Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po vazhdon projekte humanitare dhe ndihme në një kohë të një nevoje të madhe në Europë. Përveç këtyre, burime të reja në internet u vunë në funksionim që të bashkërendojnë përpjekjet dhe të ndihmohen individët e shpërngulur.
Këto nisma përfshijnë sa vijon:
- Më shumë se 100 anëtarë dhe miq të bashkësive të Madridit qendror, lindor dhe perëndimor dolën vullnetarë për t’i ndihmuar refugjatët që u shpërngulën kohët e fundit në zonën e Madridit. Ata mblodhën ushqime që nuk prishen, pallto, artikuj për foshnjat dhe produkte për pastrim. Siguruesit e shërbimeve të Kishës gjithashtu krijuan etiketa për të përcaktuar paketat e përkujdesjes në gjuhët spanjisht dhe ukrainisht. U përgatitën dhe u shpërndanë pothuajse 400 paketa.

- Në Moldavi, anëtarët e Kishës po i presin refugjatët në kufirin me Ukrainën dhe po i ndihmojnë me ushqime, strehim dhe gjëra të tjera të nevojshme. Shumica e refugjatëve i lanë pas shtëpitë, gjërat materiale dhe nganjëherë pjesëtarë të tjerë të familjes për të kërkuar strehim. Edhe gjeste të vogla, të tilla si një kafshë pelushi ose një batanije, mund të sjellin një ndryshim të madh për ta.

- Ndërkohë në Sllovaki, anëtarët e Kishës i kanë hapur zemrat dhe shtëpitë për të ndihmuar miqtë nga Kievi, duke siguruar banim për 13 të rritur përfshirë fëmijë në moshën 18-muajshe.

- Në Rumani, anëtarët e Kishës kanë mbledhur ushqime dhe furnizime, përfshirë veshje, pelena dhe ushqime për foshnjat për t’ua shpërndarë refugjatëve që po kalojnë kufirin nga Ukraina. Refugjatët e kalojnë kufirin gjatë gjithë ditës, disa me makina dhe disa në këmbë. “Pamjet ta lëndojnë zemrën”, - tha udhëheqësja e shërbimit të grave të Kishës, Karmen Parnau. “Kam parë shumë nëna me fëmijë të vegjël që po hasnin vështirësi për shkak të motit të ftohtë dhe lodhjes së stërmundimshme.” Gratë vendore gjithashtu kanë organizuar grupe veprimtarish në të cilat anëtaret e Kishës bënë batanije për refugjatët. Përveç këtyre, Latter-day Saints Charities, organizata bamirëse e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ka furnizuar me 100 krevate portativë dhe 100 thasë gjumi për kampet e refugjatëve.

- Mes personave të shpërngulur që po hyjnë në Poloni, janë disa anëtarë ukrainas të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Anëtarët polakë të Kishës, si përgjigje, i kanë hapur shtëpitë e tyre, kanë bërë vend në tryezat e tyre dhe kanë ndarë dollapët e tyre. Stejsi Çendlër, një udhëheqëse e grave për Kishën në Poloni, parashikon se “kjo do ta ndryshojë paraqitjen e Kishës në Poloni përgjithmonë”. Ajo shton: “Anëtarët refugjatë ia dolën të vinin deri këtu, të ndaleshin për një pushim dhe të merrnin pjesë në shërbesat e Kishës”.

- Anëtarët e Kishës nga e gjithë Europa po dërgojnë veshje, batanije, ushqime dhe ujë me makina dhe mikrobusë për në shtëpitë e mbledhjeve të Kishës në Poloni. Bindjet e tyre të njëllojta fetare dhe përvojat e përbashkëta fetare dhe kulturore i nxitin anëtarët polakë të ndiejnë përgjegjësi të thellë për t’u kujdesur për vëllezërit dhe motrat e tyre të shpërngulura.

Kisha krijoi një faqe informacioni në internet me lajme, hallka lidhëse, informacion kontakti dhe orientime aktuale lidhur me mënyrën se si të ndihmohen njerëzit emocionalisht në kohë krize: https://uk.churchofjesuschrist.org/ukraine-europe-area-emergency-response?lang=eng-gb

- Gjithashtu u vu në funksionim një faqe e sapokrijuar në Facebook që t’i ndihmojë njerëzit nëpërmjet mjeteve shoqërore të komunikimit. Vullnetarët me aftësi të ndryshme gjuhësore ndihmojnë ata që kërkojnë ndihmë ose informacion. Një nga këto vullnetare është një mësuese anglishteje nga Ukraina që sapo ka mbërritur në Gjermani me fëmijën dhe vjehrrën e saj.
Anëtarët e Kishës në Europë dhe anembanë botës që dëshirojnë të ndihmojnë, i ftojmë ta bëjnë këtë gjë nëpërmjet bashkësive të tyre përkatëse, të dhurojnë në fondin e Kishës për ndihmën humanitare ose të ofertave të agjërimit, apo të bashkëpunojnë me organizata të krijuara ndihme. Anëtarët e Kishës ndihen të frymëzuar për ta ndjekur shembullin e Jezu Krishtit që të kujdesen për të varfrit dhe nevojtarët.