Autoritetet e Kishës vizitojnë krahinën e Eifelit pas përmbytjes

Pas përmbytjeve të shumta në pjesë të Gjermanisë, Belgjikës dhe Hollandës, Luksemburgut dhe Zvicrës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve te Mëvonshme vazhdon të jetë e përfshirë aktivisht në përpjekjet për ndihmë, nëpërmjet bashkësive vendore, organizatave ndihmëse dhe autoriteteve qeveritare.

Dëmi në krahinën e Eifelit pas përmbytjes.
Dëmi në krahinën e Eifelit pas përmbytjes.

Në gusht, disa udhëheqës të Kishës morën pjesë në shërbesën e së dielës të një bashkësie vendore në krahinën e Eifelit në Gjermani për t’i falënderuar udhëheqësit dhe anëtarët vendorë për përpjekjet e tyre të palodhura në komunitetin e tyre. Mes vizitorëve ishin Plaku Erik W. Kopishke nga Presidenca e Zonës së Europës, së bashku me bashkëshorten e tij Kristiane si dhe Kristian Otikeri, Përgjegjësi i Mirëqenies dhe Mbështetjes te Vetja për Kishën në Europë. Kishte gjithashtu mbi 40 misionarë të pranishëm, të cilët dolën vullnetarë në qytetet rrethuese gjatë javës. Në fillim të gushtit, misionarët nga Misioni i Frankfurtit në Gjermani së bashku me anëtarët vendorë kanë dhënë mbi 10 000 orë shërbimi.

“Ne po i japim çdo misionari në misionin tonë mundësi për ardhur në këtë krahinë dhe për t’u shërbyer njerëzve”, tha Presidenti Hamon, Presidenti i Misionit të Frankfurtit në Gjermani, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij Debi mori pjesë gjithashtu në shërbesën e së dielës. “Misionarët tanë na thonë se java e tyre e shërbimit ka qenë përvoja më shpërblyese dhe përulëse që kanë pasur në misionin e tyre”, vazhdon ai.

Plaku dhe Motra Kopishke së bashku me misionarët dhe anëtarët pas shërbesës të së dielës në degën e Eifelit
Plaku dhe Motra Kopishke së bashku me misionarët dhe anëtarët pas shërbesës të së dielës në degën e Eifelit

Kristian Otikerit iu kërkua të shpjegonte se si përgjigjet Kisha në kohë krizash. “Së pari, Zyrat Qendrore të Kishës së bashku me udhëheqësit vendorë të kishës në zonën e prekur vlerësojnë se çfarë nevojitet dhe se si duhet të organizohen gjërat”, tha Otikeri. “Kur ndodh një krizë, kisha nuk themelon një fond të veçantë, kushtuar një krize të veçantë, por përdor Fondin Humanitar tashmë të themeluar, i cili është gjithmonë në dispozicion”, vazhdon ai.  “Në këtë mënyrë, Kisha mund të ndihmojë shpejt në kohë nevoje dhe është gjithmonë e përgatitur”, tha Otikeri.

Në udhëtimet e tij të fundit, Otikeri ka dëshmuar vullnetarë të shumtë dhe vepra të panumërta mirësie në mbështetje të viktimave të përmbytjes. Kur përsiaste pyetjen se çfarë mund të bënte Kisha në këto kohë sfiduese, ai thoshte në mendjen e tij: “Ti je Kisha! Të gjithë mund të ndihmojnë nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta.”

Duke iu referuar përpjekjeve të fundit rreth krizës, Plaku Kopishke i bëri bashkësisë tri pyetje: “Çfarë patë? Çfarë ndiet? Çfarë do të ndryshoni në jetën tuaj pas përvojave tuaja?”

Plaku Leo Lauener, një misionar i ri nga Zvicra, kujtoi një ngjarje, kur karta e tij e kreditit nuk po punonte gjatë kohës që ai po blinte ushqime. Një grua në radhë pas tij e njohu atë si një nga vullnetarët ndihmës dhe tha: “Do të paguaj unë me kënaqëi për ndihmësit e mrekullueshëm!” Ajo pagoi për të gjitha blerjet e misionarit.

Një misionare tjetër, Motra Ana Hjugs nga Juta në Shtetet e Bashkuara, tha: “Shërbimi në zonat e ndikuara nga përmbytja ishte një përvojë tejet e mrekullueshme sepse më ndihmoi të përqendrohem te doktrinat më të pastra dhe të rëndësishme të Ungjillit të Jezu Krishtit, që janë të duam Perëndinë dhe ta duam fqinjin tonë”.

Plaku Kopishke vuri në dukje se të gjitha këto veprime të mrekullueshme, vepra shërbimi dhe dashurie janë mes cilësive më të mira të njerëzimit. “Do të ishte vërtetë e mrekullueshme, nëse kjo sjellje e përkujdesur dhe e dashur do të ndihej dhe të bëhej jo vetëm në raste të jashtëzakonshme por të bëhej standardi në jetën tonë të përditshme!” Ai shtoi: “Zoti do ta quante këtë një kulturë të Sionit”.

Kristian Otikeri sugjeroi se të gjithë mund të vlerësojnë atë që ata mund të bëjnë në rrethanat e tyre dhe me burimet që kanë në dispozicion. Shërbimi mund të jetë të japësh vullnetarisht pak kohë ose të ndihmosh fqinjët dhe miqtë në nevojë. Dikush mund edhe të dhurojë te Fondi Humanitar i Kishës. Plaku Kopishke shtoi se lekët që dhurohen në atë fond mund të jenë në dispozicion shpejtë në kohë krizash. “Me këtë fond, ne jemi në gjendje të sigurojmë menjëherë ndihmë fillestare, kurdoherë që është e nevojshme në Europë”, tha ai. “Sot, kjo ishte për viktimat e përmbytjes në Gjermani dhe nesër, ndoshta për viktima të tjera të zjarreve pyjore në Itali, Greqi apo Turqi”, vazhdoi ai.

Plaku dhe Motra Kopishke para shërbesës të së dielës në degën e Eifelit
Plaku dhe Motra Kopishke para shërbesës të së dielës në degën e Eifelit

Si shumë vullnetarë të tjerë në zonë, Plaku Kopishke planifikoi të bënte një ditë shërbimi në zonën përreth Bad Aruajlerit, së bashku me bashkëshorten, familjen dhe misionarët e tij për të ndihmuar viktimat e përmbytjes.

“Ne shpresojmë që përkrahja dhe dashuria të vazhdojnë t’u jepen njerëzve në nevojë”, tha ai. “Jo vetëm në kohë krize por edhe në javët dhe muajt që pasojnë, sepse është ende e nevojshme edhe atëherë”. Ai e përfundoi: “Shpresoj që të përsiatim mbi jetën tonë dhe sa e brishtë është ajo. Pasi jemi bekuar me diçka, është e rëndësishme që të kemi dhembshuri për të tjerët! Për ta thënë me fjalët e profetit: “Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote.” (Isaia 58:8)