
Pas një konference kunji ku m’u kërkua që të kryesoja, presidenti i kunjit më njohu me një të re në moshë madhore beqare, të mrekullueshme dhe të guximshme. Mësova se vetëm disa javë para se të shërbente në mision, ajo u diagnostikua me një formë të rëndë dhe akute kanceri. Iu nënshtrua trajtimeve të dhimbshme, të gjata dhe që kërkonin ndërhyrje kirurgjikale të brendshme, të cilat lanë plagë fizike dhe emocionale.
Mund ta shihja dhe ta ndieja ankthin e saj. Zemra ime vajtoi për të. I dilnin lot ndërsa pyeste veten pse i ndodhi kjo, pasi kishte një dëshirë kaq të fortë për t’i shërbyer Zotit. “Si duhet të vazhdoj ta jetoj pjesën tjetër të jetës sime me kaq shumë pasiguri?” – pyeti ajo. E ftova ta trajtonte çdo ditë të jetës së saj si një dhuratë nga Perëndia. Në fund të fundit, askush prej nesh nuk e di se kur do të na thërrasë për t’u kthyer në shtëpi Ati ynë Qiellor. Nëse e jetojmë dhe e duam çdo ditë që marrim frymë [1] dhe e vendosim veten në shërbim të Perëndisë sonë [2], ne do të ndihemi të bekuar edhe në sprovat e mundimet tona. I tregova për disa gjëra vetjake që i kisha mësuar rreth kthimit te Perëndia dhe gjetjes së gëzimit në vuajtjet e mia. Shpirti më shtyu ta ftoja që me vetëdije të dilte nga vetvetja dhe e nxita të lutej për sy të vëmendshëm, që ajo të mund t’i shohë nëpërmjet syve të Shpëtimtarit sprovat e të tjerëve dhe të jetë një bekim për ta çdo ditë të jetës së saj.
Këndvështrimi ynë për jetën tonë do të ndryshojë kur përpiqemi fort që t’u shërbejmë të tjerëve. Kupa jonë e hidhur [3] do të bëhet e bekuar [4] dhe më e ëmbël kur përpiqemi fort të kalojmë nga mendësia “pse vuaj?” te mendësia “si mund të shërbej?”. Ne do të ndihemi të përkrahur nga engjëjt dhe do ta përjetojmë fuqinë shëruese të Shpëtimtarit me më shumë bollëk në jetën tonë.

Te Marku 5 lexojmë për një grua që kishte vuajtur për 12 vjet nga një rrjedhje gjaku. Gjendja e saj jo vetëm që ndikoi në shëndetin e saj, por e la të izoluar edhe nga ana shoqërore. Ajo duhet të ketë qenë e dëshpëruar. Kur dëgjoi për Jezusin, ajo besoi se prekja e rrobës së Tij do ta shëronte. Me besim e shtriu dorën dhe e preku. Jezusi u kthye dhe e kërkoi atë duke thënë: “Bijë, besimi yt të shëroi; shko në paqe dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!” [5] Tani, ja ku qëndron gjëja mbresëlënëse, ajo nuk e mori veten vetëm fizikisht, por u “shërua” [u bë e plotë], u rikthye shpirtërisht, mendërisht, emocionalisht dhe nga ana shoqërore.
Jezu Krishti ofron më shumë sesa thjesht ngushëllim apo shërim, Ai ofron të qenit të plotë. Ne të gjithë mund të mbajmë barrë të padukshme: dhembje, sëmundje, pikëllim, varësi, dyshim, faj ose turp. Mund të ndihemi të shkatërruar dhe në nevojë për t’u bërë të plotë. Kur në ankthin tonë kthehemi drejt Qiellit dhe i thërrasim Zotit [6] me një lutje të çiltër, të mbushur me besim, Ai na dëgjon, na takon aty ku jemi dhe na bën të plotë.
Kuptimi më i thellë i të qenit i plotë është të jesh i plotësuar, në paqe dhe në harmoni me Atin tonë Qiellor. Nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit, ne të gjithë mund ta mposhtim vdekjen fizike dhe shpirtërore dhe të bëhemi të plotë.
Unë dhe bashkëshortja ime, Kirsti, morëm pjesë në FSY-në ndërkombëtare të vitit 2022 në Gjermani. Një këngë e FSY-së nga ai vit më ka mbetur më shumë në mendje. Ajo titullohet “Shëruesi”. Këto janë fjalët e refrenit: “Ai është Shëruesi, Çliruesi nga të gjitha dhembjet, nga të gjitha barrët dhe shenjat e plagëve. Kur je i lënduar, gjej mëshirën e Tij dhe Ai do të ndreqë çdo pjesë të zemrës sate.” [7] E kam të vështirë ta këndoj atë pa u emocionuar dhe pa derdhur lot. O, sa shumë kam nevojë që Shpëtimtari të qëndrojë me mua e të më bëjë të plotë! Ndërsa ecim në shtegun e besëlidhjeve me besim së bashku, Shpëtimtari ecën me ne. Ftesa e Tij është e njëjtë për të gjithë ne: “Ejani tek Unë” [8]. Ai e njeh zemrën tuaj. Ai i di barrët që po mbani. Dhe vetëm Ai mund t’ju bëjë vërtet të plotë.
[1] Mosia 2:21
[2] Mosia 2:17
[3] Mateu 26:39 dhe 3 Nefi 11:11
[4] Mateu 26:27
[5 ] Marku 5:34
[6 ] 2 Nefi 33:3
[7] Fjalët dhe muzika nga Nik Day. Përshtatur nga Mitch Davis, Nik Day dhe Sean Hubrich. Prodhuar nga Mitch Davis. Artisti: McKenna Hixson © 2022 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Kjo këngë mund të kopjohet për t’u përdorur me raste në Kishë ose në shtëpi, jo për tregti.
[8] Mateu 11:28–29