Ngjarje e Drejtpërdrejtë përmes Internetit dhe në Solt‑Lejk‑Siti më 29 Shkurt 2024 – 2 Mars 2024

Konferenca RootsTech dhe Dita e Zbulimit të Familjes

Rootstech 2024

“Kujtoni” është tema e konferencës RootsTech për vitin 2024, një konferencë treditore globale përmes internetit për kremtimin e familjes që zë fill në Solt‑Lejk‑Siti, Jutë, nga data 29 shkurt deri më 2 mars.

Konferenca RootsTech, që zhvillohet çdo vit nga organizata FamilySearch International dhe përkrahet nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, është ngjarja më e madhe për historinë familjare në botë. Ajo përfshin një ngjarje me prani fizike në Qendrën e Kongreseve Solt‑Palis në Solt‑Lejk‑Siti për të plotësuar përvojën e vet virtuale.

Miliona frekuentues nëpërmjet internetit dhe me prani fizike pritet të marrin pjesë për fjalime frymëzuese nga folës kryesorë, orë mësimore udhëzuese, teknologji që përbëjnë risi, dhe aftësinë për t’i ndihmuar ata të kujtojnë dhe kremtojnë familjen, jetën, aventurat dhe kujtimet e tyre.

“Është një sjellje njerëzore e natyrshme që të kujtojmë përvojat kryesore në jetën tonë dhe ata njerëz që kanë pasur një ndikim” – tha Xhen Alleni, drejtoresha e ngjarjeve në FamilySearch. “Konferenca RootsTech 2024 do të na ndihmojë të kujtojmë njerëzit dhe përvojat, por edhe do të na ndihmojë të marrim në shqyrtim mënyrën se si do të donim të na kujtonin në të ardhmen.”

Ian‑Fridrih Haxiku, një anëtar që jeton në Gjermani, tha: “Tre vjet më parë ishte hera e parë që ndoqa një konferencë RootsTech përmes internetit. Ishte aq e lehtë të lidhesha nga shtëpia dhe e pabesueshme të shihja qindra njerëz të dhënë pas historisë familjare të bashkoheshin për të mësuar, qeshur dhe për të bërë shoqëri. Të shihja një skenë të madhe ku paraqiteshin teknologji bashkëkohore dhe njerëz të famshëm që flisnin për historitë e tyre familjare, ishte fantastike. Ajo vërtet është, sikurse tha Presidenti Nelson, një forcë paqeje dhe dashurie. Nuk kam humbur asnjë konferencë Rootstech që nga ajo kohë.”

Dita e Zbulimit të Familjes

Dita e Zbulimit të Familjes është një ngjarje njëditore e hartuar posaçërisht për shenjtorët e ditëve të mëvonshme ditën e fundit të konferencës RootsTech, më datë 2 mars, nga ora 9:00 deri në orën 15:00 (sipas orës standarde në zonën e shtatë orare). Ajo përfshin një material filmik që nuk është parë kurrë më parë, të Presidentit të ndjerë M. Rasëll Ballard, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i cili qe filmuar para vdekjes së tij. Në materialin filmik, Presidenti Ballard ritregon martesën dhe çastet e tij të zbulimit të familjes. Mund ta shihni materialin filmik përmes internetit në RootsTech.org, FamilySearch në YouTube, Gospel Stream, Broadcasts.ChurchofJesusChrist.org dhe Gospel Library në orën 20:30 (GMT) dhe 21:30 (CET).

Mundësitë e Gjuhës dhe Shikimit

Përmbajtja e konferencës RootsTech dhe e Ditës së Zbulimit të Familjes do të jetë në dispozicion në anglisht, spanjisht, portugalisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, japonisht, koreanisht, kantonezisht, mandarinisht, kamboxhianisht, holandisht, fixhianisht, hungarisht, indonezisht, mongolisht, norvegjisht, samoanisht, tajlandisht, tonganisht, vietnamisht dhe tagalogisht. Dita e Zbulimit të Familjes do të jetë në dispozicion edhe në rusisht.

Krahas faqes RootsTech.org, mund t’i shihni transmetimet e seancave te kanali i frymëzimit të Kishës në YouTube dhe në programin Gospel Stream në anglisht, spanjisht, portugalisht dhe frëngjisht (shkarkojeni programin në Apple Mobile, Apple TV, Google Play, Google TV, Roku dhe Amazon Fire Devices).

Si të Regjistroheni

Regjistrimi për tri ditët e plota në RootsTech është ende i hapur në RootsTech.org. Orari i orëve mësimore është gjithashtu në dispozicion përmes internetit.

Ngjarja falas përmes internetit përfshin:

  • Mbi 200 seanca orësh mësimore dhe orë mësimore sipas kërkesës, në më shumë se 20 gjuhë
  • Paraqitje dhe folës kryesorë në skenë
  • Ndihmë përmes veçorisë së bashkëbisedimit dhe konsulta kërkimore përmes internetit
  • Lidhje me kushërinjtë duke përdorur mundësinë Relatives at RootsTech [Të Afërmit në RootsTech] dhe dërgimin e mesazheve
  • Sallën e ekspozitës nëpërmjet internetit

Folësit Kryesorë

Folësit kryesorë përfshijnë aktorin e komedisë Henri Ço; Lin M. Xheksonin, një pasardhëse e Dred dhe Heriet Skotit dhe Nensi Borouikun, një fotografe e mirënjohur në të gjithë botën si ambasadore e kompanisë Sony.

Për më shumë informacion rreth konferencës RootsTech 2024, përfshirë folësit kryesorë, vizitoni faqen RootsTech.org.