Solt‑Lejk‑Siti, Jutë

Presidenti M. Rasëll Ballard Vdes në Moshën 95‑Vjeçare

Profeti e lavdëron atë si një burrë të kthimit në besim, zotimit dhe përkushtimit

Presidenti M. Rasëll Ballard, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në vitin 2018.
Presidenti M. Rasëll Ballard, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në vitin 2018.

Jemi të trishtuar që të njoftojmë se ka vdekur Presidenti M. Rasëll Ballard, President Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Pas një qëndrimi të shkurtër në spital, kohët e fundit, ai u kthye në shtëpinë e tij ku ai kreu detyra aq sa ishte në gjendje përpara se të ndërronte jetë rreth orës 23:15, më 12 nëntor 2023, i rrethuar nga njerëzit e tij të dashur. Ai ishte 95 vjeç.

Presidenti Ballard u bë Apostull më 6 tetor 1985. Ai u njoftua si Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve më 16 janar 2018. Ashtu si me Apostujt në kohët e Dhiatës së Re, Apostujt e sotëm thirren për të qenë dëshmitarë të veçantë të Jezu Krishtit. Presidenti Ballard ishte njëri prej 15 burrave që mbikëqyrin rritjen dhe zhvillimin e Kishës botërore, e cila tani numëron më shumë se 17 milionë anëtarë.

“Presidenti Ballard nuk ishte kurrë i pavendosur,” – tha Presidenti Rasëll M. Nelson. “Ai e dinte me saktësi atë që Zoti dha mësim dhe se si ajo mund të zbatohej në jetën vetjake të çdokujt dhe të sillte gëzim e lumturi.”

“Ne punuam së bashku ngushtësisht dhe gjithmonë më pëlqente shumë sjellja e tij e ngrohtë” – tha Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, i cili u ul pranë Presidentit Ballard në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve për më shumë se tri dekada. “Ai ishte një burrë për t’u pasur mirëbesim. Dhe ai ishte një burrë që kishte mirëbesim te njerëzit.”

Presidenti Ballard ka lënë pas shtatë fëmijët e tij, 43 nipër e mbesa, 105 stërnipër e stërmbesa.

Hollësitë e ceremonisë së varrimit janë në proces.

Mësimi i një Etike Pune që Herët në Jetë

Melvin Rasëll Ballardi u lindi Melvin R. dhe Xheraldinë Smith Ballardit në Solt‑Lejk‑Siti të Jutës më 8 tetor 1928. Ai e mësoi etikën e tij të punës herët në jetë, në një firmë për tregtim makinash. Babai i tij krijoi Kompaninë “Ballard” për Makinat dhe Rasëlli i vogël, i vetmi djalë në një familje me katër fëmijë, punoi në çdo sektor tek kompania, përfshirë ngarjen e makinave përreth vendparkimit të makinave të përdorura ende pa hyrë mirë në moshën e adoleshencës.

M. Rasëll Ballardi 1 vjeçar në vitin 1929.
M. Rasëll Ballardi 1 vjeçar në vitin 1929.

Këto përvoja krijuan një model për punën që i shërbeu mirë Presidentit Ballard në të gjitha aspektet e jetës së vet. “Mësova nëpërmjet babit tim se kur e fillon një gjë, duhet ta mbarosh atë,” – tha ai. “Në fund, kjo funksionon për kënaqësinë tuaj që, ose ju fitoni dhe ajo gjë bëhet fitimprurëse, ose mësoni se nuk do të funksionojë dhe largoheni prej saj, por kurrë nuk ngeleni duke pyetur veten nëse jeni të gatshëm të vijoni me atë.”

Një qëndrim i tillë durimplotë u bë i dobishëm gjatë gjithë jetës së tij, përfshirë në ditët e tij në Universitetin e Jutës; në jetën e tij profesionale në industritë e automobilave, të pasurive të patundshme dhe të investimeve; dhe në detyrat e tij të ndryshme të caktuara në Kishë.

“Përvoja e tij në biznes i shërbeu mirë në bërjen e pyetjeve zhbiruese që nevojitet të bëhen kur propozohet një program ose kur shtrohet pyetja: ‘A po i përdorim me efektshmëri burimet?’” – tha Presidenti Ouks.

