Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Dashuri për të Gjithë Fëmijët e Perëndisë

Ne jemi të gjithë vëllezër dhe motra, secili një fëmijë i një Ati të dashur në Qiell. Biri i Tij, Zoti Jezu Krisht, i fton të gjithë të vijnë tek Ai

Plaku Torben Engbjerg, Danimarkë
Plaku Torben Engbjerg, Danimarkë I Shtatëdhjetë Zonal për Zonën e Europës Veriore

Nganjëherë mund të duket e vështirë, gjithashtu përgjatë situatave të ndryshme të botës, që t’i duam të gjithë fëmijët e Perëndisë. Ne përjetojmë ardhjen e njerëzve të rinj dhe kulturave të reja në shoqëritë tona. Shumica prej tyre vijnë në kërkim të rrethanave më të mira e më të sigurta. Kjo lloj lëvizjeje midis njerëzve ka ndodhur gjatë gjithë historisë së njerëzimit.

A i presim ne më mirë njerëzit që vijnë nga rrethana të ndryshme, sesa njerëzit që ishin përpara nesh? A jemi më të mirë sot në dhënien e dashurisë për të gjithë fëmijët e Perëndisë, pavarësisht nga fakti se kush janë dhe çfarë ndryshimesh mund t’i sjellin jetës sonë?

“Sepse ky është mesazhi që dëgjuat nga fillimi. Ta duam nj[ë]ri-tjetrin.”1 Është urdhërim që ne “ta duam nj[ë]ri-tjetrin”2 dhe për ata që ia dalin ta bëjnë këtë, ka një bekim të premtuar: “Ai që zbaton urdhërimet e tij qëndron në Perëndinë … dhe prej kësaj ne dijmë se ai qëndron në ne: nga Fryma që ai na dha”3.

Ndërsa i duam të gjithë fëmijët e Perëndisë, prej çfarëdo rrethanash të vijnë ata, çfarëdo dobësish ose pikash të forta të zotërojnë, çfarë kombësie, besimi, ngjyre dhe gjinie që të kenë, ne kemi premtimin që Shpirti i Zotit do të qëndrojë në ne. Me fjalë të tjera, një dhuratë për të na ndihmuar të bëhemi më të ngjashëm me Krishtin dhe për të na ndihmuar t’u bëjmë mirë njerëzve që kemi përreth, në të njëjtën mënyrë siç do të kishte bërë Ai. Orvatja për këtë nuk do të ndihmojë vetëm ata që ne arrijmë t’i duam, por do të na bekojë edhe vetë ne me jetë më të lumtur, më përmbushëse. Pasi kemi bërë gjithçka mundemi dhe jemi përpjekur t’i duam të gjithë ata që mundemi dhe çdokënd që mundemi, Ai do të ndërhyjë dhe do të na ndihmojë të përmbushim pjesën e mbetur4, madje deri në pikën kur të arrijmë të duam ata që mund të jenë armiqtë tanë.

p2

Ne e dimë nga shkrimi i shenjtë se “dashuria e përkryer zhduk çdo frikë”. E njëjta referencë e shkrimit të shenjtë na mëson se, po t’i duam të tjerët ashtu si i do Shpëtimtari, ne “mbush[emi] me dashuri hyjnore që është një dashuri e pafundme” dhe “të gjithë fëmijët janë njëlloj për [Të]” dhe Ai na do të gjithëve “me një dashuri të përkryer”5.

Ajo që mund të ndiejmë për sa u përket ndryshimeve mes vetvetes dhe fëmijëve të tjerë të Perëndisë, është një situatë me të cilën përballemi vetëm gjatë jetës sonë në tokë. Në këndvështrimin e përjetshëm, gjërat do të jenë ndryshe. “Njeriu, … u lind nga prindër qiellorë”6 dhe ne ishim të gjithë njëlloj, dhe ata kanë dashuri të barabartë për ne, në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.

Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të bëhemi si Ati ynë Qiellor. Ai na do të gjithëve, ashtu siç pret që ne ta duam njëri-tjetrin.

“Kur Jezusi ishte në tokë, Ai i ndihmoi vazhdimisht ata që i kishin mënjanuar, lënë pas dore ose keqtrajtuar. Si ndjekësit e Tij, ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Ne besojmë te liria, mirëdashja dhe paanësia për të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Ne jemi të gjithë vëllezër dhe motra, secili një fëmijë i një Ati të dashur në Qiell. Biri i Tij, Zoti Jezu Krisht, i fton të gjithë të vijnë tek Ai, ‘të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra’ (2 Nefi 26:33). Çdo bir dhe bijë e Perëndisë meriton respekt, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës apo bindjet e veta fetare. Le të tregojmë dashuri për të gjithë fëmijët e Perëndisë.”7

“Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij, me emër i njeh Ai.

Për t’gjithë botën anembanë, njësoj është dashuria e Tij.

Me dhurata të shndritshme e të bukura fëmijët e Tij i bekon.

Bukuritë e natyrës janë shenja që Ai na do.

Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij, bekime të mëdha u dërgon.

Ne jemi pjesë e familjes së Tij dhe mund t’jemi shokë.

Dashamirësia dhe kujdesi i Tij më kanë ndihmuar t’kuptoj

Si mund t’i dua të tjerët sikurse Ai më do.”8


1. 1 Gjon 3:11

2. 1 Gjon 3:23

3. 1 Gjon 3:24

4. 2 Nefi 25: 23 dhe 10:24

5. Moroni 8:16–17

6. Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (1998), f. 335

7. Jesus Said Love Everyone, nga President Russell M. Nelson, The Friend, prill 2021

8. Fjalët nga Janice Kapp Perry dhe muzika nga Michael F. Moody