Besim në Zemër të Europës: Fillon Ndërtimi për Tempullin e Brukselit në Belgjikë

Një ndjenjë nderimi dhe gëzimi mbushi bulevardin Avenue des Arts, fare pranë pallatit mbretëror të Brukselit, ndërsa personalitete, përfaqësues të mediave, anëtarë vendorë dhe udhëheqës të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, u mblodhën për ceremoninë e fillimit të punimeve për Tempullin e Brukselit, në Belgjikë, Shtëpia e parë e Zotit e ndërtuar nga Kisha në këtë vend.

Plaku Xhek N. Xherard, Këshilltar i Parë në Zonën e Europës Qendrore të Kishës, e kryesoi ceremoninë. Ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Motra Klodetë Xherardi. Ngjarja e veçantë u drejtua nga Stefan Von Haisëlli. Në lutjen përkushtuese të vendndodhjes, Plaku Xherard përmendi këtë: “Brukseli është një qytet ku shumë prej fëmijëve të Tu, nga vende të ndryshme, mblidhen së bashku në unitet për të gjetur paqe, begati dhe mirëkuptim në këtë botë”.

Plaku Xherard vazhdoi: “Sot, Atë, ne e përkushtojmë këtë vendndodhje për një qëllim më të lartë. Ne të kërkojmë Ty ta bekosh atë si një vend ku fëmijët e Tu, pavarësisht kulturës apo gjuhës së tyre, të gjejnë unitet tek Ti, nëpërmjet ordinancave të shenjta të tempullit. Bekoje atë si një vend për qëllime më të larta, bazuar në identitetin tonë hyjnor si fëmijët e Tu shpirtërorë.”

Ndryshe nga vendndodhjet tradicionale të tempujve të rrethuara nga terrene të hapura, kjo ndërtesë e shenjtë do të ndërtohet brenda një strukture ekzistuese shumëkatëshe – tempulli i parë i këtij lloji në Europë. Projekti do të përfshijë një tempull me sipërfaqe prej 2300 metrash katrorë, një shtëpi mbledhjesh ku do të kryhen shërbesat e adhurimit të së dielës, si dhe ambientet për të mirëpritur ata që vijnë për ta vizituar tempullin dhe për të adhuruar në të.

Ceremonia u transmetua në pesë gjuhë, duke lejuar që anëtarët në mbarë Belgjikën dhe vendet fqinje të merrnin pjesë në mënyrë virtuale. Puna e ndërtimit është planifikuar të nisë në fillim të vitit 2026.

Një Vend Paqeje dhe Qëllimi

Për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme tempujt janë më shumë se vende adhurimi, ata konsiderohen shtëpi të Zotit, vende të veçuara ku ndjekësit e Jezu Krishtit t’i afrohen më shumë Atij. Në këto hapësira të shenjta, individët dhe familjet mësojnë rreth planit të Perëndisë për fëmijët e Tij, bëjnë premtime për të jetuar jetë të ngjashme me të Krishtit dhe kryejnë ordinanca të shenjta që i bashkojnë familjet për në përjetësi.

Tempujt ndryshojnë nga shtëpitë e rregullta të mbledhjeve ose godinat kishtare, të cilat janë të hapura për publikun çdo të diel për shërbesa adhurimi, aktivitete shërbimi dhe ngjarje komunitare. Tempujt, nga ana tjetër, rezervohen për ceremoni të veçanta fetare, të përqendruara te forcimi i besimit te Jezu Krishti dhe thellimi i të kuptuarit shpirtëror.

Paraqitja e Shtëpisë së Zotit në Belgjikë përpara trupit diplomatik

Rëndësia e ndërtimit të një Shtëpie të Zotit në Bruksel u parashtrua gjithashtu në një ngjarje të veçantë, që u mbajt në fillim të javës. Qëllimi i tempullit iu paraqit disa përfaqësuesve të trupit diplomatik në Bruksel, si dhe udhëheqësve civilë e të ftuarve të tjerë. Pjesë e ngjarjes ishte po ashtu edhe një ekspozitë që shpjegon rolin e tempujve dhe mënyrën se si familjet mund të bashkohen përgjithmonë.

Një Moment Historik për Belgjikën

Njoftimi për Tempullin e Brukselit në Belgjikë u bë për herë të parë në prill 2021, nga Presidenti Rasëll M. Nelson, udhëheqës mbarëbotëror i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. “Tempujt janë një pjesë jetësore e Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit në plotësinë e tij”, – tha Presidenti Nelson. “Ordinancat e tempullit e mbushin jetën tonë me fuqi[në] dhe forcë[n] [e Perëndisë], që nuk janë në dispozicion në asnjë mënyrë tjetër. Ne e falënderojmë Perëndinë për ato bekime.”

Prania e Kishës në Belgjikë daton qysh në vitet 1880, kur misionarët e hershëm paraqitën besimin fetar në rajon. Sot, gati 7000 anëtarë adhurojnë në 12 bashkësi, në mbarë vendin. Tempulli i Brukselit do t’u shërbejë jo vetëm anëtarëve vendorë, por edhe besimtarëve nga kombet e afërta që dëshirojnë ta frekuentojnë.

Kur të përfundojë, Tempulli i Brukselit në Belgjikë do të bëhet njëri ndër më shumë se 360 tempujt në mbarë botën, duke iu bashkuar një rrjeti në rritje të ndërtesave të shenjta që drejtojnë miliona njerëz te Jezu Krishti.