
A e keni pyetur ndonjëherë veten përse u lejojmë fëmijëve që ta marrin sakramentin edhe kur nuk janë të pagëzuar? A e bëjmë këtë thjesht që të ndalim britmat dhe grindjet e pashmangshme kur ata duan një copë bukë? A e bëjmë këtë thjesht që ordinanca të administrohet më lehtë, thjesht sa për të ruajtur paqen?
Unë nuk mendoj kështu. Besoj se ka arsye më të thella. E besoj këtë sepse besoj se kur Jezu Krishti thotë “të gjithë”, Ai nënkupton të gjithë. Dhe kur Ai i flet një turme, Ai nuk përjashton askënd.
Kur Shpëtimtari i ringjallur ia paraqiti sakramentin popullit të Tij në kontinentin amerikan, Ai theksoi se ordinanca kishte një kuptim të veçantë për ata që ishin pagëzuar.1 Prapëseprapë, Ai i urdhëroi dishepujt e Tij që t’ia “jepnin [sakramentin] turmës”2. Ajo turmë përfshinte “të vegjlit”3.
Kur mbajtësit e priftërisë sot i shqiptojnë lutjet e sakramentit, ata i kërkojnë Atit Qiellor që t’ua bekojë e shenjtërojë bukën dhe ujin “shpirtrave të të gjithë atyre” që marrin prej tyre.4 Të gjithëve. Çdo personi që i merr, përfshirë çdo fëmijë të vogël.
Nëse përmes marrjes së bukës dhe ujit, fëmijët i marrin këto emblema si një bekim për shpirtin e tyre të kulluar, atëherë duhet të ketë një mënyrë për t’i ndihmuar ata të gjejnë domethënie në këtë ordinancë.
Me këtë kuptueshmëri, unë kthej kokën pas në kohën kur fëmijët e mi ishin të vegjël. Unë dhe bashkëshortja ime ia dilnim goxha mirë duke i bërë të rrinin urtë gjatë administrimit të sakramentit. Mendoj që ata e ndienin se ordinanca ishte e rëndësishme për ne. Por mund të kishim bërë më shumë për t’i ndihmuar ata të kuptonin se ishte e rëndësishme edhe për ta.
Çfarë mund të kishim bërë? Mund të kishim sjellë ndër mend se fëmijët e vegjël janë të aftë t’i mbajnë premtimet në lutjen e sakramentit. Ata mund ta kuptojnë, në mënyrën e tyre të kufizuar, por të fuqishme, se çfarë do të thotë që “gjithmonë ta kujtojnë” Jezusin. Ata mund të zotohen për t’i “zbat[uar] urdhërimet e tij”. Ata madje mund të tregojnë se janë të “gatshëm të marrin mbi vete emrin” e Krishtit, duke e ditur se ata së shpejti do ta kenë atë privilegj kur të pagëzohen e konfirmohen.5
Po për sa i takon përtëritjes së besëlidhjeve? Udhëheqësit e Kishës kanë dhënë mësim se, kur marrim sakramentin, ne i përtërijmë të gjitha besëlidhjet që kemi bërë me Zotin.6 Fëmijët e vegjël nuk kanë asnjë besëlidhje për të përtërirë.
Mendoj sërish për kohën kur fëmijët tanë ishin të vegjël. Nuk mund t’i ndihmonim të mendonin për besëlidhjet, por mund t’i kishim ndihmuar t’i synonin ato. E përfytyroj veten me një djalë ose vajzë të vogël në një mëngjes Shabati:
“Kur të bëhesh tetë vjeç/e”, – them unë, – “ti do të pagëzohesh dhe do të marrësh dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ti do të bësh një besëlidhje. Besëlidhja që do të bësh atëherë, do të jetë si premtimet që ti bën tani kur merr sakramentin.
Kur të marr sakramentin sot, unë do ta përtërij besëlidhjen time të pagëzimit, njësoj sikur po i bëj sërish ato premtime. Ti do të jesh atje me mua, por nuk do të përtërish një besëlidhje. Ti nuk e ke bërë ende atë. Në vend të kësaj, ti mund të ushtrosh bërjen e një besëlidhjeje. Sa herë që merr sakramentin, ti mund të përgatitesh për t’u pagëzuar e konfirmuar. Në këtë mënyrë, ti do të jesh gati kur të bëhesh tetë vjeç/e”.
Nëse ju duket e pazakontë ta përdorni fjalën ushtroj në këtë mënyrë, merrni parasysh këtë: Në një mjedis nderues, një baba mund t’i ndihmojë fëmijët e tij të përgatiten për ordinancën e pagëzimit duke u treguar atyre se si do të qëndrojnë së bashku në ujë dhe duke u treguar fjalët e lutjes së pagëzimit. Ai nuk e kryen ordinancën në atë mjedis. Në njëfarë kuptimi, ai i ndihmon fëmijët e tij që të ushtrohen. Në këtë mënyrë, ata nuk do të shqetësohen se çfarë do të ndodhë kur të hyjnë në ujërat e pagëzimit. Besoj se nënat dhe etërit mund t’i ndihmojnë fëmijët që të ushtrohen edhe për të bërë dhe mbajtur besëlidhjen e pagëzimit. Çdo mbledhje sakramenti mund të jetë një sesion i shenjtë ushtrimi për fëmijët e vegjël teksa marrin emblemat e Shlyerjes së Shpëtimtarit.
Dhe kështu unë i kthehem pyetjes sime fillestare. Përse u lejojmë fëmijëve që ta marrin sakramentin edhe kur nuk janë të pagëzuar? A e bëjmë thjesht sa për të “ruajtur paqen”? Natyrisht që jo. Ne i ndihmojmë të vegjlit tanë ta marrin sakramentin, në mënyrë që ata të mund ta kujtojnë Shpëtimtarin e tyre dhe ta ruajnë paqen që vjen prej Tij – një paqe e ndryshme nga ajo që mund të na japë bota.7 Ne i ndihmojmë ata që të përgatiten për ta marrë atë paqe me një bollëk gjithnjë e më të madh në të ardhmen, kur ata do t’i bëjnë e mbajnë besëlidhjet me Të.
Shënimet në fund të faqeve
1. Shihni te 3 Nefi 18:5,11.
2. 3 Nefi 18:4; theksimi i shtuar.
3. Shihni te 3 Nefi 17:21–25; 18:1–4.
4. Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79; theksimi i shtuar.
5. Doktrina e Besëlidhje 20:77
6. Shihni te L. Tom Perry, “As Now We Take the Sacrament”, Ensign, maj 2006, f. 41.
7. Shihni te Gjoni 14:27.