Kur i kishim fëmijët shumë të vegjël, gjithmonë zgjidhnim të uleshim në një vend të kishës nga ku mund të largoheshim shpejt. Çantën e pelenave e kishim gjithnjë plot me libra, bojëra dhjami dhe lodra që nuk bënin zhurmë, pajime për ta mbajtur të qetë grupin tonë shumë aktiv dhe plot gjallëri. Synimi ynë ishte që t’i mbanim urtë gjatë mbledhjes.
Por kur u rritën, në moshën e shkollës fillore, vendosëm se qenë gati për një fazë të re. Hodhëm mendimin se me pak më shumë përpjekje nga ana jonë, mund t’i ndihmonim fëmijët të kishin një këndvështrim të ri për mbledhjet e Kishës dhe të përfitonin më shumë nga mesazhet që paraqiteshin atje. Synimi ynë i ri qe t’i ndihmonim ata të mbanin vesh dhe të mësonin gjatë mbledhjeve të Kishës.
Së pari, e diskutuam atë si familje, folëm rreth asaj që do të bënim dhe arsyeve pse. Më pas përjetuam një “periudhë zmbrapsjeje”, atë kohë gjatë së cilës nuk morëm më në Kishë sende që ua merrnin mendjen pa bërë zhurmë, por i nxitëm tre fëmijët tanë më të rritur që të mbanin vesh.
Gjatë kësaj kohe, medituam thellë me vete. E kuptuam se shtëpia jonë atëherë më shumë se kurrë duhet të bëhej një qendër e të mësuarit shpirtëror. Konceptet e ungjillit që jepeshin mësim në kishë, duhej të bëheshin më shumë si një trampolinë për diskutimet tona në shtëpi. Parimet që jepeshin mësim në shtëpi, duhej të përforcoheshin dhe pasuroheshin nga shkuarja në kishë. Në këtë mënyrë shpresonim se fëmijëve tanë do t’u dukej mbledhja e sakramentit më e afërt me veten.
Zbuluam se duhej të përqendroheshim për t’i ndihmuar fëmijët të zhvillonin aftësi dëgjimore. Në vijim janë disa ide mbi mënyrën se si ta bëni këtë, nisur nga përvoja jonë:
1. Bëni mësime në mbrëmjet familjare të shtëpisë rreth rëndësisë së mbajtjes vesh dhe mënyrës se si të mbajmë vesh. Fillojeni duke diskutuar se si ta dëgjoni mirë njëri-tjetrin në bashkëbisedimet tuaja vetëm për vetëm. Interpretojini me role situatat ku duhet mbajtur vesh. Më pas, gjatë javës, jini edhe ju vetë dëgjues të mirë me fëmijët tuaj. Tregojuni sa e rëndësishme është që folësi ta shohë në sy dëgjuesin dhe dëgjuesi ta ketë vëmendjen plotësisht aty.
2. Krijoni situata të tjera të veçanta në shtëpi ku duhet mbajtur vesh. Ne kemi filmuar mbrëmje të shtëpisë ku fëmijët tanë tregojnë histori nga shkrimet e shenjta dhe japin mësim parimet e ungjillit. Atyre u pëlqen pa masë të dëgjojnë zërat e vet dhe i vënë këto filmime gjatë gjithë kohës. Kur u lexoni me zë të lartë fëmijëve, kjo është një mënyrë e mrekullueshme për t’u mësuar të mbajnë vesh. Filmimi i leximit të këtyre përzgjedhjeve të tyre të parapëlqyera për t’i përdorur më vonë, tani është bërë diçka e zakonshme në shtëpinë tonë. Filmimet nuk sjellin vetëm argëtim, por edhe na mësojnë parimet e duhura.
3. Diskutojeni familjarisht mënyrën se si gjejnë zbatim këto teknika të mira dëgjimore në situata kur jeni duke mbajtur vesh si grup, veçanërisht në mbledhjen e sakramentit. Shpjegoni se të parit e folësit në sy, që jepet mësim në të gjitha mësimet praktike për mësuesit, gjen zbatim edhe për dëgjuesit në një sallë. Në mbledhjen e sakramentit, jepni modelin e zakoneve të mira të mbajtjes vesh për fëmijët tuaj duke e vështruar folësin dhe duke mos i lënë sytë dhe mendimet tuaja të enden.
4. Në shtëpi, punoni për ta thelluar dhe zgjeruar njohurinë e fëmijëve tuaj rreth gjuhës së ungjillit, në mënyrë që, kur t’i dëgjojnë këta terma në bisedat e kishës, të mund ta gjejnë veten më lehtësisht tek to. Një pjesë e madhe e gjuhës që flitet në mbledhjet e Kishës, është e kuptueshme edhe nga fëmijët e vegjël. Fillojeni me fjalë si: pagëzim, besëlidhje dhe sakrament, për shembull.
5. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë qëllimet dhe gjërat që ndodhin në mbledhjet e Kishës. Gjatë mbrëmjeve të shtëpisë, diskutoni për ndodhi të posaçme të tilla si bekimet, konfirmimet dhe sakramentin. Më pas, këto pjesë të mbledhjes do të jenë më të njohura dhe më interesante për ta.
6. Caktojini çdo fëmije një bisedë të caktuar që ta ritregojë në shtëpi. Vërini të shkruajnë një përmbledhje me një ose dy fjali gjatë mbledhjes. Kur bisedat janë tepër të ndërlikuara për fëmijët më të vegjël, prindërit ose vëllezërit dhe motrat më të mëdha në moshë mund t’u vijnë në ndihmë për t’ua shpjeguar dhe për t’u krijuar një ide. Në këtë mënyrë përfshihet e gjithë familja dhe të gjithë kanë dobi nga kjo përvojë.
7. Nisni një dosje familjare ose libër ilustrues me tregime ose koncepte interesante që i dëgjoni në mbledhjet e kishës. Krerët shkruajini thjesht. Bëjeni një projekt edhe për më të vegjlit. Lejojini të shtojnë idetë e veta ose fletushkat që sjellin në shtëpi nga Kisha. Kur mësimi i mbrëmjes së shtëpisë përqendrohet te njëra nga këto tema ose kur një bisedë i caktohet njërit nga fëmijëve, rishikojeni dosjen për materiale burimore.
8. Këndoni himne në shtëpi që t’i ndihmoni fëmijët të kenë më shumë interes për muzikën në mbledhjen e sakramentit. Kërkojini drejtuesit/es së muzikës një listë të himneve të planifikuara për mbledhjen e sakramentit dhe pastaj ushtrojini ato së bashku në mbrëmjen familjare të shtëpisë. Mësojuni fëmijëve t’u kushtojnë vëmendje të veçantë fjalëve. Diskutoni për mesazhet e himneve.
Nëse ne si prindër bëjmë përpjekje dhe gjejmë kohë, mund t’i ndihmojmë fëmijët tanë t’i vlerësojnë mbledhjet e Kishës në një nivel më të lartë. Përpjekja të cilën e japim si investim për t’i ndihmuar ata të fitojnë aftësi dëgjimore, do të na japë shpërblime të përjetshme.