Ne jetojmë në kohët e vështira për të cilat profetizoi Apostulli Pal (shihni te 2 Timoteut 3:1). Ata që përpiqen të ecin në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar, shohin kudo rrugë tërheqëse të tërthorta. Ne mund të jemi të hutuar, të poshtëruar, të ligështuar apo të dëshpëruar. Si mund ta kemi Shpirtin e Zotit për të na udhëhequr në zgjedhjet tona dhe për të na mbajtur në shteg?
Në zbulesën moderne, Zoti e dha përgjigjen në këtë urdhërim:
“Dhe që të mund ta ruash veten më tepër të panjollë nga bota, duhet të shkosh në shtëpinë e lutjes dhe t’i ofrosh sakramentet e tua në ditën time të shenjtë;
Sepse në të vërtetë kjo është një ditë e caktuar për ty që të prehesh nga punët e tua dhe t’i drejtosh lutje Më të Lartit” (DeB 59:9– 10).
Ky është një urdhërim me një premtim. Duke marrë pjesë çdo javë dhe siç duhet në ordinancën e sakramentit, ne kualifikohemi për premtimin që ne do të “ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]” (DeB 20:77). Ai Shpirt është themeli i dëshmisë sonë. Ai dëshmon për Atin dhe Birin, sjell të gjitha gjërat në kujtesën tonë dhe na udhëheq tek e vërteta. Ai është busulla për të na udhëhequr në shtegun tonë. Kjo dhuratë e Frymës së Shenjtë, dha mësim Presidenti Uilford Udraf, është “dhurata më e madhe që mund të derdhet mbi njeriun” (Deseret Weekly, 6 prill 1889, f. 451).
I.
Ordinanca e sakramentit e bën mbledhjen e sakramentit mbledhjen më të shenjtë e më të rëndësishme në Kishë. Është e vetmja mbledhje e Shabatit ku e gjithë familja mund të marrë pjesë së bashku. Përmbajtja e saj, përveç sakramentit, duhet të planifikohet dhe paraqitet gjithmonë që të na e përqendrojë vëmendjen te Shlyerja dhe mësimet e Zotit Jezu Krisht.
Kujtimet e mia të para nga mbledhja e sakramentit zënë fill në qytetin e vogël të Jutës ku u shugurova si dhjak dhe mora pjesë në shpërndarjen e sakramentit. Krahasuar me ato kujtime, mbledhjet e sakramentit që frekuentoj tani në shumë lagje të ndryshme, janë përmirësuar ndjeshëm. Zakonisht, sakramenti administrohet, kalohet dorë më dorë dhe merret nga anëtarët në një atmosferë nderimi në heshtje. Drejtimi i mbledhjes, bashkë me punët e nevojshme, është i shkurtër dhe dinjitoz dhe bisedat janë shpirtërore për nga përmbajtja dhe mënyra se si jepen. Muzika është e përshtatshme dhe po ashtu edhe lutjet. Ky është standardi dhe paraqet përparim të madh që nga përvojat e rinisë sime.
Me raste ka përjashtime. Ndiej se disa nga brezi i ri dhe madje disa të rritur nuk e kanë kuptuar ende domethënien e kësaj mbledhjeje dhe rëndësinë e nderimit dhe adhurimit individual të saj. Ajo që ndiej mbresën t’ju mësoj këtu, shkon për ata që nuk po i kuptojnë dhe nuk po i vënë ende në praktikë këto parime të rëndësishme dhe nuk po i gëzojnë bekimet e premtuara shpirtërore të pasjes së Shpirtit të Tij udhërrëfyes gjithmonë me vete.
II.
Po e filloj me mënyrën se si anëtarët e Kishës duhet të përgatiten për të marrë pjesë në ordinancën e sakramentit. Në mbledhjen e një trajnimi mbarëbotëror të udhëheqjes pesë vjet më parë, Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u dha mësim udhëheqësve të priftërisë në Kishë se si t’i planifikojnë dhe drejtojnë mbledhjet e sakramentit. “Ne e përkujtojmë Shlyerjen e Tij, në një mënyrë shumë personale”, – tha Plaku Nelson. “Në mbledhjen e sakramentit, sjellim një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar. Ajo është pika kulmore e respektimit të ditës së Shabatit” (“Worshiping at Sacrament Meeting”, Liahona, gusht 2004, f. 12; Ensign, gusht 2004, f. 26).
