
Brigam Jangu ishte profeti dhe Presidenti i dytë i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Brigami e udhëhoqi Kishën pasi vdiq Jozef Smithi dhe e pasoi Jozefin si profet në vitin 1847. Ai njihej si një udhëheqës i guximshëm dhe mbikëqyri shtegtimin për në Perëndim të 60 000 deri 70 000 pionierëve mormonë përmes shkretëtirës së thepisur amerikane deri në luginën e Solt-Lejkut.[i]
Jeta e Hershme e Brigam Jangut
“Vëllai Brigam”, siç e quanin shpesh anëtarët e Kishës Brigam Jangun, iu lindi Xhon Jangut dhe Abigail Houit në Uitingam të Vermontit, më 1 qershor 1801. Nëna e Brigamit vdiq kur ai qe vetëm 14 vjeç.[ii] Atë e rriti i ati, një burrë i ashpër.[iii] Gjatë pjesës më të madhe të rinisë së Brigamit, familja Jang mezi ia dilte të siguronte minimumin e jetesës në kufirin e ashpër amerikan. Brigami më vonë tha: “Unë u mësova të punoja në grup nëpër pyje duke prerë e duke transportuar drurë, dimër e verë, gjysmë i zhveshur dhe me ushqim të pamjaftueshëm derisa më dhembte stomaku”[iv].
Brigami filloi ta mësonte zanatin e marangozit pasi i vdiq e ëma.[v] Babai i Brigamit u martua sërish në vitin 1817 dhe, thuajse në të njëjtën kohë, Brigami filloi të përjetojë liri dhe mundësi të reja kur filloi stazhin e punës si nxënës. Në moshën 18-vjeçare, Brigami hapi një ndërmarrje të suksesshme zdrukthtarie në zonën veriore të Nju-Jorkut. Në vitin 1823, marangozi i ri takoi Miriam Uorksin, me të cilën u martua një vit më vonë.[vi]
Kthimi në Besim i Brigam Jangut
Brigami dhe Miriami u zhvendosën për në Asuigo të Nju-Jorkut dhe u bashkuan me Kishën Metodiste.[vii] Megjithatë, ata kishin dëshirim për diçka më shumë dhe vazhduan ta kërkonin të vërtetën fetare.[viii] Brigami mësoi së pari për Librin e Mormonit pasi vëllai i Profetit Jozef Smith, Samueli, i la një kopje të librit vëllait të Brigamit, Fineasit, në vitin 1830.[ix]
Disa anëtarë të familjes Jang e pranuan me shpejtësi Librin e Mormonit si fjalën e Perëndisë, por kthimi në besim i Brigamit ndodhi më gradualisht.[x] Për kthimin e tij në besim, Brigami më vonë tha: “Unë e këqyra çështjen me zell për dy vjet përpara se ta ndaja mendjen që ta merrja atë libër. E dija se ishte i vërtetë, po ashtu siç e dija se mund të shihja me sytë e mi, apo të ndieja nëpërmjet prekjes. . . . Po të mos kishte qenë kështu, nuk do ta kisha përqafuar kurrë deri më sot.”[xi] Në vitin 1832, Brigam Jangu u pagëzua në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.[xii]
Miriami gjithashtu u bashkua me Kishën në vitin 1832, por vdiq pak kohë më pas, duke ia lënë Brigamit kujdesin për dy bijat e tyre të vogla. Brigami u martua sërish, këtë herë me një të bashkëkthyer në besim që quhej Meri En Enxhëll.[xiii] Më vonë, Brigami ushtroi martesën me shumë bashkëshorte, apo poligaminë. Kjo praktikë, sipas së cilës një burrë martohet me më shumë se një grua, u ndoq nga anëtarët e hershëm të Kishës, por tani është rreptësisht e ndaluar nga Kisha dhe nuk është ushtruar nga anëtarët e Kishës për më shumë se 100 vite.[xiv]
Pas kthimit të tij në besim, Brigami u bë një misionar dhe përkrahës entuziast i Kishës së re të Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Disa vite më vonë, në vitin 1835, ai u shugurua anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, një këshill udhëheqës i Kishës. Më pas, nga viti 1839 deri në 1841, Brigami shërbeu në një mision në Britaninë e Madhe, ku ndihmoi për të sjellë në Kishë rreth 7 000 deri 8 000 njerëz.[xv]
Udhëheqja dhe Trashëgimia e Brigam Jangut
Brigam Jangu u bë Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në vitin 1847.[xvi] Nga fillimi dhe mesi i viteve 1840, jo shumë kohë përpara se Brigami të bëhej Presidenti i Kishës, anëtarët e Kishës kishin vuajtur nga përndjekja e madhe fetare në Ilinois.[xvii] Anëtarët e Kishës kërkuan strehim rreth 1 300 milje [afërsisht 2 100 km] larg në Jutë, një pjesë e pakolonizuar e Perëndimit Amerikan.[xviii] Brigami u bë Presidenti i Kishës gjatë kësaj periudhe të migrimit drejt perëndimit dhe mbikëqyri shtegtimin e dhjetëra mijëra shenjtorëve të ditëve të mëvonshme gjatë disa dekadave. Ai është një nga kolonizuesit më të madhërishëm në historinë amerikane dhe mbikëqyri kolonizimin e afërsisht 400 komuniteteve në Perëndimin Amerikan.[xix] Për shkak të kësaj, “[Atij] i drejtohen nganjëherë si Moisiu amerikan”[xx].
