Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Besimi, Shpresa dhe Dashuria Hyjnore = Lumturi

Tre këmbët e stolit të lumturisë duhet të jenë virtytet shoqëruese në shkrimet e shenjta, virtyti i besimit, shpresës dhe dashurisë hyjnore

Plaku Matju Benasar, Francë
Plaku Matju Benasar, Francë I Shtatëdhjetë Zonal

Tre këmbët e stolit të lumturisë duhet të jenë virtytet shoqëruese në shkrimet e shenjta, virtyti i besimit, shpresës dhe dashurisë hyjnore. Përse? Ndoshta sepse të gjitha ato përqendrohen te Jezusi, Krishti! Gjithashtu edhe ngaqë “gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë”1. Kur Jezu Krishti është përqendrimi i jetës sonë, pavarësisht se çfarë mund të ndodhë, ka lumturi dhe gëzim!

Bota i sheh këto tre virtyte si jorealiste, të paprekshme dhe të pafuqishme. Zoti i sheh ato si të sigurta, aftësuese dhe të fuqishme. Sigurisht, nuk ka asgjë të pabazë, kalimtare ose jetëshkurtër në lidhje me to:

  • Besimi në shkrimet e shenjta nuk është një bindje pa objektiva dhe e lëkundur që gjërat mund të shkojnë mirë këtë herë. Përkundrazi, është besimi te Zoti Jezu Krisht 2, siguria e paqtë se pavarësisht se në çfarë detesh të rrezikshme mund të lundrojmë, nëse lundrojmë me Të, hiri i Tij do të jetë i mjaftueshëm çdo herë.
  • Po kështu, shpresa tek ungjilli nuk është shpresë si e botës, që përqendrohet në ngjarje të ardhshme të pasigurta e të dëshiruara. Nuk është si ajo dëshira e dëshpëruar tek e cila kapemi kur skuadra jonë e parapëlqyer e sportit ka humbur ndeshjen e fundit dhe mund ta fitojë kampionatin vetëm nëse konkurrenti i tyre i drejtpërdrejtë humbet ndeshjen e radhës! Jo, shpresa tek ungjilli është “shpresë në Krisht3 dhe përqendrohet te premtimet e përjetshme të marra dhe te siguria për vërtetësinë e tyre të ardhshme nëpërmjet Jezu Krishtit.  Prandaj, shpresa tek ungjilli na fton për veprim të vazhdueshëm, të qëllimshëm dhe të efektshëm. Ajo shpresë nuk është të kryqëzosh gishtat për fat kur asnjë veprim nga ana jonë nuk mund të prodhojë rezultatin e dëshiruar por është të kryqëzojmë krahët për t’u lutur dhe të përveshim mëngët për të vepruar. Shpresa te Krisht i bën njerëzit “të sigurt dhe të vendosur, gjithmonë plot me vepra të mira”4.
  • E fundit, dashuria hyjnore nuk është aftësia abstrakte për të përjetuar pranim kozmik për këdo, por është “dashuria”5, madje “dashuria e pastër e Krishtit”6, lloji i dashurisë që Ai ka për këdo. Ajo është dhurata më shndërruese që marrim kur “brendësia [jonë është] plot dashuri hyjnore ndaj gjithë njerëzve”7, ndryshe nga njeriu që tha: “Oh, e dua njerëzimin! Por janë njerëzit ata me të cilët kam probleme … ”.
Besimi, Shpresa dhe Dashuria Hyjnore = Lumturi

Për shkak se këto virtyte janë të gjitha të përqendruara te Krishti dhe të orientuara drejt veprimit, ato nxitin fuqi në jetën tonë. Dashuria është kurorëzimi i të triave dhe shenja e dukshme e dishepullimit tonë.8  Të tria na lidhin me Shpëtimtarin dhe, rrjedhimisht, së bashku si dishepuj e Tij.  Në fund të fundit, ky është lloji i fesë që qe synuar të jetë, [një fe që krijon lidhje].9  Këto virtyte janë po aq të ndërlidhura sa fara, lulja dhe fryti i së njëjtës bimë, duke përfaqësuar faza të ndryshme të rritjes dhe fuqinë për të bekuar.

Nga ana tjetër, kundërshtari do të na detyronte që të uleshim në stolin e tij të mjerimit, këmbët e të cilit janë dyshimi, dëshpërimi dhe përbuzja.10  Dyshimi mjegullon dritën, dëshpërimi i ngrys horizontet dhe përbuzja sjell izolim dhe vetmi.

Ndërsa lundrojmë nëpër kohët e trazuara të botës, le ta zgjedhim me kujdes stolin mbi të cilin do të ulemi! Pasiguria e sotme mund të jetë mënyra e Zotit për të na ftuar që t’i gjunjëzohemi Atij, të ushtrojmë besim tek Ai, ta lejojmë Atë të na e ndriçojë shpresën dhe të kërkojmë prej Tij përmbushjen tonë vetjake ndërsa marrim dhuratën e dashurisë hyjnore për të gjithë. Më pas, ndërsa bëhemi më mirëbesues, më pak të paqëndrueshëm, më të prirur për të vepruar, më dashamirës, më të duruar, më të dhembshur, më pak gjykues dhe më mirëkuptues, ne me siguri do ta dimë se çfarë është lumturia.


1 Rasëll M. Nelson, Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore, nëntor 2016

2 Neni i 4-rt i besimit

3 Jakob [LiM] 2:19

4 Ethëri 12:4

5 2 Nefi 26:30

6 Moroni 7:47

7 DeB 121:45

8 “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin”, Gjoni 13:35

9  Nga latinishtja religare do të thotë të bashkohesh, të lidhesh, me Perëndinë dhe njëri-tjetrin

10 Russell M. Nelson, A More Excellent Hope, janar 1995