Ndërsa Presidenti Rasëll M. Nelson i afrohet ditëlindjes së tij të 100të (9 shtator 2024), ai po thekson një vend në shkrimin e shenjtë ku Jezu Krishti e përdor numrin 100 për të dhënë një mësim rreth shërbimit dhe dashurisë.
Në shëmbëlltyrën e deles së humbur (Mateu 18 dhe Lluka 15), Jezusi jep mësim se ne duhet t’ua zgjatim dorën e ndihmës njerëzve të tjerë në nevojë, ashtu siç do të bënte një bari i kujdesshëm për delet e tij – edhe për një dele të vetme të humbur nga një tufë prej 100 të tillash. Duke e theksuar këtë shembull, Presidenti Nelson sugjeroi se një mënyrë se si njerëzit mund të ndihmojnë në kremtimin e ditëlindjes së tij të 100të do të ishte që t’ia zgjatnin dorën e ndihmës “atij individi” që është në nevojë.
Në një mesazh të afishuar në kanalet e mediave shoqërore 100 ditë përpara 9 shtatorit, ditëlindjes së tij, Presidenti Nelson tha:
“Një ofertë shpirtërore që do ta ndriçonte jetën time është që secili prej nesh t’ia zgjatë dorën e ndihmës ‘atij individi’ në jetën tonë, i cili mund të ndihet i humbur ose i vetëm. Gjatë muajve të ardhshëm ju ftoj të merrni në shqyrtim plot lutje këto pyetje: Kë njihni që mund të jetë i shkurajuar? Me kë mund t’ju duhet të pajtoheni ose t’i kërkoni falje? A keni pasur një emër në mendje kohët e fundit, edhe pse nuk e keni marrë vesh saktësisht arsyen? Ndërsa ia parashtroni këto pyetje Zotit, Ai do t’ju frymëzojë të dini se si mund t’ia zgjatni dorën e ndihmës një njeriu që ka nevojë për ndihmë dhe ta lartësoni atë moralisht.”
Duke ndjekur shembullin e Shpëtimtarit, vazhdoi Presidenti Nelson, ne mund ta “përhapim dashurinë e Jezu Krishtit në mbarë botën”.
Shihni afishimin e profetit në platformën Facebook.