Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Fuqia e Mirënjohjes

Mirënjohja nuk është vetëm çelësi i gëzimit vetjak. Ajo gjithashtu na jep shtysë të jemi një bekim për të tjerët dhe ta ndryshojmë botën për mirë.

Elder Elder Helmut D. Wondra
Plaku Helmut D. Uondra, Gjermani I Shtatëdhjetë Zonal në Zonën e Europës Qendrore

Në vjeshtën e vitit 2020, pandemia e COVID-it e gjunjëzoi botën. Sigurisht që të gjithë u prekëm në njëfarë mënyre.

Duke pasur parasysh profesionin tim në industrinë e kulturës dhe turizmit, pandemia përbënte një sfidë serioze për mua në aspektin profesional. Ndaj isha plot pritshmëri kur mësova se profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, do të mbante një fjalim të veçantë për botën më 20 nëntor 2020.

Ndërsa Presidenti Nelson filloi, ai tregoi për disa nga sfidat që kishte përjetuar në jetë, dhe shprehu shqetësim të madh për pandeminë. Më pas ai tha:

“Gjithsesi, ka një shërim – një që mund të duket befasues ngaqë është në kundërshtim me intuitat tona natyrore. Megjithatë, efektet e tij janë vërtetuar nga shkencëtarët, si edhe nga burra dhe gra të besimit.

Po i referohem fuqisë shëruese të mirënjohjes.”[1]

Presidenti Nelson na ftoi t’i përdorim mediat shoqërore si ditarin tonë vetjak të mirënjohjes dhe t’i shprehim falënderimet tona Perëndisë në lutjet tona të përditshme për bekimet e panumërta në jetën tonë.

E vura në zbatim “terapinë” që ai sugjeroi, dhe ndjeva se më ndihmoi në atë kohë të vështirë për të përjetuar shërim dhe për të pasur një zemër të gëzuar, besimtare.

Misioni im kohëplotë përbën një nga bekimet kryesore në jetën time. Gjatë asaj kohe, u njoha me shumë njerëz në situata jetësore nga më të ndryshmet. Disa dukej se kishin gjithçka që nevojitej për një jetë të lumtur. Megjithatë, takova edhe njerëz që jetonin në varfëri të skajshme, që vuanin nga sëmundje të rënda dhe përballeshin me sfida të tjera, por që prapëseprapë ishin të mbushur me gëzim. Ndërsa reflektoja për vëzhgimet e mia, kuptova se ata që rrezatonin gëzim edhe në rrethana të vështira, gjithashtu ishin gjithmonë mirënjohës. Kuptova se mirënjohja është çelësi i gëzimit.

Pra, si mund të zhvillojmë një zemër mirënjohëse?

President Nelson - Give Thanks

Ne kemi nevojë për çaste të rregullta në jetën tonë të përditshme për t’u ndalur dhe për të qenë të qetë. Presidenti Nelson tha: “Koha e qetë është kohë e shenjtë – kohë që do ta lehtësojë zbulesën vetjake dhe të mbrujë paqe brenda nesh”[2].

Në këto çaste të qeta, ne mund t’i hapim sytë, veshët dhe veçanërisht zemrat tona për të parë se sa shumë na do dhe sa me bollëk na bekon Ati ynë Qiellor. Ne mund të shohim se, në fund të fundit, çdo çast i jetës sonë është një dhuratë nga Perëndia. Kjo do të na mbushë me gëzim dhe mirënjohje dhe do të na ndihmojë t’i shohim edhe përvojat e pakëndshme e të dhembshme të jetës gjithnjë e më shumë si mundësi për të mësuar diçka të re, për t’u rritur personalisht dhe për të zhvilluar cilësi si të Krishtit.

Nëse zemra jonë është plot falënderime, natyrshëm do të ndiejmë dëshirën për t’u treguar të tjerëve se çfarë na sjell gëzim.

Mirënjohja nuk është vetëm çelësi i gëzimit vetjak. Ajo gjithashtu na jep shtysë të jemi një bekim për të tjerët dhe ta ndryshojmë botën për mirë.

I jam thellësisht mirënjohës Atit tim në Qiell për bekimet e çmuara në jetën time, veçanërisht për familjen time dhe njerëzit mirëdashës që i kam në krah. E falënderoj Atë për planin e madh të lumturisë dhe për Shpëtimtarin tim, Jezu Krishtin. Ai është një shembull i shkëlqyer për ne për atë që do të thotë të jesh mirënjohës duke e shprehur pareshtur mirënjohjen e Vet ndaj Atit të Tij. Le ta ndjekim shembullin e Tij dhe ta shfrytëzojmë çdo mundësi për ta falënderuar Perëndinë dhe ata që na rrethojnë, për të gjitha të mirat në jetën tonë! Sa e mrekullueshme do të ishte sikur lutjet tona të përditshme të ishin para së gjithash shprehje të mirënjohjes sonë!

I jam gjithnjë mirënjohës Jezu Krishtit. Ai na ka treguar se si të jetojmë. Ai na ka dhënë përgjigje për pyetjet e mëdha të jetës. Ai e përmbushi Shlyerjen, duke na hapur në këtë mënyrë udhën për t’u kthyer tek Ati ynë Qiellor.

Ai është shpresa ime. E gjithë zemra ime i takon Atij.

Shënime

 


[1]             “Fuqia Shëruese e Mirënjohjes”, Presidenti Rasëll M. Nelson, nëntor 2020

[2]             “Gjërat që po Mësojmë që Kurrë Nuk do t’i Harrojmë”, Presidenti Rasëll M. Nelson, konferenca e përgjithshme e prillit 2021