Artikull i Redaksisë së Lajmeve

Biseda të Eliza R. Snout Publikohen në Internet

at-the-pulpit-eliza-r-snow 2020 Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved.
Eliza R. Snou, presidente e dytë e presidencës së përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës.

Bisedat e plota të Eliza R. Snout, një pionere e shquar dhe udhëheqëse e grave në historinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, po publikohen në internet. Dokumentet po publikohen në një faqe të re interneti “The Discourses of Eliza R. Snow”. Përmbajtja është në dispozicion të publikut pa pagesë. Projekti Church Historian’s Press [Botim i Historianit të Kishës] shenjon herën e parë që predikimet e Snout janë përmbledhur në një publikim të vetëm.

“Eliza R. Snou është midis grave më të mirënjohura shenjtore të ditëve të mëvonshme në shekullin e 19-të”, tha Xheni Ridër, historianja kryesuese e Kishës për këtë projekt.

Bisedat janë mbledhur nga ditarët personalë të Snout dhe më shumë se njëmijë libra procesverbalesh organizative dhe gazeta të asaj kohe, përfshirë Woman’s Exponent, Deseret News dhe Millennial Star. Bisedat – ende goxha aktuale sot – do të publikohen me fashikuj te faqja e internetit gjatë viteve që vijnë. Tani janë në dispozicion pesëdhjetë predikime.

Eliza Roksi Snou u bë presidentja e dytë e përgjithshme e organizatës së Shoqatës së Ndihmës të Kishës më 17 korrik 1880 dhe shërbeu në atë thirrje derisa vdiq në 1887-ën.

Ajo ishte një folëse produktive, që dha afërsisht 1 200 predikime nga 1840-a deri në 1887-ën në Ilinois dhe ngado në territoret e Jutës dhe të Ajdahos.

“Ajo udhëtoi thuajse në çdo vendbanim në territorin e Jutës për t’u mësuar grave, të rejave, fëmijëve, si dhe burrave, të rinjve dhe djemve të vegjël, rreth Rivendosjes, planit të shpëtimit, përgjegjësive të shenjtorëve dhe rolit të grave në ndërtimin e Mbretërisë së Perëndisë”, tha Ridër. “Eliza ishte një dëshmitare vetjake për shumë ngjarje të Rivendosjes.”

Snou ishte një shoqe e afërt dhe njëra nga bashkëshortet e Profetit Jozef Smith. Ajo ishte gjithashtu njëra nga bashkëshortet e Brigam Jangut pas martirizimit të Jozefit.

Snou ishte në një bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën e Ndihmës në Nauvu dhe presidenten e saj të parë, Ema Smith, duke vepruar si sekretare dhe duke mbajtur procesverbale të asaj organizate nga viti 1842 deri në vitin 1843 në Nauvu, Ilinois. Ajo gjithashtu punoi me udhëheqës të Kishës për të organizuar Filloren dhe Shoqatat e Përmirësimit të Ndërsjelltë të të Rejave (tani Të Rejat).

Në vitin 1868, Presidenti i Kishës, Brigam Jang e caktoi Snoun të organizonte Shoqatat vendore të Ndihmës në Perëndimin Amerikan, përfshirë Jutën dhe Ajdahon. Detyra i dha asaj mundësinë të takohej thuajse me të gjitha anëtaret e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, që shpesh e thërrisnin “Motra Eliza”, “Teze Eliza” apo “Motra Snou”. Ajo u mësoi grave të zhvillonin marrëdhënien e vet me Perëndinë, të jetonin sipas standardeve të Ungjillit dhe t’u jepnin shërbesë të tjerëve. Snou, që ishte gjithashtu një poete, tipizoi dhe përshkroi ndihmesat e grave shenjtore të ditëve të mëvonshme në shoqëri.

Në predikimet e saj, ajo solli dëshmi vetjake dhe historike, shpjegoi doktrinën dhe inkurajoi anëtarët të merrnin pjesë aktivisht në kishë.

Snou u lind më 21 janar 1804 në Beket, Masaçusets, nga Oliver dhe Rozeta Petiboun Snou. Ajo ishte e dyta nga shtatë fëmijë. Vëllai i saj më i ri, Lorenco Snou, më vonë u bë presidenti i pestë i Kishës.

Transkriptime me mundësi të plotë kërkimi në këtë faqe e bëjnë të lehtë të gjeni citime apo predikime të veçanta mbi tema që janë aktuale sot. Foto dixhitale të dorëshkrimeve origjinale janë lidhur te predikimet dhe skema të vendndodhjeve të bisedave dhe burimeve të tjera shtesë sigurojnë një kontekst të dobishëm.

Për më shumë informacion, vizitoni churchhistorianpress.org.