Dallin H. Ouksi, Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, shpërndau mesazhin vijues në kanalet e mediave shoqërore të Kishës, ditën e hënë, më datë 29 shtator 2025.
“Zemrat i kemi të rënduara nga pikëllimi. Miliona prej nesh po vajtojnë vdekjen e Profetit dhe Presidentit tonë të dashur, Rasëll M. Nelsonit. Ai ishte një mik i dashur dhe një udhëheqës i çmuar. Mësimet e tij të pavdekshme vazhdojnë të na rrëfejnë udhën dhe të na ndihmojnë të gjejmë ngushëllim mes vuajtjes, veçanërisht menjëherë pas dhunës së fundi që pati në shënjestër anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Miçigan këtë të diel që shkoi.
Tragjedia e tmerrshme që ndodhi në Grand-Blenk të Miçiganit, më 28 shtator, na kujton përgjegjësitë tona të shenjta si ndjekës të Jezu Krishtit. Ne vajtojmë me anëtarët që kanë humbur njerëz të dashur, dhe bashkohemi në lutje për ngushëllim me të tjerë nëpër botë që po vuajnë nga tragjedi të ngjashme. Ne të gjithë kërkojmë përgjigje dhe kuptueshmëri pas traumës, tronditjes dhe hidhërimit. U jemi mirënjohës të gjithëve që po na vijnë në ndihmë me shërbim, lutje dhe fjalë përkrahëse gjatë kësaj periudhe të vështirë.
E kujtofshim të gjithë të vërtetën se çdonjëri prej nesh është një fëmijë i dashur i Perëndisë! Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, nëpërmjet Shlyerjes së Tij të pafundme, e mposhti vdekjen dhe na jep sigurinë e gëzueshme se secili prej nesh do të ringjallet në lavdi. Në emër të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ua shpreh këto fjalë familjarëve dhe miqve të atyre që u lënduan nga kjo tragjedi së fundi dhe të gjithë të tjerëve që mund të jenë duke përjetuar humbje dhe brengë gjatë kësaj kohe.”