Romë, Itali

Brezi i ri në Shtëpinë e Zotit

Pjesëmarrja ka qenë e larmishme, duke bërë bashkë të rinj nga qytete dhe mosha të ndryshme, por pa dyshim kjo nuk e ka ndalur frymën e unitetit. 

Të gjithë të rinjtë pjesëmarrës në foto të përbashkët.

Më datë 27 Nëntor, një grup prej 45 të rinj dhe të reja të moshës 18-31 vjec morën pjesë në konferencën e brezit të ri në tempullin e Romës duke kryer ordinanca, jo vetëm për veten, por edhe për familjarët e tyre, të cilët kanë ndërruar jetë. Udhëtimi i tyre përfundoi me sukses më datë 2 Dhjetor 2023. 

Pjesëmarrësit në këtë konferencë u shprehën se 'ky do të mbetet një udhëtim i paharrueshëm' për ta . E reja Geralda Çullhaj nga qyteti i Elbasanit, shprehet se dashuria pa kufij, që ka ndjerë prej Jezu Krishtit, por edhe prej  të rinjve/të rejave, ka qenë bekimi më i madh për të. 'E di se Ai është drita në fundin e tunelit dhe që na pret me krahë hapur, mjafton vetëm që ta ndjekim.'- thotë ajo gjithë ngazëllim. Geralda ka mundur të kryejë shumë pagëzime për të afërmit gjatë kesaj jave në shtepinë e Zotit. 

Motra Geralda Çullhaj (e dyta në të djathtë) me disa të reja pjesëmarrëse në Romë.

Duket se anëtarët janë ndjerë të lumtur në praninë e njëri-tjetrit. 'Fryma kolektive dhe përkushtimi i përbashkët krijuan nje lidhje, që i kapërcen fjalët.'- u shpreh Greta Isa, një prej të rejave nga qyteti i Korçës. 'Mësimet dhe atmosfera brenda tempullit ndezën një kuptim më të thellë të rëndësisë së kryerjes së ordinancave për të ndjerin, të tilla si pagëzimet dhe ordinanca të tjera të shenjta.'- thotë Greta. 

Motra Greta Isa pranë statujës së Krishtit.

Maria Burimi, një tjetër e re nga qyteti i Korçës, shprehet se besimi i saj është rritur edhe më shumë tani që ka mundur të shkojë ne tempull. 'Nga të gjitha gjërat e bukura, ajo që mua më la një mbresë të thellë në shpirt ishte thjesht mendimi dhe pranimi me zemër, që ne po ndihmonim Jezu Krishtin.'- shprehet ajo.

 

Motra Maria Burimi (në të djathtë) së bashku me shokët e saj të kishës.

Përveç pagëzimeve apo ordinancave të ndryshme për njerëzit përtej velit, tre prej të rinjve përkatësisht: Selma Kola, Klaudia Mushi dhe Kristo Bushi kanë mundur të marrin indaumentin e tyre ose ndryshe 'dhurimin', të cilët ata kanë vendosur që të ndajnë një pjesë të shkurtër të asaj përvoje.
'Gjithçka ishte perfekte, me detaje, të cilat nuk m'i kishte kapur ndonjëherë syri, por ndjesia e paqes më bëri të mendoja se kisha një përkatësi në këtë vend. Kuptova se nuk duhet të jesh perfekt per t'u ndjerë i/e pranuar.'- shprehet e lumtur Klaudia, një prej anëtareve nga qyteti i Gjirokastrës. 

 

Të rinj, të cilët sapo kanë marrë indaumentin e tyre. (vëllai Kristo Bushi në të majtë, motra Selma Kola misionare shërbimi në mes, motra Klaudia Mushi në të djathtë)

Motra Kola, një e re nga Fieri, e cila aktualisht shërben në një mision kohëplotë, si një Misionare Shërbimi në Tiranë, shfaqet entuziaste teksa ndan dëshminë e saj: 
'Për mua është dëshmi kaq e fortë se sa i mëshirshëm është Ati për të na lënë vend që ta takojmë dhe të bisedojmë me të, njëlloj sikur  ta kishim përballë. Unë dëshmoj që edhe kur nuk kemi asgjë për të ofruar, por veç zemrën dhe mendjen, pikërisht ato rrethana aq përulëse janë më specifiket. Le të jemi dhurues jo vetëm në tempull, por edhe në familjet tona, shtëpitë tona, miqësitë tona, komunitetet tona. Ungjilli ka të bëjë me të dhuruarin më tepër sesa me të përftuarin.' 