Ulemi kohë përpara se të fillojë mbledhja. “Gjatë atij intervali të qetë, luhet muzika para hapjes me tinguj të ulët. Kjo nuk është koha për të bashkëbiseduar ose shkëmbyer mesazhe, por një periudhë meditimi plot lutje ndërsa udhëheqësit dhe anëtarët përgatiten shpirtërisht për sakramentin” (Liahona, gusht 2004, f. 13; Ensign, gusht 2004, f. 27).
Kur Shpëtimtari iu shfaq nefitëve pas Ringjalljes së Tij, Ai u mësoi se duhej ta ndalnin praktikën e flijimit me anë të derdhjes së gjakut. Në vend të saj [Ai tha]: “Do të më ofroni për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar” (3 Nefi 9:20). Ai urdhërim, i përsëritur në zbulesën bashkëkohore që na drejton ta marrim sakramentin çdo javë, na thotë se si duhet të përgatitemi. Sikurse dha mësim Plaku Nelson: “Çdo anëtar i Kishës mban përgjegjësi për pasurimin shpirtëror që mund të vijë nga një mbledhje sakramenti” (Liahona, gusht 2004, f. 14; Ensign, gusht 2004, f. 28).
Në shkrimet e tij mbi doktrinën e shpëtimit, Presidenti Jozef Filding Smith na mëson se ne e marrim sakramentin si pjesë të përkujtimit të vdekjes dhe vuajtjeve të Shpëtimtarit për shëlbimin e botës. Kjo ordinancë u paraqit në mënyrë që të mund t’i përtërijmë besëlidhjet për t’i shërbyer Atij, për t’iu bindur dhe për ta kujtuar gjithmonë Atë. Presidenti Smith shton: “Ne nuk mund ta mbajmë Shpirtin e Zotit nëse nuk pajtohemi në mënyrë të qëndrueshme me këtë urdhërim” (Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëllime [1954–1956], 2:341).
III.
Mënyra se si vishemi është një tregues i rëndësishëm i qëndrimit dhe përgatitjes sonë për çdo veprimtari në të cilën do të përfshihemi. Nëse do të notojmë ose do të ngjitemi në mal apo të luajmë në plazh, veshja jonë, përfshirë këpucët, do ta vënë në dukje këtë. E njëjta gjë vlen edhe për mënyrën se si vishemi kur duhet të marrim pjesë në ordinancën e sakramentit. Është e njëjta gjë kur shkojmë në tempull. Mënyra e veshjes tregon shkallën në të cilën e kuptojmë dhe e nderojmë ordinancën në të cilën do të marrim pjesë.
Gjatë mbledhjes së sakramentit – dhe veçanërisht gjatë shërbesës së sakramentit – ne duhet të përqendrohemi tek adhurimi dhe të shmangemi nga të gjitha aktivitetet e tjera, veçanërisht nga sjellja që mund të pengojë adhurimin e të tjerëve. Madje edhe një person që dremit qetësisht, nuk i pengon të tjerët. Mbledhja e sakramentit nuk është kohë për të lexuar libra ose revista. Të rinj, ajo nuk është kohë për biseda me pëshpërima në celular apo për t’iu dërguar mesazhe personave në vende të tjera. Kur marrim sakramentin, bëjmë një besëlidhje të shenjtë që do ta kujtojmë gjithmonë Shpëtimtarin. Sa e trishtueshme është të shohësh persona që e shkelin dukshëm atë besëlidhje në po atë mbledhje ku po e bëjnë atë.
Muzika e mbledhjes së sakramentit është një pjesë jetike e adhurimit tonë. Shkrimet e shenjta na mësojnë se kënga e të drejtëve është një lutje për Zotin (shihni te DeB 25:12). Presidenca e Parë ka deklaruar se “disa prej predikimeve më të mëdha janë dhënë duke kënduar himne” (Himne, f. ix). Sa e mrekullueshme është kur çdo njeri i pranishëm i bashkohet adhurimit me këngë, veçanërisht kur këndojmë himnin që na përgatit të marrim sakramentin. E gjithë muzika e mbledhjes së sakramentit kërkon planifikim të kujdesshëm, duke kujtuar gjithnjë që kjo muzikë është për adhurim, jo për të dhënë shfaqje.
