T’u Mësojmë Fëmijëve të Adhurojnë

Prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët të tregojnë nderim dhe të ndiejnë Shpirtin në mbledhjen e sakramentit.

Kur Shpëtimtari u dha shërbesë nefitëve pas Ringjalljes së Tij, Ai u kujdes që t’i përfshinte fëmijët në veprimet e jashtëzakonshme të adhurimit që ndodhën. Shkruhet se “ai i mori fëmijët e tyre të vegjël, një nga një, dhe i bekoi dhe iu lut Atit për ta”. Ai i tha dhe turmës: “Vini re të vegjlit tuaj”. Të rriturit vështronin të mahnitur ndërsa engjëjt zbritën “sikur të ishin në mes të një zjarri; dhe ata zbritën dhe rrethuan të vegjlit e tyre … dhe engjëjt u shërbyen atyre” (3 Nefi 17:21, 23, 24).

Fëmijët tanë nuk ishin aty, as nuk ishin të pranishëm gjatë shërbesës në vdekshmëri të Shpëtimtarit kur Ai tha: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë” (Marku 10:14). Sidoqoftë, fëmijët tanë janë gjithashtu të çmuar për Të dhe zemrat e tyre mund të preken nga Fryma e Shenjtë. Një nga mundësitë e Tij, për t’i prekur në këtë mënyrë fëmijët tanë, është në mbledhjen e sakramentit, në shërbesën e shenjtë të adhurimit që mbahet në emër të Tij për të gjithë anëtarët e Kishës.

Fëmijët Mund të Adhurojnë dhe të Ndiejnë Shpirtin

Edhe fëmijët shumë të vegjël mund të përjetojnë ndjenjat e bukura, të shenjta, të buta, të dhuruara nga Shpirti i Shenjtë dhe të gjithë fëmijët kanë nevojë dhe të drejtën për t’i përjetuar. Në mënyrë që fëmijët tanë ta ndiejnë Shpirtin, ata duhet të marrin pjesë në mbledhjen e sakramentit dhe të jenë mjaft të qetë për të ndier pëshpëritjet e zërit të qetë e të vogël. Nuk është e lehtë, por mund t’u mësojmë fëmijëve tanë të rrinë të qetë dhe të dinë se Ai është Perëndi (shihni te Psalmeve 46:10). Krahas dhënies së shembullit për fëmijët se si të tregojnë nderim, prindërve, të afërmve, mësuesve dhe udhëheqësve mund t’iu duken të dobishme mendimet e mëposhtme për t’i ndihmuar fëmijët të përjetojnë adhurim me nderim.

Mësimi i adhurimit me nderim fillon në shtëpi. Sa më herët të fillojë ky mësim me fëmijët e vegjël, aq më lehtë është. Ne duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë se sa e rëndësishme është të ndiejmë Shpirtin; çfarë të bëjmë për t’i përjetuar këto ndjenja të veçanta, të shenjta; dhe si t’i dallojmë ato. Ne gjithashtu mund të përpiqemi të sigurojmë momente të qeta e të favorshme që Shpirti të jetë në shtëpi. Shumë familje zhvillojnë takime shpirtërore të përditshme me lexim të shkrimeve të shenjta dhe këndim himnesh, përveç mbrëmjes familjare.

Prindërit mund të gjejnë kohë në shtëpi për t’ua shpjeguar të vegjëlve pse e frekuentojmë mbledhjen e sakramentit. Gjatë lutjeve familjare, ne mund t’i kërkojmë Zotit që ta ndihmojë secilin fëmijë të kuptojë atë që po përpiqemi t’u mësojmë.

Mund t’u kujtojmë fëmijëve tanë përpara mbledhjeve të Kishës se çfarë do të ndodhë dhe si do të marrim pjesë të gjithë: “Do të hyjmë në sallën kishtare pa zhurmë. Do të ulemi bashkë si familje dhe do të dëgjojmë muzikën e hyrjes. Kur dëgjojmë muzikën, bëhemi gati për shërbesën e sakramentit dhe mund ta ndiejmë Shpirtin. Kjo është një ndjenjë e lumtur paqeje dhe qetësie.”

Fëmijëve gjithashtu mund t’u mësohet të dëgjojnë në heshtje për disa minuta kur luhet një numër i veçantë muzikor. Muzika është një mjet i Shpirtit dhe fëmijët mund ta ndiejnë atë Shpirt edhe nëse nuk i kuptojnë fjalët.

