Njëzet e pesë vjet më parë në shtator, Xheni dhe unë u martuam në Australi. U njohëm dy vjet më parë në Çikago në një udhëtim pune dhe vetëm dy ditë pasi e kisha njohur, më erdhi ky mendim në kokë: “Do të martohesh me këtë vajzë”. Ajo shkreptimë frymëzimi më çoi në një rrugëtim nga Londra në Australi në mënyrë që të dilja në takim me Xhenin e më pas ta çoja në Kishë. Ajo u pagëzua 4 muaj më vonë dhe u shpërngul në Londër në mënyrë që të mund të vazhdonim të takoheshim. U fejuam në Itali më pak se një vit më vonë, u martuam në Sidni, pastaj u vulosëm në Tempullin e Londrës dhe më pas u bëmë prindër të katër djemve tanë të mrekullueshëm. Ishte një romancë marramendëse!
Ndërsa kremtojmë përvjetorin e 25‑të të martesës, unë vështroj pas me mahnitje faktin se sa shpejt rashë në dashuri dhe sa e thjeshtë ishte kuptueshmëria ime për dashurinë. 25 vitet e fundit më kanë mësuar se dashuria është më shumë sesa ndjenja fillestare e ‘rënies në dashuri’ dhe ka të bëjë më shumë me shërbimin dhe punën si ekip, ku dy miq e ndihmojnë njëri‑tjetrin në rrugëtimin e tyre për t’u bërë ata që Perëndia i krijoi të bëhen. Në martesën tonë kemi pasur pjesën tonë të uljeve dhe ngritjeve, me lot e thyerje zemre, si dhe me gëzim e lumturi – të gjitha janë pjesë e planit. Ndërkohë që historia jonë mund të ketë filluar nga ‘dashuria me shikim të parë’, ajo është zhvilluar në një dashuri tërësisht ndryshe. Dashuria ‘si ndjenjë’ në mënyrë të pashmangshme vjen e shkon, por dashuria ‘si veprim’ e mban dhe e forcon një martesë dhe mund të krijojë marrëdhëniet më të çmuara.
Shoh shumë paralelizma me kthimin tonë shpirtëror në besim dhe me procesin e bërjes dishepuj të Jezu Krishtit. Të gjithë jemi bekuar me dritën e Krishtit brenda vetes[1] dhe secili prej nesh ka përvoja të pashembullta me rrezet e dritës që na ndihmojnë të ndërtojmë një dëshmi për Perëndinë dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin[2]. Por ato përvoja shpirtërore jo domosdoshmërisht e përbëjnë kthimin në besim ose na japin një besim të patundur. Ne të gjithë përjetojmë periudha kur nuk ndihemi pranë me Perëndinë, ndoshta kur sprovat ose dyshimet mund të na bëjnë të luhatemi; ashtu si Alma, Prifti i Lartë, vuri në dukje me këtë pyetje të frymëzuar: “Dhe tani vini re, unë ju them juve, vëllezërit e mi, në qoftë se keni provuar një ndryshim të zemrës dhe në qoftë se ju keni ndier të këndoni këngën e dashurisë shëlbuese, unë do t’ju pyesja, a ndiheni kështu tani?”[3]
Ashtu si Dashuria në një martesë, Besimi ynë te Jezu Krishti ka nevojë për ushqim të vazhdueshëm, ujitje dhe dritë dielli çdo ditë, sikurse shpjegohet tek Alma 32[4]. Për shumicën prej nesh, kthimi në besim vjen “rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje”[5]. Procesi i bërjes dishepuj të Jezu Krishtit është një synim për gjithë jetën dhe një synim që mund të na sjellë gëzim.
Gëzimi ynë në ungjillin e Jezu Krishtit vjen nga përparimi përgjatë shtegut të besëlidhjeve dhe ndërsa e bëjmë këtë, jemi duke ndërtuar një marrëdhënieje të ngushtë, vetjake me Atin tonë në Qiell. “M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush.”[6] Teksa përpiqemi fort për t’iu afruar më pranë Atij, e ndiejmë dashurinë e Tij më me bollëk në jetën tonë dhe mësojmë ta duam Atë më plotësisht. Ne fillojmë të përmbushim qëllimin e krijimit tonë dhe të arrijmë potencialin tonë hyjnor, dhe të përjetojmë paqe në zemër.
Pra, pas 25 vjetësh martesë dhe 50 vjetësh që e frekuentoj Kishën, po kuptoj se thelbi i një jete të lumtur është i gjithi te marrëdhëniet; si me Atin tim në Qiell, ashtu edhe me bashkëshorten time. Ka paralelizma edhe mes mënyrës se si ato marrëdhënie nisin dhe zhvillohen me kohën. Jam mirënjohës që Ati im Qiellor dhe bashkëshortja ime janë të dy kaq falës, të duruar dhe përkrahës ndaj përpjekjeve të mia të dobëta dhe që të dy më tregojnë kaq shumë dashuri. Ndërsa i përqendroj kohën, talentet dhe energjinë time te këto dy marrëdhënie besëlidhëse, gjithçka tjetër duket se shkon në vendin e vet. Teksa merrem vetëm me njërën nga ato marrëdhënie, duket se ajo më ndihmon me marrëdhënien tjetër.
Shtegu drejt kthimit në besim, ashtu si martesa, mund të fillojë me një shkreptimë frymëzimi, por do të lulëzojë në një marrëdhënie besëlidhëse me Perëndinë, ku mbushemi me dashurinë e Tij.
Në emrin e Jezu Krishtit, amen.
[1] Moroni 7:16, Gjoni 1:9.
[2] Plaku Dushku, Shtylla dhe Rreze. Konferenca e Përgjithshme, prill 2024
[3] Alma 5:26
[4] Alma 32:37–42
[5] 2 Nefi 28:30; DeB 98:12
[6] DeB 88:63