Një Udhëheqës i Kishës me Gjakun e Profetëve në Venat e Tij

Presidenti Ballard kishte buste të tre udhëheqësve të njohur të Kishës në zyrën e tij: Themeluesit të Kishës, Jozef Smithit, dhe vëllait të tij, Hajrëmit (katragjyshi i Presidentit Ballard), si edhe të birit të Hajrëmit, Presidentit Jozef F. Smith, i cili ishte presidenti i gjashtë i [këtij] besimi fetar. Trashëgimia e tyre e dishepullimit të krishterë, e cila, sigurisht, përfshin martirizimin e Jozefit dhe të Hajrëmit në vitin 1844, i dha shtysë Presidentit Ballard deri në ditën e vdekjes së tij.

“Kur arrita të kuptoja se cilët ishin ata dhe se kush isha unë, ishte e pabesueshme,” – tha Presidenti Ballard në vitin 2019. “Jam vazhdimisht i vetëdijshëm se e kam për detyrë thjesht në sajë të faktit që kam një lidhje gjaku. I dëgjoj ata duke thënë gjithë kohën: ‘Përveshi mëngët; bëj diçka që ia vlen. Ngrehu, djalosh; mos rri thjesht i ulur në vend.’ Ata ishin njerëz të punës. Iu duhej të ishin njerëz të punës.”

Ai dëshironte që çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme, përfshirë fëmijët e tij, të mendonin thellësisht për jetën plot besim që bënë ata udhëheqës të hershëm të Kishës. Ai i tha birit të tij, Krejgut, asokohe misionar 19‑vjeçar: “Mbaj mend, gjaku i profetëve rrjedh në venat e tua”.

“Epo, s’ka asnjë presion,” – iu kujtua që e çoi nëpër mend Krejgut. “[Babai im] vështronte drejt [atyre busteve] çdo ditë në zyrën e tij … dhe mendoj se ai e ndiente se duhej të bënte më të mirën e vet. Ai e rrënjosi atë gjë tek të gjithë ne.”

Presidenti Nelson tha se kthimi në besim, zotimi dhe përkushtimi “ishin në gjakun e [Presidentit Ballard]. A mund ta përfytyroni – patëm privilegjin të uleshim pranë një burri që është stër‑stërnipi i Hajrëm Smithit! Dhe Jozef Smithi ishte stër‑stërxhaxhai i tij. Çdo ditë, ndiej një borxh mirënjohjeje për privilegjin e shoqërimit me një pasardhës të drejtpërdrejtë të atyre udhëheqësve të respektuar dhe të nderuar. Ai ka pasur të njëjtin integritet që patën ata.”

Presidenti M. Rasëll Ballard ishte misionar në Misionin Britanik nga viti 1948 deri në vitin 1950.
Presidenti M. Rasëll Ballard ishte misionar në Misionin Britanik nga viti 1948 deri në vitin 1950.

Në bisedën e tij të fundit në konferencën e përgjithshme më 1 tetor 2023, ai foli për Profetin Jozef Smith dhe rolin e tij qendror në rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit dhe të bekimeve të lidhura me të.

Shërbimi kishtar i Presidentit Ballard përfshiu kohën e tij si misionar i ri në Angli, si peshkop, president i Misionit të Kanadasë në Toronto, anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve dhe më shumë se tri dekada si Apostull.

“Nuk do ta bëja këtë për para,” – tha Presidenti Ballard. “Nuk mund të më pajtosh për para që të bëj atë që më është kërkuar ta bëj si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Por për Zotin, ai është privilegji më i madh që mund t’i jepet ndonjëherë një njeriu. Ne jemi dëshmitarë të realitetit të jetës dhe shërbesës së Zotit Jezu Krisht.”

Presidenti Ballard e mori seriozisht këtë përgjegjësi, qoftë si ish‑kryetari i këshillit misionar të Kishës (që përfshiu punën për të zhvilluar “Predikoni Ungjillin Tim”, udhëzuesin mësimor për të gjithë misionarët), në atë kohë me më shumë se 50 000 misionarë nën ngarkimin e tij, qoftë si një baba i pesë vajzave dhe dy djemve.

Një Dëshmitar i Veçantë, një Atë i Veçantë

Presidenti Ballard tha se disa prej përvojave më të mëdha të tij erdhën nga të mësuarit e fëmijëve të tij për ungjillin e Jezu Krishtit. “Ju mësoni të kapni çastet e mësimdhënies dhe nëse jeni zgjuar dhe i vëmendshëm, ato vijnë dhe kur ato çaste janë aty, është për të ardhur keq për çdo baba që ta humbasë një mundësi për t’u dhënë mësim një parim fëmijëve të tij.”

