Një koncert i veçantë për festat, “Dëshmitarët e Krishtlindjes: Këngë për Lindjen e Krishtit”, që kremton lindjen e Shpëtimtarit Jezu Krisht është prodhuar nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Europë. Koncerti përfshin një koleksion këngësh tradicionale për Krishtlindje, të kënduara bukur në stile të ndryshme të disa vendeve europiane. Muzika e çon njeriun në një rrugëtim që nxjerr në pah pasurinë kulturore e unitetin dhe kremton lindjen e Shpëtimtarit, Jezu Krishtit.

Muzika për koncertin u përshtat nga Kërt Bestori i propozuar për çmimin Grammy dhe Xheni Ouks Bejkëri si bashkërenduese për muzikën. Koncerti u regjistrua në qendrën historike “Wiesbaden Kurhaus”, me tregimtare francezen vendëse Ofeli Munje.

Këngët e interpretuara për Krishtlindje u përzgjodhën nga vende të ndryshme dhe u kënduan nga artistë europianë, të cilët janë anëtarë të Kishës. Interpretuesi ukrainas Serhi Borishenko tha: “Për mua dhe bashkëshorten time, ditët e regjistrimit të koncertit ishin sikur të ishim arratisur nga kjo botë e ngarkuar dhe të ishim zhytur në botën e Lindjes së Jezu Krishtit”.

Naura, një interpretuese nga Spanja tha: “Nëpërmjet muzikës, kam qenë në gjendje të ndiej dashurinë e madhe që Ati ynë Qiellor ka për të gjithë fëmijët e Tij, duke bashkuar kaq shumë interpretues nga vende të ndryshme me gjuhë të ndryshme, në të njëjtin vend dhe me të njëjtën ndjesi. Ky koncert ka qenë një mundësi e mrekullueshme për ta shpërndarë ungjillin me të gjithë botën dhe për të treguar se Perëndia është gati që t’i bekojë fëmijët e Tij kudo që janë.”

Plaku De Feo, President i Zonës së Europës Qendrore, bëri ftesën në vijim: “Ne ju ftojmë ju, familjen dhe miqtë tuaj të bashkohemi me shoqërim e gëzim dhe ta ‘ndriço[jmë] botën’ ndërsa e ngremë zërin në lavde dhe mirënjohje për dhuratën e jashtëzakonshme që përfaqëson lindja e Jezu Krishtit”.

Koncerti tani është në dispozicion në faqen zyrtare të Kishës dhe në YouTube.