
Çfarë mendoni kur hani bukën dhe pini ujin e sakramentit ose kur e përgatitni, e bekoni ose e shpërndani sakramentin? Shumë prej nesh përsiatim për besëlidhjet tona dhe mënyrën se si po jetojmë. Ne mendojmë për mëkatet tona, lutemi për falje dhe vendosim të veprojmë më mirë.
Këto janë aspekte të rëndësishme të ordinancës së sakramentit. Përveç kësaj, ka edhe diçka tjetër për të përsiatur, diçka aq të thellë dhe aq specifike sa është pjesë përbërëse e vetë lutjeve të sakramentit. Ajo është të kujtuarit e Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë, Shpëtimtarit të botës. Ata që hanë bukën, premtojnë se do ta “hanë në kujtim të trupit të Birit” dhe që “gjithmonë ta kujtojnë atë” (DeB 20:77). Po ashtu, ata që pinë ujin, premtojnë se do ta pinë “në kujtim të gjakut të Birit” dhe se “gjithmonë e kujtojnë atë” (DeB 20:79).
Zgjedhja për t’i kujtuar Shpëtimtarin, Shlyerjen dhe sakrificën e Tij është thelbësore për vetë ordinancën. Sikurse Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Në gjuhën e thjeshtë dhe të bukur të lutjeve të sakramentit … fjala thelbësore që dëgjojmë, duket të jetë ‘të kujtojmë’. … Ajo që theksohet në të dyja lutjet, është se e gjithë kjo bëhet në përkujtim të Krishtit. Duke marrë pjesë në këtë mënyrë, ne dëshmojmë se gjithmonë do ta kujtojmë Atë, që të mund të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne.”1

Shpëtimtari theksoi të njëjtat pika kur Ai themeloi sakramentin me Apostujt e Tij gjatë pashkës judease në Jerusalem, në natën e fundit të shërbesës së Tij në vdekshmëri, natën që Ai vuajti për ne në Kopshtin e Gjetsemanit përpara se të vuante përsëri në kryq. Për shembull, pasi ua dha atyre bukën që ta hanin, Ai tha: “Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim” (Lluka 22:19–20; shih edhe te Mateu 26:26–28).
Gjatë ditës së parë të Shpëtimtarit mes nefitëve në kontinentin amerikan, Ai ua mësoi edhe atyre ordinancën e sakramentit. Përsëri, Ai i udhëzoi që të merrnin në përkujtim të trupit dhe gjakut të Tij dhe u tha ndërsa e bënin këtë: “[Kjo] do të jetë një dëshmi për Atin, që ju më kujtoni gjithnjë” (3 Nefi 18:7). Më pas, Ai u premtoi: “Në qoftë se ju më kujtoni gjithnjë, ju do të keni Shpirtin tim që të jetë me ju” (3 Nefi 18:7, 11).
Çfarë bekimi i mrekullueshëm! Në një botë plot me sfida, trazira dhe tundime që vazhdimisht përpiqen të na shpien në rrugë të gabuar, çfarë dhurate më të rëndësishme se kjo mund të kemi? Duke e pasur Shpirtin me ne, ne mund të “di[më] të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:5). Kjo do të na japë fuqinë dhe mençurinë për të jetuar ashtu siç do të donte Zoti që ne të jetonim, për të bërë zgjedhje të sakta, për të shërbyer me besnikëri dhe për t’u bërë si Ai.
Ndërsa merrni pjesë në sakrament çdo javë, çfarë mund të bëni për ta kujtuar Atë? Çfarë mund të bëni për ta kujtuar gjithmonë Atë – gjatë gjithë javës dhe gjatë gjithë jetës suaj?
Më lejoni t’ju ftoj t’i përsiatni ato pyetje dhe të bëni një zotim që gjithmonë ta kujtoni Shpëtimtarin. Do të habiteni se si kjo gjë do ta ndryshojë jetën tuaj.
Poshtëshënimet –
1. Jeffrey R. Holland, “This Do in Remembrance of Me”, Ensign, nëntor 1995, f. 68.
Të Kujtuarit e Shpëtimtarit
Për t’ju ndihmuar ju dhe familjen tuaj ta kujtoni Shpëtimtarin, merrni parasysh të studioni përvijimin e mësimit nga “Come, Follow Me” [“Eja, Më Ndiq”]: “Si mund t’i ndihmoj të tjerët të kenë një përvojë kuptimplotë në sakrament?” në lds.org/go/491214. Materiali filmik në atë faqe, “Always Remember Him” [“Gjithmonë ta Kujtojmë Atë”], mund të përdoret si një burim për mbrëmjen familjare të shtëpisë.
Përvoja Ime në Sakrament
Me aq sa mbaj mend, m’u tha të mendoja për Jezu Krishtin gjatë sakramentit. Kur e shpërndava sakramentin për herë të parë dhjetorin e kaluar, më mbërtheu një ndjenjë paqeje dhe shenjtërie. Ndjeva se Shpirti më tha që po i ndihmoja të tjerët të vinin te Krishti. Jam mirënjohës që Ati Qiellor më beson mjaftueshëm sa të më lejojë t’i shërbej Atij dhe të ndihmoj të tjerët.
Xhejkob R., 12 vjeç, Ajdaho, SHBA