij një kopje të Librit të Mormonit. Kryebashkiaku Delepier shprehu admirimin e tij për tempullin dhe ndërtimin arkitekturor dhe rrethinat e tij. Ai tha se ndërtesa e shenjtë është bërë pjesë e komunitetit më të madh. Ai gjithashtu shprehu dëshirën e vet për t’i ruajtur liritë fetare në jetën publike si pjesë e përgjegjësive të tij si kryebashkiak.
Si përgjigje, Plaku Rasband tha se ishte mirënjohës për përkrahjen e kryebashkiakut për të gjitha besimet fetare, përfshirë Kishën e Jezu Krishtit.
“Ai është një mik i madh i Kishës”, – tha Plaku Rasband. “Në fakt, në një pikë të intervistës sonë, unë thashë: ‘Ti duhet të jesh zëdhënës për Kishën tonë’. Ai ishte tejet mirëdashës dhe tejet bujar në komentet e tij lidhur me pjesëmarrjen e Kishës në qytetin e tij.”
Përveç takimit me udhëheqës civilë, Plaku Rasband u dha shërbesë mijëra anëtarëve të Kishës dhe misionarëve gjatë fundjavës, në disa mbledhje. Ai u tregoi atyre për dashurinë që kishin ai dhe Motra Rasband për Francën, ku ai kishte drejtuar për disa vjet një ndërmarrje biznesi në Ribekur, në veri të Parisit, dhe më pas si Autoritet i Përgjithshëm që shërbeu në Presidencën e Zonës së Europës Qendrore, e cila mbikëqyr veprimtaritë e Kishës në Francë.
Apostulli tregoi se përqendrimi i shërbesës së tij tek anëtarët e Kishës është sjellja e një mesazhi të trefishtë nga Presidenti i Kishës Rasëll M. Nelson: “Do t’u them atyre tri gjëra në çdo mbledhje. Një: Ne i duam kaq shumë. Dy: I falënderojmë për gjithçka që po bëjnë për të ndërtuar Kishën e Zotit dhe Mbretërinë e Tij. Dhe tre: Kemi nevojë për ta.”
GJERMANI
Ndalesa e dytë e Plakut Rasband ishte në Mynih të Gjermanisë, ku ai u takua me 170 misionarë kohëplotë të Kishës në Misionin Alpin të Gjermanisë, i cili i shërben Gjermanisë Jugore, Austrisë dhe Zvicrës.
Pasi u foli misionarëve, Plaku Rasband i shoqëroi të dilnin jashtë, tek tri tenda të mëdha dhe të bardha. Brenda tyre, ai qëndroi krah për krah me ta, duke mbledhur dhe paketuar në kuti 2 532 komplete higjiene. Misionarë të tjerë i ngarkuan ato në një kamion tregtar, që do t’i çojë si ndihmë për të mbijetuarit e tërmeteve në Turqi dhe Siri. Anëtarët e Kishës në zonën e Frankfurtit të Gjermanisë bënë të njëjtën gjë si projekti i Mynihut, duke mbledhur edhe 2 500 komplete të tjera higjiene.
“Do t’ia dorëzojmë ato konsullatës turke që të mund t’i dërgojë në vendet ku nevojiten më shumë”, – shpjegoi Plaku Rasband. “Deri më sot Kisha ka kontribuar 13,5 milionë dollarë në financime dhe të mira materiale për të ndihmuar në këtë përpjekje ndihme. Kjo e gjitha lidhet me besimin tonë te përkujdesja për fëmijët e Atit Qiellor.”
Plaku Rasband tregoi se në Turqi Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po punon me AFAD‑in (agjencinë për trajtimin e fatkeqësive kombëtare) që të shpërndajë 50 000 kuti ushqimesh dhe 50 000 komplete higjiene te familjet e ndikuara. Ndihmesat e Kishës gjithashtu përfshijnë tenda, batanije, furnizime mjekësore, artikuj të kujdesit për foshnjat, karrige me rrota, gjeneratorë, ngrohës dhe pallto, si edhe katër klinika të lëvizshme mjekësore për vendndodhjet kyç të fatkeqësisë natyrore.
Në bashkëpunim me Shërbimet Katolike të Ndihmës dhe programin Save the Children [Shpëtoni Fëmijët], Kisha e Jezu Krishtit po punon për të siguruar riparime të banesave, shërbime mbrojtjeje dhe përkujdes psikologjik e shoqëror për fëmijët nevojtarë. Projekte të ndihmës janë ndërmarrë ose po përfundohen nëpërmjet organizatave Adventist Development and Relief Agency (ADRA) [Agjencisë Adventiste të Zhvillimit dhe Ndihmës], Projektit HOPE, MedGlobal dhe Rahma Worldwide. Ndërmarrje të ngjashme në Siri po kryhen nëpërmjet ndihmës së organizatave International Medical Corps, Mercy Corps, ADRA, ShelterBox, CARE dhe NuDay Syria.
Plaku Rasband shpjegoi se shenjtorët europianë të ditëve të mëvonshme gjithashtu kanë udhëhequr përgjigjen humanitare të Kishës ndaj konfliktit të armatosur në Ukrainë dhe tani në tërmetet në Turqi dhe Siri. Përpjekjet e tyre përfshijnë një shtrirje të gjerë të veprimtarive të shërbimit, përfshirë dërgesat e vazhdueshme mujore të ndihmës për Ukrainën.
“Zemra ime gëzohet kur mendoj se si … të gjitha këto vende në Europë po u sigurojnë refugjatëve shërbim për familjet, nënat dhe fëmijët …”, – tha Plaku Rasband.
Ai u kërkoi misionarëve që t’u shprehnin mirënjohjen e tij anëtarëve të Kishës kur të largoheshin nga Mynihu për t’u kthyer në bashkësitë e tyre vendore: “Kur të ktheheni në degët tuaja dhe lagjet tuaja, thuajuni atyre se u dërgoj nëpërmjet jush dashurinë dhe mirënjohjen time për ta”.
Pas shërbesës së tij në Gjermani, Plaku Rasband mbërrin në Armeni.