T’i Ndihmojmë Fëmijët të Marrin Pjesë

Fëmijët e të gjitha moshave mund të kënaqen duke marrë pjesë në himne në nivele të ndryshme. Fëmijëve të vegjël u pëlqen të dëgjojnë frazat e përsëritura në tekst. Shumë nga himnet tona i kanë të tilla fraza ose refrene dhe ne mund t’i ndihmojmë të vegjlit të dëgjojnë fjalët. Nëse ua pëshpëritim fëmijëve në vesh fjalët paraprakisht, ai ose ajo do t’i dëgjojë fjalët ndërsa këndohen. Për shembull, në fillim të refrenit mund të pëshpëritim: “Dëgjoji fjalët: ‘Jezusi tregon fytyrën e Tij të buzëqeshur’” dhe më pas vështroni buzëqeshjen teksa përhapet në fytyrën e fëmijës kur bashkësia t’i këndojë ato fjalë.

Ndërsa fëmijët rriten, ata mund të mësojnë të bashkohen në këndimin e këtyre frazave të veçanta. Fëmijëve u pëlqen të këndojnë, “Oh, ç’mrekulli” ose “Lavdi Per’ndis’” ose “Fëmi’ i Per’ndis’ jam”. Gradualisht, fëmijët mund të na bashkohen duke kënduar pjesë më të gjata, refrene të plota dhe përfundimisht të gjithë himnin. Do të ishte e dobishme po të ushtroheshim në shtëpi.

Fëmijët që dinë të lexojnë pak, mund të mësojnë t’i lexojnë himnet gradualisht në atë mënyrë dhe ata ndihen mirë me veten kur arrijnë ta bëjnë këtë. Kjo u jep një model në mënyrë që, kur të shkojnë në moshën e adoleshencës, të kenë më shumë gjasa të vazhdojnë t’i këndojnë himnet.

Fëmijët mund të mësojnë të luten që në moshë të hershme. Në shtëpi, të udhëzuar nga prindërit, edhe fëmijët fare të vegjël mbledhin krahët dhe ulin kokën me pjesën tjetër të familjes. E njëjta gjë ndodh në mbledhjen e sakramentit gjatë lutjes së hapjes, lutjes së mbylljes dhe lutjeve të sakramentit. Mund t’i lexojmë lutjet e bukura e kuptimplota të sakramentit në shtëpi me fëmijët tanë, duke ua shpjeguar me aq sa kuptojnë, se çfarë kuptimi kanë fjalët. Mund të jetë e dobishme që disa fëmijë më të rritur të përpiqen t’i mësojnë përmendsh lutjet. Ashtu si me himnet, ata do t’i “dëgjojnë” fjalët nëse e dinë se çfarë kuptimi kanë. Ne gjithashtu mund ta shpjegojmë kuptimin e sakramentit në një mënyrë që fëmijët tanë të mund ta kuptojnë.

T’i Ndihmojmë Fëmijët të Tregojnë Nderim

Mund të bëjmë shumë për t’i ndihmuar fëmijët tanë t’i vlerësojnë bisedat që jepen në mbledhjen e sakramentit. Presidenti Spenser W. Kimball këshilloi: “Një koment i përsëritur herë pas here për ta sqaruar … mesazhin e folësit, mund ta ndihmojë fëmijën të gjejë veten tek ajo që po ndodh. Për shembull, babai mund t’i flasë në vesh: ‘Ky që po flet tani është babi i Gordit. Ai po flet për pionierët.’”1

Herë pas here, prindi gjithashtu mund të përmbledhë shkurtimisht atë që thuhet dhe t’ia zhvendosë vëmendjen fëmijës te ndonjë tregim nga shkrimet e shenjta që fëmija e di: “Ti e di këtë histori! Është historia e Abinadit dhe mbretit Noe.”

Sigurisht e gjithë kjo duhet bërë me pëshpëritje shumë të qeta, në veshin e fëmijës, në mënyrë që të mos shpërqendrohen të tjerët.

Disa prindër mund të justifikohen: “Fëmijët tanë tregojnë nderim deri sa të mbarojë ordinanca e sakramentit dhe mendojmë se kaq mjafton”. Por e gjithë mbledhja i kushtohet adhurimit dhe fëmijët duhen ftuar ta bëjnë të gjithë adhurimin e plotë. Ne e marrim sakramentin për të kujtuar Shlyerjen e Shpëtimtarit dhe për të përtërirë besëlidhjet tona me Të. Bisedat janë vazhdim i atij përkujtimi dhe zotimi.