Presidenti Jozef Filding Smith na mësoi: “Ky është një rast kur duhet të paraqitet ungjilli, kur duhet të na thërrasin për të ushtruar besim dhe për të reflektuar mbi misionin e Shëlbuesit tonë dhe për të shpenzuar kohë duke i shqyrtuar parimet shpëtuese të ungjillit dhe jo për qëllime të tjera. Dëfrimi, të qeshurat, mendjelehtësia, janë që të gjitha të pavenda në mbledhjet e sakramentit të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Ne duhet të mblidhemi me shpirtin e lutjes, me butësi të zemrës, me përkushtim në zemër” (Doctrines of Salvation, 2:342).
Kur e bëjmë këtë, kur i bashkohemi solemnitetit që duhet ta shoqërojë përherë ordinancën e sakramentit dhe adhurimin e kësaj mbledhjeje, kualifikohemi për shoqërimin e Shpirtit dhe marrjen e zbulesës prej Tij. Kjo është mënyra se si marrim orientim për jetën tonë dhe paqe përgjatë udhës.
IV.
Zoti i ringjallur e theksoi rëndësinë e sakramentit kur vizitoi kontinentin amerikan dhe e vendosi këtë ordinancë mes nefitëve besnikë. Ai i bekoi emblemat e sakramentit dhe ua dha ato dishepujve të Tij dhe turmës (shihni te 3 Nefi 18:1–10), duke urdhëruar:
“Dhe këtë ju do t’ua bëni gjithnjë atyre që pendohen dhe pagëzohen në emrin tim; dhe këtë do ta bëni që të kujtoni gjakun tim që kam derdhur për ju, që ju t’i dëshmoni Atit që më kujtoni gjithnjë. Dhe në qoftë se ju më kujtoni gjithnjë, ju do të keni Shpirtin tim që të jetë me ju.
… Dhe në qoftë se do t’i bëni gjithnjë këto gjëra, të bekuar jeni ju, pasi ju jeni ndërtuar mbi shkëmbin tim.
Por, të gjithë ata që do të bëjnë më pak ose më shumë se këto, nuk janë ndërtuar mbi shkëmbin tim, por janë ndërtuar mbi një themel prej rëre; dhe kur shiu të bjerë dhe përmbytjet të vijnë, dhe erërat të fryjnë dhe të përplasen mbi ta, ata do të bien” (3 Nefi 18:11–13).
Sakramenti është ordinanca që zëvendësoi flijimet me derdhje gjaku dhe holokaustet e ligjit të Moisiut, dhe me të erdhi premtimi i Shpëtimtarit: “Dhe kushdo që vjen tek unë me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, atë do ta pagëzoj me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë” (3 Nefi 9:20).
V.
Tani do t’u flas veçanërisht mbajtësve të priftërisë që ushtrojnë detyrat e priftërisë në sakrament. Kjo ordinancë duhet të kryhet gjithnjë me nderim dhe dinjitet. Priftërinjtë të cilët bëjnë lutjet në emër të bashkësisë, duhet t’i thonë fjalët me ngadalë dhe të shqiptuara mirë, duke shprehur kushtet e besëlidhjes dhe bekimet e premtuara. Ky është një akt shumë i shenjtë.
Mësuesit që i përgatitin emblemat e sakramentit, dhe dhjakët që i shpërndajnë ato, kryejnë gjithashtu një akt shumë të shenjtë. Më pëlqen shumë rrëfimi i Presidentit Tomas S. Monson për kohën kur ishte një dhjak 12‑vjeçar dhe peshkopi i kërkoi t’i çonte sakramentin një vëllai që dergjej në shtrat, i cili qe i përmalluar për këtë bekim. “Mirënjohja e tij më tronditi”, – tha Presidenti Monson. “Shpirti i Zotit erdhi tek unë. Po qëndroja në tokë të shenjtë” (Inspiring Experiences That Build Faith [1994], f. 188). Të gjithë ata që i ushtrojnë detyrat e priftërisë në këtë ordinancë të shenjtë, qëndrojnë në tokë të shenjtë.
