Megjithëse qëndrojmë si dëshmitarë të Jezu Krishtit në të gjitha kohërat, në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet (shih te Mosia 18:9), nganjëherë ndikimet e botës përreth nesh rreken të na marrin vëmendjen. Sakramenti na jep mundësinë për t’i përqendruar mendimet te Shpëtimtari pa shpërqendrime.
Gjatë sakramentit, mund të mendosh rreth domethënies dhe bukurisë së ordinancës. Marrja e emblemave të trupit dhe gjakut të Shpëtimtarit mund të të ndihmojë të reflektosh për sakrificën e Tij të pafundme dhe shlyese. Kur e merr sakramentin, po përtërin besëlidhjen e pagëzimit. Ndërsa e bën këtë, mund të zotohesh sërish se do ta kujtosh gjithmonë Atë dhe t’i zbatosh urdhërimet e Tij.
Mund ta përmirësosh përvojën tënde në sakrament, duke e përgatitur veten shpirtërisht. Gjatë javës, merre parasysh të studiosh biseda nga konferencat e përgjithshme ose fragmente shkrimesh të shenjta që të ndihmojnë të përqendrohesh te sakrifica e Shpëtimtarit dhe te dishepullimi yt. Gjatë himnit dhe lutjeve të sakramentit, përqendrohu te fjalët që këndon dhe dëgjon, dhe mendoje thellë kuptimin e tyre.
Gjatë sakramentit, përdore kohën për të menduar rreth ndryshimeve që po bën në jetën personale për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti. Pas marrjes së sakramentit me denjësi, mund të ndihesh i/e pastër dhe i/e dëlirë, njësoj si në ditën e pagëzimit.
Kujtoje Darkën e Fundit
Duhet të mendojmë rreth sakrificës shlyese të Jezu Krishtit dhe rreth rëndësisë së marrjes së simboleve të trupit dhe gjakut të Tij me denjësi. Ne mund të mendojmë rreth kohës kur Ai e bekoi bukën dhe ujin me dymbëdhjetë Apostujt e Tij.
Honas A., 18 vjeç, Morelos, Meksikë
Mendo për Jezu Krishtin
Gjatë sakramentit mendoj rreth asaj që kaloi Shpëtimtari në mënyrë që ne të pendohemi për gabimet që kemi bërë. Mendoj edhe për të gjitha bekimet që më ka dhënë Ai dhe për mrekullitë e mahnitshme që ka kryer dhe do të kryejë Ai. Jemi tejet të bekuar që kemi mundësi të marrim sakramentin në mënyrë që të mund të pendohemi për mëkatet tona dhe të zotohemi që të përmirësohemi.
Endi B., 13 vjeç, Jutë, SHBA
Përsiati Fjalët e Himneve të Sakramentit
Himnet e sakramentit na mësojnë se çfarë duhet të mendojmë gjatë sakramentit. Për shembull, himni im i parapëlqyer i sakramentit “Përul’sisht Shpëtuesi Ynë” (Himne, nr. 99) thotë: “Mos më lër t’harroj Shpëtues, që për mua vdiqe Ti, kur t’pushoi zemra s’rrahuri atje n’kryq në Kalvari”. Kur i kujtoj fjalët e himneve të sakramentit gjatë kësaj ordinance të shenjtë, kjo më ndihmon të ndiej paqe dhe ma shton mirënjohjen për Shlyerjen e Jezu Krishtit.
Ostin B., 15 vjeç, Alberta, Kanada
Kujto dhe Prano
Qëllimi i sakramentit është që të përtërijmë besëlidhjet tona me Atin Qiellor dhe të pastrohemi nga mëkatet për të cilat jemi penduar. Gjatë sakramentit, kujtojmë sakrificën e Krishtit për ne dhe përsiatim se si po e zbatojmë këtë në jetën tonë. Përpiqem të mendoj rreth gjërave që kam bërë gjatë javës që kaloi, dhe se sa fort i kam mbajtur besëlidhjet me Atin. I pranoj mëkatet që kam kryer, dhe përqendrohem te mënyra se si mund ta përdor Shlyerjen për t’i kapërcyer. Kur e bëj këtë, sakramenti është një përvojë lartësuese dhe forcuese nga ana shpirtërore.
Abigejl P., 14 vjeçe, Arizonë, SHBA
Jep Falënderime për Bekimet
Gjatë sakramentit, duhet të mendojmë rreth faktit se sa e madhe qe sakrifica që bëri Shpëtimtari për ne dhe t’i kemi zemrat plot mirënjohje. Kur marr sakramentin, më pëlqen ta falënderoj Atin Qiellor dhe Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, për bekimet që kam marrë.
Elen S., 16 vjeçe, Paraiba, Brazil
Mos e Lër Mendjen të Sorollatet
Kam një kartë të vogël të futur te shkrimet e shenjta që e nxjerr çdo të diel gjatë sakramentit. Është një libërshenjues për kapitullin 18 të Mosias, kur Alma parashtron besëlidhjen e pagëzimit. Karta ka shënime të vogla, të tilla si: “Ji mirënjohëse për Shlyerjen”, të shkruar aty që të më ndihmojë ta kujtoj qëllimin dhe shenjtërinë e sakramentit. Rishikimi i shënimeve më ndihmon ta mbaj mendjen të përqendruar te qëllimi dhe shenjtëria e sakramentit.
Alisha M., 19 vjeçe, Teksas, SHBA
Lëri Mendimet të Shkojnë te Shlyerja
Gjatë sakramentit, mendimet e mia shkojnë te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij. E kam të vështirë të shpreh se si ndihem gjatë sakramentit kur mendoj për Shlyerjen e Jezu Krishtit. E di se Jezu Krishti u zgjodh për të qenë Shëlbuesi ynë. E di se Ai jeton.
Nefi B., 20 vjeç, Brazavil, Republika e Kongos
Reflekto për Besëlidhjet e Tua
Kur isha më i vogël, e vetmja gjë për të cilën mendoja gjatë sakramentit, ishte se si mund të rrija pa bërë zhurmë. Tani që jam mbajtës i priftërisë, e kuptoj se, që sakramenti të ketë domethënie dhe të më ndihmojë të rritem shpirtërisht, duhet të reflektoj gjatë tij. Mendoj rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe mënyrës se si Ai e tregoi dashurinë për ne. Mendoj edhe rreth mënyrës se si marrja e sakramentit mund të ma forcojë besimin dhe dëshirën për të përmbushur besëlidhjen e pagëzimit tim.
Levi F., 19 vjeç, Abia, Nigeri
Përgjigjet synojnë të japin ndihmë dhe këndvështrim, jo të jenë deklarime zyrtare të doktrinës së Kishës.
Lëre Botën Mënjanë
“Kur isha fëmijë, luhej një melodi e bukur gjatë shpërndarjes së sakramentit. Shpejt, vëllezërit na kërkuan ta ndërpritnim atë zakon sepse mendja jonë përqendrohej te muzika më shumë se te sakrifica shlyese e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë. Gjatë [administrimit të] sakramentit, ne e lëmë botën mënjanë. Është kohë për përtëritje shpirtërore meqenëse ne kuptojmë domethënien e thellë shpirtërore të ordinancës që na ofrohet secilit më vete. Nëse do të tregoheshim të pavëmendshëm në marrjen e sakramentit, do të humbnim mundësinë për shtimin e forcës shpirtërore.”
Plaku L. Tom Peri, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Tani Që Marrim Sakramentin”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 67.