Një nga ato çaste erdhi në fund të viteve 1980, pasi Presidenti Ballard u bë një Apostull. Krejgu, biri i tij më i vogël, e pranon se qe “paksa i hidhëruar” ngaqë babai i tij ishte shpesh larg shtëpisë me detyrë. Nuk ishte e lehtë ta ndante burrin që e thërriste: “Babi,” me shenjtorët e ditëve të mëvonshme anembanë botës. “Kur isha i vogël nuk e kuptoja këtë gjë,” – tha Krejgu. Për fat të mirë, Presidenti Ballard e kuptoi atë keqkuptim. Duke e dalluar një mundësi mësimdhënieje, Presidenti Ballard e mori Krejgun me vete në një detyrë të Kishës në Tonga dhe Samoa.

“Kur zbritëm nga ai aeroplan, për herë të parë e kuptova se si e shihnin të tjerët atë,” – tha Krejgu. “Shumë njerëz kishin ecur për dy ditë që të vinin dhe thjesht ta vështronin me të shpejtë një Apostull. Qe atëherë, kur ndryshoi për mua nga një barrë në një bekim që ta njihja këtë person në mënyrë intime.”

Kjo ishte, tha Krejgu, një pasqyrim i dhuratës së Presidentit Ballard që jo vetëm t’u thoshte njerëzve diçka, por edhe t’i mësonte ata.

“Ai nuk tha thjesht: ‘Epo, jepi fund kësaj’. Ai e dinte se kisha nevojë që ta kuptoja dhe se kisha nevojë të isha pjesë e mbështetjes së thirrjes së tij,” – tha Krejgu. “Ajo ishte një përvojë e shkëlqyer për mua që të mësoja dhe ai e ka bërë atë shumë e shumë herë në mënyra të pashoqe. Ai nuk ishte vetëm një dëshmitar i veçantë – ai ishte një baba i veçantë.”

Një çast tjetër mësimdhënieje erdhi pasi bija e tij në moshë shkollore, Temi, po luante me shoqet në një makinë që në njëfarë mënyre u vërtit prapthi, duke thyer derën. Temi tha se ngriu kur mësoi se makina që e mendoi të ishte e babait të saj, në fakt i përkiste dikujt tjetër. Presidenti Ballard tha se kur u kthye në shtëpi dhe vështroi pamjen në fytyrën e bijës së tij, ai e dinte se e kishte tërë vëmendjen e saj. “I mësova asaj se ishte shumë më e çmuar sesa Kadillaku që ajo e kishte copëtuar, dhe se ajo çfarë ndodhte në jetën e saj dhe sesa e çmuar qe ajo për mua, ishte shumë më e rëndësishme. Mund ta ndreqnim makinën, por nëse ajo bënte diçka të gabuar në jetën e vet, ajo gjë do të ishte shumë më e vështirë për t’u ndrequr.”

Presidenti M. Rasëll Ballard dhe bashkëshortja e tij, Barbara.
Presidenti M. Rasëll Ballard dhe bashkëshortja e tij, Barbara.

“Ai do të mbahet mend si një bashkëshort i mrekullueshëm dhe një átë i shkëlqyer” – tha Presidenti Nelson. “Kjo është ajo ku qëndronte përparësia e tij më e madhe. Ai dha për ne një shembull të mirë për këtë gjë, edhe pse kishte pasur shumë, shumë angazhime që kërkonin kohën e tij. Familja e tij gjithmonë zinte vendin e parë.”

Përmes viteve, fëmijët e Presidentit Ballard arritën të mbështeteshin te forca e tij shpirtërore. Bashkëshortja e tij e ndjerë, Barbara, tha: “Kur ishim në Kanada në misionin tonë, djali ynë i vogël sa po fillonte kopshtin dhe nuk njihte asnjë njeri. Ishte i frikësuar. Bashkëshorti im e mori në zyrë, ra në gjunjë me të dhe u lut që Ati Qiellor do ta ndihmonte të gjente shokë. Ata e bënë atë lutje së bashku për disa ditë me radhë. Ai ka ndihmuar disa prej fëmijëve tanë në atë mënyrë kur kishin nevoja të veçanta.”

