Vetëm në Formatin Digjital

U Dashka të Përgatitem për Sakramentin?

Gjetja e kohës për të kuptuar bekimet domethënëse të sakramentit çdo javë, mund t’ju japë një fuqi shpirtërore dhe përvoja të mrekullueshme.

woman partaking of the sacrament

E kujtoj qartë përvojën time të parë në sakrament. Mora një ftesë nga misionarët që të vija në kishë për herë të parë. Për fat të keq, nuk dija asgjë se çfarë bëhet në sakrament ose çfarë simbolizon ai, kështu që vajzave të ulura krah meje iu desh të më shpjegonin të gjithë procesin ndërkohë që po ndodhte.

Duke e sjellë ndër mendje këtë përvojë, kam kuptuar se do të ishte mirë po të isha përpjekur që të mësoja pak më shumë vetë paraprakisht rreth sakramentit, por qeshë me fat që vajzat e ulura krah meje ditën e parë qenë më se të gatshme për të më shpjeguar gjithçka gjatë momentit. Qysh atëherë, kanë ndryshuar shumë gjëra në jetën time, përfshirë këtu njohurinë time për ungjillin dhe domethënien e sakramentit.

Ka pasur edhe shumë ndryshime gjatë konferencave të përgjithshme në të kaluarën. Kur Presidenti Rasëll M. Nelson dha fjalimin përmbyllës në konferencën e përgjithshme të tetorit 2019, ai zbuloi disa rishikime të pyetjeve që bëhen në intervistën për rekomandimin e tempullit dhe ndërsa përsëriti pyetjen nr. 8: “A përpiqeni fort ta mbani të shenjtë ditën e Shabatit, si në shtëpi edhe në kishë; të frekuentoni mbledhjet tuaja; të përgatiteni për sakramentin dhe ta merrni atë me denjësi dhe ta jetoni jetën tuaj në harmoni me ligjet dhe urdhërimet e ungjillit?” (theksimi i shtuar).

Më goditi fjala “të përgatiteni”.

Kuptova se sakramenti nuk është diçka për të cilin përgatitemi vetëm gjatë disa çasteve para se të shpërndahen buka dhe uji. Mund të përgatitemi për sakramentin gjatë gjithë javës me qëllim që ta ndiejmë Shpirtin më fort dhe të marrim një ndjesi përtëritjeje çdo të diel.

Qysh atëherë, fillova përgatitjen për ta marrë sakramentin gjatë gjithë javës:

  1. Duke studiuar shkrimet e mia të shenjta nga programi “Eja, Më Ndiq” dhe duke mbledhur ide që mund t’i ndaj me të tjerët, si dhe në mbledhjen vijuese të Shkollës të së Dielës.
  2. Duke marrë me vete të shtunave në darkë gjërat që më nevojiten në kishë për mbledhjet në mëngjes (e bukura e punës me turn të tretë!). Sigurohem të marr me vete shkrimet e shenjta dhe një fletore për të mbajtur shënime gjatë mbledhjes së sakramentit, dhe lutem të gjej përgjigje gjatë kishës rreth asaj se si mund ta përmirësoj veten gjatë gjithës javës së ardhshme.
  3. Duke dëgjuar muzikë shpirtërore mëngjesin e së dielës para se të shkoj në mbledhjen e sakramentit, gjë që më ndihmon gjithashtu që të ndiej Shpirtin dhe t’i mendoj gjërat siç duhet.
  4. Duke lexuar himnet që do të këndojmë në mbledhjen e sakramentit dhe duke kërkuar shkrimet e shenjta të cilave iu referohen himnet. Kjo më ndihmon ta kuptoj plotësisht mesazhin dhe domethënien që përmbajnë himnet, dhe më ndihmon t’i përsiat këto gjëra gjatë gjithë mbledhjes.
  5. E fundit, duke menduar për arsyen e sakramentit para se të shpërndahet. Ia kujtoj vetes se gjithmonë më duhet të sjell ndër mend se cila është “arsyeja” e sakramentit dhe rëndësinë që ka kjo arsye, gjatë gjithë javës, e cila është Shpëtimtari.

Qëllimi i sakramentit është të kujtojmë Jezu Krishtin dhe sakrificën e Tij shlyese për ne (shihni te Mateu 26:26–28). Sakramenti na fton gjithashtu që të përtërijmë besëlidhjen e pagëzimit dhe ta thellojmë zotimin për t’u bërë më shumë si Ai, për ta kujtuar Atë dhe për t’u bërë dishepuj më të mirë. Na lejon gjithashtu që ta fillojmë javën tjetër me një shpirt të përtërirë.

Kam mësuar shumë më tepër rreth sakramentit që prej asaj dite të parë në kishë. Tani ndiej gëzim të pamasë çdo javë kur hyj në mbledhjen e sakramentit, duke e ditur se do të kujtoj sakrificën e Shpëtimtarit për mua dhe se do të jem më e zellshme në mbajtjen e besëlidhjeve të mia. Përgatitja sjell një ndryshim pozitiv në Shpirtin që ndiejmë gjatë gjithë mbledhjes. Para se sakramenti të bëhej pjesë e jetës sime, shpesh ndieja një zbrazëti, sikur më mungonte diçka. Nuk e kisha menduar kurrë se pjesa që më mungonte në jetë, ishte një ordinancë aq e thjeshtë, por edhe aq e fuqishme njëkohësisht. Një ordinancë që më ndihmon ta thelloj dashurinë për Shpëtimtarin dhe që ta vlerësoj gjithçka që Ai bën për mua.


Zoi Kembëlli është nga Skocia. Ajo është një e kthyer në besim në Kishë dhe një studente e arteve kulinare. Ajo e gjen gëzimin te dashuria që Ati Qiellor ka për të gjithë fëmijët e Tij dhe nëpërmjet bekimeve që merr si anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Çfarë Mund të Bëj Unë?

Shkruani një shënim se çfarë mund të bëni këtë javë për ta kujtuar Shpëtimtarin dhe për t’u përgatitur që të merrni sakramentin.

Mund t’i dorëzoni historitë, idetë dhe përshtypjet tuaja vetjake te liahona.ChurchofJesusChrist.org. Mezi presim të dëgjojmë prej jush!