 

Motrat Selma Kola dhe Klaudia Mushi (në të djathtë) me motrat misionare të tempullit.

Për Lume Çermelin, të renë nga Shkodra, nuk ishte hera e parë që shkonte në tempull. Sipas saj paqja, që ndjente, ishte po e njëjtë sikur të kishte qenë hera e parë.  Ajo shtoi më tej: 'Aty ndjeva atë qetësinë dhe paqen, që shpesh herë i mungon jetës sime dhe jam e lumtur që pata mundësinë ta perjetoja përsëri. Më pëlqeu shumë diçka, që u tha për paraardhësit tek qendra e historisë familjare, që në jetën tjetër, kur ne t'i takojmë, ata do të na thonë: Faleminderit për ordinancat, që keni kryer për ne në tempull'.  
Së bashku me të, ishte edhe motra e saj Jona Çermeli, e cila para disa vitesh kishte shërbyer në një mision kohëplotë në Shqipëri. 

 

Motrat Lume (në të majtë) dhe Jona Çermeli së bashku përpara tempullit.

Përgatitjet e anëtarëve kanë qenë padyshim rigoroze, por edhe të zellshme. 'Vendosa që të agjëroja, me qëllim që të shkoja me një shpirt të denjë dhe të penduar në tempull.'- shprehet i riu Xhon Selimaj nga qyteti i Fierit. 

 

Vëllai Xhoni Selimaj pranë statujës së Krishtit.

Pjesëmarrja ka qenë e larmishme, duke bërë bashkë të rinj nga qytete dhe mosha të ndryshme, por pa dyshim kjo nuk e ka ndalur frymën e unitetit. Monika Panajoti, një prej të rejave nga qyteti i Korçës, e përforcon më së miri këtë fjali me anë të dëshmisë së saj: 'Edhe pse jemi të shumtë, si kokrrizat e rërës, edhe pse vijmë nga kultura dhe mendësi të ndryshme, edhe pse mund të kemi dhunti dhe profesione të ndryshme, në Shtëpinë e Atit dhe Jezu Krishtit, ne jemi të gjithë njësoj'. 

 

Motra Monika Panajoti përpara tempullit të Romës.

Të rinjtë patën mundësinë të dëgjojnë biseda dhe këshilla tepër të vlefshme nga President Erald Veliu (Këshilltar i Parë në Presidencën e Kunjit), Enida dhe Emigert Alushaj (çifti drejtues i kësaj konference), si dhe Çifti Toronto. Presidenti Erald Veliu këshillon të rinjtë që të shpenzojnë më shumë kohë duke studiuar Librin e Mormonit sepse në të, gjenden këshilla dhe të vërteta të përjetshme, të cilat e kanë ndihmuar shumë në jetën e tij. Nga ana tjetër, Çifti Toronto shfaqen të gëzuar për pjesëmarrjen e të rinjve në këtë konferencë duke i inkurajuar ata që të ecin në rrugën e ngushtë të besëlidhjeve, të cilat ne krijojmë me Atin tonë Qiellor. 

Eksperienca në tempull nuk mbaroi kur të rinjtë u larguan nga tempulli. Ata vazhduan ditën e dielë duke ndarë deshmitë e tyre me njëri-tjetrin pas udhëtimit, por edhe në lagjet, degët dhe familjet e tyre. Të pajisur me fuqinë e Perëndisë, këta të rinj janë gati të përballen me vështirësitë e jetës derisa të kthehen sërisht në shtëpinë e Zotit.

Duke bërë art crafts.
Duke bërë art crafts.
Të reja duke bërë art crafts.
Të rinjtë në dhomën e vizitorëve.