Familja Ballard jo vetëm që lutej së bashku rregullisht, por edhe luanin së bashku në pushimet familjare plot aventura. Presidenti Ballard kujtoi një udhëtim që ndërmorën për në Kaliforni me një nga shtëpitë e para fare të motorizuara që dolën nga linja e prodhimit. “I çova në lagjen kineze dhe të gjithë në San‑Francisko e shikonin atë gjë të stërmadhe dhe tregonin me gisht drejt saj e talleshin me të,” – tha ai. “Nuk mund të gjeja vend ku ta parkoja, kështu që i lashë të gjithë të dilnin në lagjen kineze dhe vazhdova t’i jepja asaj përreth atyre kodrave në San‑Francisko dhe më së fundi përfundova duke i futur të gjithë përsëri në të.”

Martesa me “Engjëllushen” e Tij, Barbarën

Presidenti Ballard nuk mund të fliste për familjen e tij pa lavdëruar Barbarën. “Ajo është thjesht një engjëll. Është tmerrësisht e vështirë të jetosh me dikë që është pothuajse e përsosur,” – tha ai. Ata u takuan te mbrëmja “Vallëzimi i Ditës së Përshëndetjes” në Universitetin e Jutës. “Ajo nuk ishte vetëm e bukur, por kishte një personalitet që shkëlqente. E dija që nga fillimi se doja të martohesha me të, por ajo nuk kishte të njëjtat ndjenja. Ishte pak e vështirë ta bindja. Bëj shaka me të duke i thënë që ta bëja atë të binte dakord të martohej me mua, ishte puna më e madhe tregtare që mbylla ndonjëherë.”

Presidenti Ballard e lavdëronte Barbarën si një nënë të mrekullueshme, metoda e qetë e së cilës e bëri jetën në shtëpi më të ngjashëm me qiellin. “Që të shtatë fëmijët tanë, nëse do t’i sillje këtu e do t’i pyesje a e kanë dëgjuar ndonjëherë nënën e tyre që të ngrinte zërin brenda mureve të shtëpisë sonë, përgjigjja e tyre do të ishte jo; ajo kurrë nuk e bëri atë gjë. Ajo ka një temperament që është në gjendje të funksionojë përmes një krize në një mënyrë shumë të qetë dhe të heshtur. Ajo është e ëmbël, është e dashur, është përkujdesëse, është vëzhguese dhe fëmijët e saj e adhurojnë. Nuk ka asnjeri në botë që i afrohet asaj që ndiejnë fëmijët tanë për nënën e tyre.”

Fëmija i tyre i dytë, Holli, bie dakord. Ajo tha se dashuria dhe respekti i prindërve të saj për njëri‑tjetrin ndikoi në sjelljen e saj dhe të vëllezërve e motrave të saj në mënyra që i dhanë formë jetës.

“Ne e ndienim se vendi më i mirë ku të ishim, ishte që të vinim në shtëpi dhe të ishim atje në atë mjedis, sepse prindërit tanë ishin shumë të mirë me njëri‑tjetrin”, – tha ajo. “Mësova se nevojitet që ta trajtosh çdo njeri me respekt. Dhe ata ishin shumë të zotë në bërjen e asaj me ne si fëmijë.”

Presidenti Ouks, i cili u thirr në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve një vit përpara Presidentit Ballard, tha se ai “e admironte kaq shumë mënyrën se si Presidenti Ballard e ka trajtuar shoqen e tij të përjetshme, Barbarën. Në moshën e saj të thyer dhe në moshën e tij të thyer, ai ka qenë thjesht një bashkëshort shembullor. Kaq i matur. Dhe kaq i mirësjellshëm.”

Barbara ndërroi jetë më 1 tetor 2018, në moshën 86‑vjeçare. Ajo u përball në një betejë të gjatë me disa probleme shëndetësore, përfshirë Alzhaimerin, me hirin dhe ndjesinë e saj karakteristike të humorit.

“Sa mirënjohës jam që e di se ku është Barbara ime e çmuar dhe se ne do të jemi bashkë përsëri, me familjen tonë, për gjithë përjetësinë,” – tha Presidenti Ballard në një konferencë të përgjithshme, pesë ditë pas vdekjes së Barbarës.

