20 Tempuj të Rinj dhe një Presidencë e Re e Përgjithshme e Fillores u Shpallën në Konferencën e Përgjithshme të Prillit 2021

Tri vendndodhje janë në Europë: Bruksel, Oslo dhe Vienë

Map

Konferenca e Përgjithshme e 191‑të e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, e mbajtur të shtunën, më 3 prill, dhe të dielën, më 4 prill 2021, e transmetuar nga Qendra e Konferencave në Solt‑Lejk‑Siti, Jutë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshiu shpalljen e Autoriteteve të reja të Përgjithshme, mbështetjen e një Presidence të re të Përgjithshme të Fillores dhe shpalljen e ndërtimit të 20 tempujve të rinj.

Një mbledhje e udhëheqjes u zhvillua të enjten më 1 prill 2021 dhe morën pjesë në sallë dhe në mënyrë virtuale rreth 300 Autoritete të Përgjithshme, Drejtues të Përgjithshëm dhe Të Shtatëdhjetë Zonalë. Presidenca e Parë dhe Kuorumi i të Dymbëdhjetë Apostujve u dhanë këshillë dhe udhëzim udhëheqësve të Kishës.

Rasëll M. Nelsoni, Presidenti i Kishës, tha që gjatë pandemisë “mësuam se nuk na duhet të hipim në aeroplanë që dëshmitë tona të shpërndahen nëpër rruzullin tokësor”. Në fakt, ai tha, fjalët e udhëheqësve të Kishës “u përhapën tek një numër i pashembullt njerëzish gjatë vitit 2020”. Presidenti i Kishës gjithashtu vuri në dukje rritjen e përpjekjeve humanitare të Kishës gjatë vitit 2020. Ai përmendi edhe ndihmën që Kisha ishte në gjendje të jepte. “Ndihmesa në kohë, para dhe shërbim vetjak janë ofruar me një frymë bujarie dhe dashurie për njerëzit nevojtarë në 152 vende”, tha ai. Përpara udhëzimit të dhënë nga ai, emrat e 77 Të Shtatëdhjetëve të rinj Zonalë u paraqitën për një votë mbështetëse.

Munich

Gjatë sesionit të mbrëmjes së të shtunës u njoftuan thirrjet e 11 udhëheqësve të rinj. Ato thirrje përfshijnë tetë Autoritete të Përgjithshme Të Shtatëdhjetë dhe një Presidencë të re të Përgjithshme të Fillores.

Autoritetet e Përgjithshme Të Shtatëdhjetë shërbejnë në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve, në presidencat e zonave dhe në funksione të tjera administrative në zyrat qendrore. Nën drejtimin e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ata udhëtojnë shpesh për t’i takuar dhe për t’u dhënë mësim udhëheqësve të Kishës, misionarëve dhe anëtarëve të Kishës në bashkësitë vendore. Ata kanë autoritet për të shërbyer kudo nëpër botë ndërsa autoriteti i Të Shtatëdhjetëve Zonalë në përgjithësi kufizohet në zonën ku ata shërbejnë.

Autoritetet e rinj të Përgjithshëm Të Shtatëdhjetë janë Plaku Shon Daglas, Plaku Majkëll Dan, Plaku Klark G. Gilbert, Plaku Patrisio M. Xhiufra, Plaku Alfred Kiungu, Plaku Alvin F. Meredith III, Plaku Karlos G. Reviljo i Riu dhe Plaku Vaianina Sikahima.

Oslo

Presidenca e Fillores mbikëqyr organizatën e Kishës që u jep mësim ungjillin e Jezu Krishtit fëmijëve të moshave 18 muajsh deri në 11 vjeç dhe i ndihmon ata t’i jetojnë parimet e tij. Këto udhëheqëse shërbejnë nën drejtimin e Presidencës së Parë dhe shpesh udhëtojnë për të ndihmuar në udhërrëfimin dhe përkrahjen e fëmijëve dhe udhëheqëseve të tyre vendore. Presidenca e re e Përgjithshme e Fillores përbëhet nga Motra Kamill N. Xhonson, Presidente, Motra Suzën H. Porter, Këshilltare e Parë, dhe Motra Emi Rajt, Këshilltare e Dytë.

Të liruar nga Presidenca e Të Shtatëdhjetëve (duke filluar nga 1 gusht 2021) ishin Plaku Robert C. Gei dhe Plaku Terens M. Vinson. Anëtarë të rinj të thirrur për Presidencën e Të Shtatëdhjetëve janë Plaku Pol V. Xhonson, i cili më parë ka shërbyer si Presidenti i Zonës së Europës, dhe Plaku Mark S. Palmer.

Sesioni i mëngjesit të së dielës, i quajtur sesioni i Pashkës për Konferencën e Përgjithshme, ishte dukshëm një sesion ndërkombëtar, duke pasqyruar një Kishë mbarëbotërore. Ai u transmetua drejtpërsëdrejti nga një numër i pashembullt stacionesh televizive dhe radiosh në të katër anët e dheut, duke arritur te miliona njerëz. Secili folës në këtë sesion dërgoi përshëndetje nga një vend i ndryshëm – dhe muzika e regjistruar që më parë u paraqit prej një larmie koresh nga vende të ndryshme të botës të cilët kënduan në gjuhët e tyre amtare.

Sheffield

Presidenti Rasëll M. Nelson e përfundoi mbledhjen e ditës së diel, duke i dëshmuar publikut të tij të gjerë se ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit i jep shpresë një bote të përçarë dhe të lodhur.

“Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, kërkesa ime për ju këtë mëngjes Pashke është të filloni sot që ta rritni besimin tuaj”, tha Presidenti i Kishës. “Nëpërmjet besimit tuaj, Jezu Krishti do ta rritë aftësinë tuaj për të zhvendosur male në jetën tuaj edhe pse sfidat tuaja vetjake mund të përvijohen po aq të larta sa mali i Everestit.”

Në sesionin e fundit të konferencës, Presidenti Rasëll M. Nelson njoftoi plane për të ndërtuar 20 tempuj të rinj anembanë botës – tre prej tyre në shtete që janë në Europë. Tempujt do të ndërtohen në vendndodhjet në vijim:

  • Oslo, Norvegji
  • Bruksel, Belgjikë
  • Vienë, Austri
  • Kumasi, Ganë
  • Beira, Mozambik
  • Kejp‑Taun, Afrikë e Jugut
  • Singapor, Republika e Singaporit
  • Belo‑Horizonte, Brazil
  • Kali, Kolumbi
  • Keretaro, Meksikë
  • Toreon, Meksikë
  • Helenë, Montanë
  • Kasper, Uajoming
  • Grand‑Xhankshën, Kolorado
  • Farmington, Nju‑Meksiko
  • Bërli, Ajdaho
  • Juxhin, Oregon
  • Elko, Nevadë
  • Jorba‑Linda, Kaliforni
  • Smithfilld, Jutë
Lisbon

Ky është numri i dytë më i madh i tempujve të njoftuar njëherazi në historinë e Kishës. Në konferencën e përgjithshme të prillit 1998, Presidenti i atëhershëm i Kishës, Gordon B. Hinkli (1910–2008), njoftoi plane për të ngritur 32 tempuj të rinj, edhe pse ai nuk renditi vendndodhje të caktuara.

Njoftimi sot nga Presidenti Nelson i 20 tempujve të rinj dhe vendndodhjeve të tyre është i pashoq jo thjesht për shkak të numrit historik me vendndodhje të caktuara.

Kisha e Jezu Krishtit tani ka 251 tempuj të shpallur, në ndërtim e sipër ose në funksionim.