Të rinjtë që i ushtrojnë detyrat e priftërisë në ordinancën e sakramentit, duhet të jenë të denjë. Zoti ka thënë: “Jini të pastër që të mbani enët e Zotit” (DeB 38-42). Paralajmërimi në shkrimet e shenjta për marrjen e sakramentit padenjësisht (shihni te 1 Korintasve 11:29; 3 Nefi 18:29) sigurisht që zbatohet edhe për ata që i ushtrojnë detyrat e priftërisë në atë ordinancë. Kur administron disiplinën ndaj anëtarëve të Kishës që kanë kryer mëkate të rënda, një peshkop mund t’ua heqë përkohësisht privilegjin e marrjes së sakramentit. Mundësohet i njëjti autoritet për ta hequr privilegjin e ushtrimit të detyrave të priftërisë në atë ordinancë të shenjtë.
Ajo që thashë më herët rreth rëndësisë së veshjes së përshtatshme për ata që e marrin ordinancën e sakramentit, pa dyshim që zbatohet me fuqi të veçantë për të rinjtë e Priftërisë Aarone, të cilët ushtrojnë detyrat e priftërisë në cilëndo pjesë të asaj ordinance të shenjtë. Të gjithë duhet të jenë të rregullt dhe të veshur thjesht. Nuk duhet të ketë asgjë te paraqitja ose veprimet e tyre që do të tërhiqte vëmendje të veçantë drejt tyre ose që do ta shpërqendronte cilindo të pranishëm nga vëmendja e plotë ndaj adhurimit dhe bërjes së besëlidhjeve që janë qëllimi i kësaj shërbese të shenjtë.
Plaku Xhefri R. Holland dha një mësim me vlerë mbi këtë temë në konferencën e përgjithshme 13 vjet më parë. Duke qenë se pjesa më e madhe e dhjakëve tanë të tanishëm as nuk kishin ardhur në jetë kur u thanë këto fjalë për herë të fundit, po i përsërit për dobinë e tyre dhe dobinë e prindërve dhe mësuesve të tyre: “Më lejoni të sugjeroj që dhjakët, mësuesit dhe priftërinjtë që merren me sakramentin, të veshin një këmishë të bardhë kurdoherë që është e mundur. Për ordinancat e shenjta në Kishë ne shpesh përdorim veshje ceremoniale dhe një këmishë e bardhë mund të shihet si një kujtues i ëmbël i veshjes së bardhë që veshët në vaskën e pagëzimit dhe si një paraprirëse e këmishës së bardhë që do të vishni së shpejti në tempull dhe në misionet tuaja” (“This Do in Remembrance of Me”, Ensign, nëntor 1995, f. 68).
Më së fundi, sakramenti administrohet vetëm kur kjo autorizohet nga ai që mban çelësat e kësaj ordinance të priftërisë. Kjo është arsyeja pse sakramenti përgjithësisht nuk shërbehet në shtëpi ose në bashkime familjare, madje edhe kur janë në dispozicion mbajtës të mjaftueshëm të priftërisë. Ata që ushtrojnë detyrën e priftërisë në tryezën e sakramentit, e përgatitin sakramentin ose ia kalojnë atë bashkësisë, duhet të caktohen nga dikush që i mban ose i ushtron çelësat e kësaj ordinance. U referohem peshkopatave ose presidencave të kuorumeve të mësuesve ose të dhjakëve. “Shtëpia ime është një shtëpi rregulli”, – deklaroi Zoti (DeB 132:8).
Si mund ta kemi Shpirtin e Zotit që të na prijë për zgjedhjet tona në mënyrë që të mbetemi “të panjollë nga bota” (DeB 59:9) dhe në shtegun e sigurt gjatë jetës në vdekshmëri? Ne duhet të kualifikohemi për fuqinë pastruese të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ne e bëjmë këtë duke zbatuar urdhërimin e Tij për të ardhur tek Ai me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar dhe në atë mbledhje të mrekullueshme e të përjavshme i marrim emblemat e sakramentit dhe i bëjmë besëlidhjet që na kualifikojnë për premtimin e çmuar që ne gjithmonë do ta kemi Shpirtin e Tij me ne (shihni te DeB 20:77). E bëfshim gjithmonë këtë, është lutja ime e përulur, të cilën e bëj në emrin e Tij, Shlyerja e të cilit i bën të gjitha të mundura, madje Jezu Krishtit, amen.