Kur isha djalosh, isha i bindur se babi im kishte krahët më të gjatë në botë. Sa herë që njëri nga ne djemtë pëshpëriste, ankohej, shkelte syrin ose bënte ndonjë gjë tjetër që babi e konsideronte diçka që nuk tregonte nderim, ai na kujtonte të tregonim nderim me një goditje të lehtë pas kokës. Kudo që të ishim ulur si familje në kishë, babi mund të na arrinte.
Duke e ditur që nuk i shpëtonim dot krahut të gjatë të babit, zakonisht rrinim ulur si engjëj e nuk ndiheshim gjatë gjithë shërbesës, por fakti që rrinim urtë nuk na linte ta kishim qejf kishën.
Vite më vonë, ndoqa mbledhjen e parë të sakramentit në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe u trondita nga sjellja e pashtruar e shumicës së fëmijëve. Të kishte qenë babi im atje, do t’i ishte bërë krahu copë në përpjekje për t’u mësuar atyre fëmijëve të tregonin nderim.
Rreth dhjetë vjet pas vizitës sime të parë në mbledhjen e sakramentit, isha ulur sërish në një godinë kishtare shdm, por këtë herë isha anëtar i Kishës dhe isha babai që po ndeshej me vocërrakët e vet të pashtruar.
“Duhet të ketë një mënyrë pozitive për t’u mësuar fëmijëve tanë të tregojnë nderim”, –i thashë bashkëshortes. “Nuk dua që ata ta kenë tmerr kishën si unë.”
Qysh atëherë, bashkëshortja ime dhe unë kemi gjetur mënyra për t’i ndihmuar katër fëmijët tanë, të gjithë nën moshën tetë vjeç, të tregojnë nderim gjatë kishës. Nuk janë përherë model nderimi, por në pjesën më të madhe të kohës tregojnë aq nderim sa duhet dhe ç’është më e rëndësishmja, po mësojnë ta shijojnë mbledhjen e sakramentit.
Ja disa nga gjërat që mësuam ndërsa “provonim përsëri dhe dilnim huq” rrugës për të mësuar nderimin në mbledhjen e sakramentit. Këto ide kanë funksionuar për ne. Familjet e tjera mund të kenë mënyra të ndryshme, por po aq të efektshme, për të nxitur nderimin.
Tregoni nderim edhe ju vetë
Është me rëndësi që prindërit t’ua mësojnë fëmijëve me anë të shembullit që nderimi në mbledhjen e sakramentit është i rëndësishëm. Nuk mund të presim që fëmijët të sillen mirë në kishë kur nuk sillemi mirë vetë.
Kur isha në peshkopatë, pata mundësi të shumta për ta parë shembullin që u japin prindërit fëmijëve në mbledhjen e sakramentit. Shumë prej tyre tregonin nderim dhe fëmijët e tyre reagonin në të njëjtën mënyrë. Por shihja disa prindër që rrinin në fund të godinës kishtare me foshnja të vogla në krahë, duke e përdorur mbledhjen si kohë për të folur me miqtë. Të tjerë lexonin, shkruanin ose plotësonin orarin e gjumit. Fëmijët e tyre zakonisht tregonin po aq pak nderim sa ata.
Si prindër, i detyrohemi vetes dhe u detyrohemi fëmijëve tanë që të jemi pjesëmarrës aktivë në mbledhjen e sakramentit, jo spektatorë indiferentë. Duhet t’i kushtojmë vëmendje asaj që po thonë folësit. Pasi të arrijmë në shtëpi, duhet të diskutojmë për bisedat në mbledhjet e sakramentit dhe për ato që mësuam prej tyre.
Jepuni mësim fëmijëve
Pasi e përmirësuam sjelljen vetjake në mbledhjen e sakramentit, u mësuam fëmijëve tanë pikërisht se si prisnim që ata të silleshin në kishë.
Orvatjet tona të para u bënë duke i nxjerrë në korridor kur nuk silleshin mirë, gjë që është e nevojshme në mënyrë që të tjerët të shijojnë mbledhjen. Kjo metodë ka dhe rezultate të mira dhe të këqija. Fëmijët tanë grindavecë nuk po e prishnin shpirtin e mbledhjes, por bashkëshortja ime dhe unë po humbisnim një pjesë të madhe të asaj që po ndodhte. Për më tepër, fëmijët tanë shpejt vendosën se liria dhe zbavitja në korridorin e kishës qenë shumë më të dëshirueshme sesa mbledhja e sakramentit.
Pasi e shqyrtuam arsyen pse kishim dështuar, ndryshuam taktikë dhe e bëmë betejën e nderimit ndaj mbledhjes së sakramentit në shtëpi dhe jo në kishë. Në mbrëmjen familjare të shtëpisë dhe raste të tjera gjatë javës, i vinim fëmijët të ushtroheshin të rrinin urtë. Ndërsa i përqendronim mësimet te qëllimi i mbledhjes së sakramentit, u shpjeguam fëmijëve pse e hanim bukën dhe pinim ujin. U folëm rreth flijimit të Krishtit dhe shpjeguam se mbledhja e sakramentit qe koha kur ata duhej të mendonin rreth Jezusit.
Vetëm pas një jave, efektet qenë të dukshme dhe pas tri ose katër javësh, fëmijët tanë më të mëdhenj po fillonin të rrinin urtë gjatë pjesës më të madhe të mbledhjes.