Brigam Jangu ishte guvernatori i parë i Jutës. Ai gjithashtu zhvilloi biznese dhe degë të industrisë që e ndihmuan Jutën të begatohej. Brigami besonte me vendosmëri në përfitimet prej teknologjive të reja dhe i mirëpriti në Jutë si telegrafin ashtu edhe linjat hekurudhore.[xxi] Pavarësisht arsimimit zyrtar të kufizuar të Brigamit, ai ishte një përkrahës i fortë i arsimimit, si për burrat edhe për gratë, dhe ndihmoi për themelimin e shumë shkollave, dy prej të cilave u bënë universitete më vonë që ende lulëzojnë sot.[xxii]
Brigam Jangu qe gjithashtu një ndërtues i famshëm që mbikëqyri punën ndërtimore për ndërtesa të ndryshme përfshirë dy tempuj të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Jutë dhe Tabernakullin Mormon në Solt‑Lejk‑Siti.[xxiii] Tabernakulli, sot shtëpi e të famshmit Mormon Tabernacle Choir [Korit Mormon të Tabernakullit], u ndërtua me formën e tij dalluese si “kurriz breshke” me kërkesë të Brigam Jangut.[xxiv] Brigami i udhëzoi ndërtuesit që ta ndërtonin Tabernakullin, i cili u ndërtua për të mbajtur [në të] shërbime fetare, pa kolona ose shtylla për të mbajtur çatinë, sepse ai nuk dëshironte që këto struktura t’i pengonin pamjen publikut.[xxv] Tabernakulli, i cili është rimodeluar dhe restauruar qysh atëherë, përdoret ende sot për grumbullime dhe shfaqje muzikore.
Mësoni më Shumë
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme, në të shkuarën dhe tani, e njohin Brigam Jangun si një profet të Perëndisë. Për të mësuar më shumë për profetët e Perëndisë në tokë sot, vizitoni ejanitekrishti.org.
[i] Shih “Brigham Young: An American Moses”.
[ii] Shih Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. vii, 1.
[iii] Eugene England, “Young Brigham”, New Era, shtator 1977, f. 15–16.
[iv] Në England, “Young Brigham”, f. 16.
[v] Shih Teachings: Brigham Young, f. vii.
[vi] Shih England, “Young Brigham”, f. 17.
[vii] Shih Encyclopedia of Mormonism (1992), “Young, Brigham”, f. 1602.
[viii] Shih England, “Young Brigham”, f. 18.
[ix] Encyclopedia of Mormonism, “Young, Brigham”, f. 1602.
[x] Leonard J. Arrington dhe JoAnn Jolley, “The Faithful Young Family”, Ensign, gusht 1980, f. 55.
[xi] “A Discourse”, Deseret News Weekly, 2 tetor 1852, f. 96, në “Brigham Young: An American Moses”.
[xii] Shih Encyclopedia of Mormonism, “Young, Brigham”, f. 1602.
[xiii] Shih Encyclopedia of Mormonism, “Young, Brigham”, f. 1602‑1603.
[xiv] Shih “Brigham Young”, newsroom.churchofjesuschrist.org.
[xv] Shih Encyclopedia of Mormonism, “Young, Brigham”, f. 1602, 1603, 1604.
[xvi] Shih Presidents of the Church Student Manual (manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2013), f. 21.
[xvii] Shih Doctrine and Covenants Student Manual, bot. 2të (manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001), f. 315.
[xviii] Shih “Great Salt Lake: Valley Emigration Square”, history.churchofjesuschrist.org.
[xix] Shih Encyclopedia of Mormonism, “Young, Brigham”, f. 1607.
[xx] “Brigham Young”, newsroom.churchofjesuschrist.org.
[xxi] Shih “Brigham Young”, newsroom.churchofjesuschrist.org.
[xxii] Shih Encyclopedia of Mormonism, “Young, Brigham”, f. 1608.
[xxiii] Shih materialin filmik “Ministry of Brigham Young: The Master Builder” [“Shërbesa e Brigam Jangut: Ndërtuesi Mjeshtër”], në dispozicion në churchofjesuschrist.org.
[xxiv] Shih “History of the Tabernacle”, newsroom.churchofjesuschrist.org.
[xxv] Shih “The Salt Lake Tabernacle and Other Historic Civil Engineering Landmarks”, thetabernaclechoir.org.