
Isaia, duke profetizuar për misionin e Shpëtimtarit Jezu Krisht, tha: “[Ai] më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, të shpall çlirimin e atyre që janë në robëri, hapjen e burgut të burgosurve, të shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes të Perëndisë tonë, për të ngushëlluar tërë ata që pikëllohen”1.
Alma, pasi u iku priftërinjve të Mbretit Noe, shkoi tutje e tëhu duke vazhduar ta predikonte ungjillin fshehtas. Ata që besuan, shkuan me të tek Ujërat e Mormonit, ku shumë prej tyre shprehën dëshirën për t’u pagëzuar. Alma, më pas, shpjegon se çfarë do të thotë me të vërtetë të jesh një dishepull i Jezu Krishtit: “të mbani barr[ë]t e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta; … të vajtoni me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen”2.
Këto mesazhe të ngjashme ilustrojnë që të dyja se përvoja jonë në vdekshmëri do të sillte sfida dhe brengë për secilin prej nesh dhe se ne kemi një përgjegjësi të shenjtë që të kujdesemi për njëritjetrin gjatë atyre kohëve.
Shumë vjet më parë, djali ynë katërvjeçar u përfshi në një aksident të rëndë larg shtëpisë. Kur qe mjaftueshëm mirë për t’u transferuar në një spital në vend, ne gjetëm një letër poshtë derës sonë nga një motër e dashur në lagjen tonë, e cila rendiste se kush do t’i sillte vaktet ushqimore dhe në cilat ditë, kush do t’i çonte e do t’i merrte fëmijët tanë të tjerë nga shkolla dhe kush do të merrej me larjen e rrobave tona etj. Pak ditë më vonë, ime shoqe u shtrua gjithashtu në spital për të lindur djalin tonë më të vogël. Me atë në njërin skaj të spitalit dhe birin tonë në skajin tjetër të tij dhe me katër fëmijë të tjerë për t’u përkujdesur, kjo motër i parashikoi nevojat tona dhe qasja për të ndihmuar vërtet që u çmua aq shumë gjatë atyre gjashtë javëve të vështira.
Por, po për ato kohë në të cilat na kërkohet që t’i duam e të kujdesemi për ata të cilët nuk i njohim, që janë të ndryshëm nga ne, që mund të jetojnë në mënyra me të cilat nuk pajtohemi? Po për ata që mund të duket se nuk e meritojnë ndihmën tonë? Në ato situata, Presidenti M. Rasëll Ballard na kujtoi: “Ne kemi nevojë që t’i përqafojmë me dhembshuri fëmijët e Perëndisë dhe ta largojmë çdo paragjykim, përfshirë racizmin, seksizmin dhe nacionalizmin”3.

Kohët e fundit, po lexoja një publikim në rrjetet sociale rreth një politikaneje vendore në një anë tjetër të botës, e cila kishte ndërruar jetë në mënyrë të parakohshme nga kanceri. Disa komente shprehnin keqardhje të sinqertë dhe të tjerë, të cilët haptazi nuk ishin pajtuar me politikat e saj, komentuan me fjalë më pak dashamirëse. Pastaj, dikush shkroi sa vijon, e cila m’u duk shumë e thellë. “Ne nuk shfaqim ndjeshmëri për njerëzit për shkak të asaj se cilët janë ata. Ne shfaqim ndjeshmëri për njerëzit për shkak të asaj se cilët jemi ne. Nëse ju mungon ndjeshmëria, kjo flet për karakterin tuaj, jo të tyrin.” Këshillë me të vërtetë e mençur!
Bota jonë duket gjithnjë e më e prirur për t’u përqendruar te vetja, e shpejtë për të gjykuar dhe po aq e shpejtë për t’i qortuar e sulmuar ata që kanë mendime të ndryshme. Prapëseprapë, kur e pyetën se cili ishte urdhërimi më i rëndësishëm, Shpëtimtari u përgjigj: “‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde’. Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’.” Vini re se, ndonëse Ai e quajti atë urdhërimin e dytë, Ai tha edhe se ai ishte “i ngjashëm me [të parin]”4. Plaku Uilliam R. Bredford, i Të Shtatëdhjetëve, njëherë tha: “Nga të gjitha ndikimet që i bëjnë njerëzit të zgjedhin të gabuarën, egoizmi është pa dyshim më i fuqishmi. Aty ku ka egoizëm, Shpirti i Zotit mungon.”5
Për ata që përpiqen vërtet ta ndjekin Jezu Krishtin, të shikuarit përtej vetes dhe përkujdesja për njerëzit nevojtarë është ndoshta karakteristika më themelore që nevojitet të zhvillojnë që të jenë dishepuj të vërtetë. Zhvillimi i ndjeshmërisë, apo i dashurisë hyjnore, ndaj të gjithë fëmijëve të Perëndisë – pavarësisht se cilët janë ata, se prej nga vijnë apo se çfarë besojnë ata – do të na lejojë të qëndrojmë me vetëbesim përpara Perëndisë.6
U përpjekshim që t’i zhvillojmë këto karakteristika, u përpjekshim që të kujdesemi për njerëzit nevojtarë dhe që të sillemi përherë me hir, përulësi dhe mirësi kundrejt të gjithë fëmijëve të Perëndisë.
-
Isaia 61:1–2.
-
Mosia 18:8–9.
-
M. Rasëll Ballard, “Udhëtimi i Vështirë Vazhdon!”, konferenca e përgjithshme, tetor 2017.
-
Mateu 22:37–39.
-
Elder William R. Bradford, BYU Speeches [Fjalime në UBJ], 3 qershor 2003.
-
Doktrina e Besëlidhje 121:45.