Fëmijët tanë duhet të ndiejnë dhe të tregojnë respekt për folësit. Ne mund t’i këshillojmë me dashuri fëmijët tanë: “E di që nuk i kupton të gjitha, por folësit do të na tregojnë atë që mendojnë se Zoti do që ne të mësojmë. Unë do të të ndihmoj të kuptosh pak dhe më pas do të flasim më shumë për këtë pasi të kthehemi në shtëpi.”

Kur ulemi me miq kërkues në kishë, ne dëshirojmë që ata të ndiejnë Shpirtin dhe të kthehen në besim. Në njëfarë kuptimi, edhe fëmijët tanë janë si kërkuesit. A nuk dëshirojmë të njëjtën gjë për ta?

T’i Ndihmojmë Fëmijët të Ndiejnë Shpirtin

Shumë njerëz vijnë në mbledhjen e sakramentit me një dëshirë për t’u afruar më shumë me Zotin dhe për t’u frymëzuar nga Fryma e Shenjtë. Sjellja jonderuese e secilit prej nesh mund t’i shpërqendrojë të tjerët nga dëshira për të adhuruar. Plaku Aleksandër B. Morrison, i cili shërbeu si anëtar i Të Shtatëdhjetëve nga viti 1989 deri në 2000, tregon për mbledhjet e sakramentit në Afrikë: “Të gjithë, fëmijë dhe të rritur, e shikojnë folësin me përqendrim të madh dhe të thellë. Nuk ka lëvizje në stola, nuk ka hyrje e dalje për të pirë ujë ose për të shkuar në tualet. Në kushte të tilla, niveli i shpirtshmërisë në mbledhjet e sakramentit është i lartë.”2

Nuk mund t’i detyrojmë fëmijët tanë të adhurojnë, por mund t’i ndihmojmë të sillen në mënyra që ftojnë Shpirtin. Çdo fëmijë është i pashoq, natyrisht, dhe ajo që funksionon për njërin mund të mos funksionojë për tjetrin. Mirëpo prindërit që vendosin me lutje t’i ndihmojnë fëmijët e tyre për të adhuruar dhe për ta ndier Shpirtin, do t’i gëzohen faktit se ata kanë të drejtën për zbulesë dhe frymëzim për këtë çështje.

Përveç familjes së ngushtë edhe të tjerët mund të inkurajojnë nderimin dhe respektin nga fëmijët. Folësit mund të përdorin gjuhë të thjeshtë dhe të përfshijnë histori të njohura nga shkrimet e shenjta. Drejtuesit e muzikës dhe organistët mund të përfshijnë muzikë që fëmijët do ta njohin dhe do ta shijojnë. Udhëheqësit e priftërisë mund të punojnë për t’u siguruar që mbledhjet ta ftojnë Shpirtin e Shenjtë të jetë i pranishëm.

Një Mundësi e Jashtëzakonshme

Shërbesat e adhurimit janë një mundësi e jashtëzakonshme që fëmijët të mësojnë rreth vetëkontrollit dhe respektimit të të drejtave dhe nevojave të të tjerëve. Këto mbledhje të shenjta janë raste që të gjithë ne të punojmë së bashku për t’i ndihmuar fëmijët të mësojnë të ndiejnë dhe të dëshirojnë shërbesat e Shpirtit të Shenjtë. Më pas, ndërsa rriten, ata do të kenë një dashuri të thellë dhe të qëndrueshme për Shpëtimtarin, një dashuri që do t’i mbështetë në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar të kthimit sërish në krahët e Tij.

Nderimi

President Gordon B. Hinckley
Presidenti Gordon B. Hinkli

“Ne duhet t’i forcojmë mbledhjet tona të sakramentit dhe t’i bëjmë ato orë adhurimi në çdo veprim. Kultivoni një frymë nderimi, një lloj të atillë qëndrimi që njerëzit të hyjnë në sallën kishtare dhe të jenë të qetë, nderues dhe të zhytur në mendime. … Mbledhja e sakramentit duhet të jetë një kohë freskimi shpirtëror për njerëzit tanë, kur, të dielën, ata mblidhen për të marrë sakramentin dhe për të përtërirë besëlidhjet e tyre me Zotin.”

President Gordon B. Hinckley, Pittsburgh Pennsylvania Regional Conference, 27 prill 1996; cituar në revistën Ensign, gusht 1997, f. 6; korrik 1997, f. 73.