Frankfurt-mbi-Majn

Ana Maria Boni Hernandezi thirret për të përfaqësuar Kishën në Kombet e Bashkuara.

Motra Ana Maria Boni Hernandezi është thirrur kohët e fundit si përfaqësuesja e re e Kishës në Komitetin e OJQ‑ve për Statusin e Grave në Gjenevë, Zvicër. Ana Boni, e cila ka lindur në Spanjë, është anëtarja e parë europiane e Kishës që e mban këtë detyrë, dhe do të zëvendësojë Motrën Karol Mek‑Konki, e cila shërbeu në atë pozicion për shumë vite. Motra Ana Boni do të fillojë të punojë menjëherë në këtë përgjegjësi të re.

Ana Maria Bonny Hernandez
Ana Maria Boni Hernandezi është përfaqësuesja e re e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Komitetin e OJQ-ve për Statusin e Grave në Gjenevë.

Motra Mek‑Konki, e cila tani do të lirohet, tha se “në shërbimin si përfaqësuese e Latter-day Saint Charities [Organizatës Bamirëse SHDM], si zëvendëspresidente e Komitetit të OJQ‑ve për Statusin e Grave në Gjenevë, gjeta gëzim në shoqërimin e ëmbël të grave mbresëlënëse të cilat përfaqësojnë një larmi organizatash joqeveritare dhe të cilat janë përkrahëse për mirëqenien fizike, shoqërore, emocionale dhe shpirtërore si dhe përparimin e grave dhe vajzave”.

Grupi i Komitetit për Statusin e Grave nxit barazinë gjinore dhe fuqizimin e mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave anembanë globit. Komiteti i OJQ‑ve për Statusin e Grave në Gjenevë, përfshin përfaqësues nga 40 organizata joqeveritare (OJQ) të akredituara nga Kombet e Bashkuara, të cilat kanë status konsultativ me Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara. Kisha është njëra prej atyre organizatave, nëpërmjet Latter-day Saints Charities [Organizatës Bamirëse SHDM].

Ana Boni lindi në Madrid të Spanjës. Prindërit e saj ishin pionierë të Kishës atje, pasi u bashkuan me të në vitin 1976. Nëna e saj iu mësoi si Anës edhe motrës së saj Silviës, që gjithmonë t’i shërbenin Zotit pavarësisht të gjitha vështirësive të jetës. “Ne u bekuam tej mase për shkak se e kishim ungjillin e Jezu Krishtit që në një moshë e hershme”, kujton ajo. Familja u shpërngul në Gjenevë të Zvicrës në verën e vitit 1982.

The Bonny Hernandez family
Familja Boni Hernandez, në një fotografi të shkrepur në vitin 2021. Nga e majta në të djathtë Beatris Boni, Ana Boni, Martin Boni, Adam Boni, Morgan Boni-Pauelli, David Boni.

Ana Boni u martua në vitin 1997 me bashkëshortin e saj Martin Bonin, i cili është nga Buenos‑Ajresi në Argjentinë. Ata kanë katër fëmijë – tre djem dhe një vajzë. Djali i tyre Luisi nuk jeton më. Duke përsiatur për faktin se ç’kuptim kishte ajo gjë për të dhe familjen e saj, ajo thotë: “Ishte një përvojë tepër e veçantë që na lejoi të ndienim një dashuri të thellë nga Ati ynë Qiellor, të mësonim dhe ndienim se si u hollua veli që e ndan këtë sferë të vdekshme nga qielli, duke na lënë emocione të paharrueshme për gjithë përjetësinë”. Djali i tyre më i madh, Adami, është i martuar dhe dy fëmijët e tjerë Beatrisi dhe Davidi, vazhdojnë të jetojnë në shtëpi me ta.

Detyra e veçantë erdhi plotësisht si e papritur për familjen. “Jam shumë mirënjohëse që e ndiej dashurinë e Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit dhe që jam në gjendje t’i shërbej Atij, me gjithë zemrën dhe dëshirën time”, reflekton ajo. Ajo ndien se jeta e saj e ka përgatitur atë që ta kuptojë më mirë përgjegjësinë e re. “Roli im si grua dhe nënë ka qenë, është dhe do të jetë gjithnjë ai rol që do të më mësojë më së shumti për dashurinë e përsosur dhe të thellë që Ati Qiellor ka për secilin prej fëmijëve të tij”, përfundon ajo.

Ana Maria Bonny Hernandez with her husband Martin Bonny.
Ana Maria Boni Hernandezi me bashkëshortin e saj Martin Bonin.

Rajan Koh, i cili udhëheq angazhimin në Kombet e Bashkuara në emër të Kishës, shpjegon rëndësinë e punës në të cilën do të përfshihet Motra Ana Boni. “Si organizata globale, Kombet e Bashkuara dhe Kisha përfitojnë nga pasja e një morie zërash nga mbarë bota. Motra Ana Boni ka ndërthurjen e përkryer të besimit, njohurisë së ungjillit dhe përfshirjes në komunitet për të bërë lidhje dhe krijuar një rrjet në emër të Kishës si dhe për të lartësuar rolin e grave dhe vajzave në mbarë botën.”

Duke reflektuar mbi përgjegjësinë që ka tani, Motra Ana Boni pohon se kërkimi për vlerën hyjnore të secilës qenieje njerëzore në këtë tokë dhe veçanërisht të bijave të Tij të veçanta, është një aventurë e jashtëzakonshme dhe e thellë shpirtërore. “Dëshira ime është që të jem në gjendje të përkrah të gjitha gratë në këtë botë dhe të jap ndihmesë me gjithë dashurinë time për mirëqenien e secilës prej tyre.”