Merrni masa kur ata nuk tregojnë nderim
Sigurisht që fëmijët me raste shkisnin dhe nuk tregonin nderim, por kur e bënin, e dinim se duhej të bënim diçka më tepër sesa thjesht t’i nxirrnim jashtë që të bënin festë në korridor. Babai na e kishte bërë të qartë se donte që ne të rrinim brenda në Kishë, jo thjesht në afërsi të saj. Pasi i mora parasysh metodat e babit dhe dëgjova një fjalim mbi disiplinën, bashkëshortja ime dhe unë e kuptuam se nxjerrja e fëmijëve që nuk tregonin nderim nga mbledhja e sakramentit, e zgjidhte problemin aty për aty, por nuk bënte asgjë për t’i nxitur ata që ta shmangnin mungesën e nderimit në të ardhmen. E kishim ndarë mendjen për t’iu mësuar fëmijëve që jeta në mbledhjen e sakramentit qe shumë më e këndshme sesa jeta në cep të mbledhjes së sakramentit.
Të dielën tjetër, djali im dyvjeçar pati një shpërthim të tmerrshëm inati. Menjëherë e mora hopa dhe e nxora nga godina kishtare, por këtë herë nuk ndalova në korridor. Gjeta një klasë bosh matanë korridorit, u ula në një karrige të palosshme dhe e mbajta pa lëvizur mbi prehër.
Brenda një minute u qetësua dhe u përpëlit që ta lija të lirë. Reagimi im fillestar qe që ta ulja poshtë, mirëpo vendosa ta mbaja në prehër. Ai u ankua dhe i shpjegova se do të vazhdonte të rrinte në prehrin tim dhe do ta mbaja me sa mundja që të mos lëvizte, deri sa të vendoste që kishte ardhur koha të ktheheshim në mbledhjen e sakramentit duke treguar nderim.
Për dyvjeçarin tim që nuk e mbante dot vendi, një kufizim i tillë qe fati më i keq në botë. Pas dhjetë minutash që më lutej, përpëlitej dhe qante, e kuptoi se e kisha me tërë mend dhe më pyeti a mund të kthehej prapë në mbledhjen e sakramentit.
“A do të tregosh nderim, bir?” - e pyeta.
Ai pohoi me kokë.
“Po nëse nuk e bën, çfarë do të ndodhë?” Ai tregoi me gisht karrigen.
U kthyem në mbledhje, ku ndenji mjaftueshëm urtë. Prapëseprapë kishte çaste të dielat e tjera kur duhej t’i nxirrnim atë dhe vajzat tona nga mbledhja e sakramentit, por nuk zgjati shumë dhe ata mësuan se u parapëlqente më shumë liria në mbledhjen e sakramentit sesa kufizimi në prehrin e babit në një klasë të qetë matanë korridorit.
Natyrisht, është më mirë dhe më e lehtë ta parandalosh mungesën e nderimit sesa ta përjetosh atë në kishë. Duke e ditur se fëmijët tanë nuk do të ishin në gjendje t’i dëgjonin ose t’i kuptonin të gjitha bisedat në mbledhjen e sakramentit, ne planifikuam veprimtari të qeta si zëvendësuese kur fillonin ta humbnin interesin për bisedat.
Të gjithë fëmijëve tanë, madje edhe më të voglit në moshë, u pëlqen të lexojnë dhe të vështrojnë tregimet nga shkrimet e shenjta, me ilustrime për fëmijë, të botuara nga Kisha. Ne marrim edhe disa bojëra dhjami dhe fletë letre që të vegjlit të vizatojnë kur fillon të mos i zërë më vendi. Edhe fëmijëve pak më të rritur u lejohet të vizatojnë, por ne i nxitim të bëjnë vizatime që lidhen me bisedat që po jepen.
Zbuluam edhe që lojërat, ushqimi, ëmbëlsirat dhe lodrat zakonisht krijojnë potere dhe rrëmujë në vend që t’i parandalojnë ato.
Mos harroni se fëmijët janë fëmijë
Nuk presim që fëmijët tanë të jenë të përkryer në kishë sepse e dimë se në moshën e tyre, kjo gjë nganjëherë është përtej aftësive të tyre. Por gruaja ime dhe unë kemi synimin që ta shijojmë mbledhjen e sakramentit. Kur njëri nga fëmijët tanë nuk sillet mirë, merremi me të sa më shpejt dhe në mënyrë sa më pak emocionale që të jetë e mundur.
Kjo na ndihmon që t’i bëjmë gjërat me humor. Nëse një pjesëtar i familjes sonë kërcen nga stoli ose çapitet drejt foltores, pa e vënë re njeri, ne përpiqemi të ruajmë qetësinë, t’i vëmë fre sjelljes së tij ose saj, ta nxjerrim jashtë nëse është e nevojshme dhe i themi vetes se mbase, një ditë, do ta kujtojmë me gaz atë incident.
Nëse jeni vetëm dhe keni më shumë se një fëmijë, prapëseprapë mund të tregoni nderim, me pak ndihmë. Kur më thirrën në peshkopatë, bashkëshortes sime i ra për pjesë të merrej e vetme me fëmijët tanë. Pas disa të dielash, kjo detyrë iu duk dërrmuese dhe rraskapitëse, ndaj i kërkuam një çifti pensionistësh në lagje që të uleshin pranë familjes sonë çdo të diel për të barazuar raportin e të rriturve me fëmijët. Ata pranuan me dëshirë dhe tani fëmijëve tanë u pëlqen shumë të ulen pranë “gjyshërve” të vet.
Në familjen tonë, përpiqemi të sigurohemi që kisha të jetë një përvojë pozitive për vete dhe për fëmijët. Me pak praktikë e planifikim dhe me shumë durim, po i ndihmojmë fëmijët të mësojnë ta vlerësojnë mbledhjen e sakramentit dhe ta bëjnë këtë me nderim.