Një Shërbesë Një e nga Një

Ndjenjat e dhembshura të Presidentit Ballard kundrejt familjes së tij u përcollën tek individët të cilëve u dha mësim nga foltorja. Gjatë një bisede në konferencën e përgjithshme të Kishës në prill 1980, ai i ftoi shenjtorët e ditëve të mëvonshme që t’i dërgonin atij emrat e njerëzve në nevojë. Ai premtoi si këmbim se do t’u shkruante atyre njerëzve një letër inkurajimi. Qindra letra vërshuan nga të gjitha anët e botës. Presidenti Ballard si përfundim u shkroi mbi 600 letra personale inkurajimi njerëzve të cilët kishin nevojë për ndihmë shpirtërore. Një marrës i letrës shkroi: “Ndiej që letra juaj ishte fillimi i vërtetë i këtij ndryshimi fantastik në jetën time dhe unë ju falënderoj ju nga thellësia e zemrës sime”.

Presidenti Rasëll M. Nelson dhe Presidenti M. Rasëll Ballard u takuan me Papa Françeskun në Vatikan, të shtunën, më 9 mars 2019. Pleqtë Masimo De Feo (majtas) dhe Alesandro Dini-Çaçi (djathtas) të Të Shtatëdhjetëve i shoqëruan në atë vizitë.
Presidenti Rasëll M. Nelson dhe Presidenti M. Rasëll Ballard u takuan me Papa Françeskun në Vatikan, të shtunën, më 9 mars 2019. Pleqtë Masimo De Feo (majtas) dhe Alesandro Dini-Çaçi (djathtas) të Të Shtatëdhjetëve i shoqëruan në atë vizitë.

“Ne duhet t’i shtrijmë dorën e ndihmës individit,” – tha Presidenti Ballard. “Ne duhet të përpiqemi në çdo mënyrë që mundemi që ta ndihmojmë njëri‑tjetrin gjatë këtij rrugëtimi në vdekshmëri. Mendoj se njerëzit thellë brenda vetes janë të mirë në themel dhe mendoj se ata dëshirojnë të dinë se cila është e vërteta, por nuk dinë se ku ta gjejnë atë. Ata po pyesin: ‘Kush jam unë? Nga erdha? Përse jam këtu? Ku po shkoj? Në çfarë po më udhëheq e gjithë kjo gjë? Ku po më çon kjo?’”

Presidenti Ballard rroku penën që t’u jepte përgjigje atyre pyetjeve në librin “Our Search for Happiness” [“Kërkimi Ynë për Lumturinë”] (1993), që ndihmoi për t’u mësuar të tjerëve rreth Kishës dhe qëllimit të tyre në jetë. Jeta si autor e Presidentit Ballard gjithashtu përfshiu librin “Counseling with Our Councils” [“Këshillimi me Këshillat Tanë”] (1997), i përdorur nga shumë udhëheqës vendorë anembanë Kishës.

Gjatë gjithë përvojave të tij si bashkëshort, atë dhe Apostull, Presidenti Ballard vështroi te Jezu Krishti për frymëzim dhe siguri në të gjitha gjërat. Në fakt, ai shpesh mbartte një figurë të vogël të Shpëtimtarit në xhepin pranë jakës së xhaketës së vet për inkurajim në ditët e vështira.

“Kurdoherë që do të shkurajohej, ai do ta nxirrte dhe shihte [figurën e Jezu Krishtit] e mendonte: ‘Mund ta bëj këtë gjë. Mund të bëj gjithçka për Të’,” – tha Holli.

Presidenti Ballard arriti të dinte që ungjilli i Jezu Krishtit është një spirancë në një botë të vlerave të ndryshueshme. “Kam bindje të forta se ata që e kanë hedhur vërtet spirancën në besimin e tyre te Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit dhe misioni i Profetit Jozef dhe në zbulesat që i kanë ardhur Kishës nëpërmjet tij, të cilat pohojnë dhe shpallin se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe se ungjilli është në tokë, do të jenë në gjendje t’i bëjnë ballë çfarëdo gjëje që jeta ua sjell atyre.”

Plaku M. Rasëll Ballard gjatë shërbimit të tij si misionar në Angli në vitin 1950.
Plaku M. Rasëll Ballard gjatë shërbimit të tij si misionar në Angli në vitin 1950.
Presidenti M. Rasëll Ballard përshëndet me dorë pjesëmarrësit në konferencë në përfundim të sesionit të pasdites të së shtunës të konferencës së përgjithshme te Qendra e Konferencave në Solt Lejk Siti, Jutë, më 30 shtator 2023.
Presidenti M. Rasëll Ballard përshëndet me dorë pjesëmarrësit në konferencë në përfundim të sesionit të pasdites të së shtunës të konferencës së përgjithshme te Qendra e Konferencave në Solt Lejk Siti, Jutë, më 30 shtator 2023.