Vija e Parë e Frontit të Shërbimit në Kishë:

Peshkopët

Bishop-interview

Peshkopët në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk janë klerikë profesionistë; atyre nuk iu kërkohet të kenë një diplomë teologjie dhe shërbejnë për një kohë të kufizuar. Por anëtarët e Kishës i nderojnë dhe i respektojnë peshkopët sepse besojnë se peshkopët thirren nga Perëndia për t’i udhëhequr ata.

Çfarë është një Peshkop?

Një peshkop është një udhëheqës i një bashkësie vendore që quhet lagje. Presidentët e Degëve udhëheqin bashkësi më të vogla që quhen degë. Një peshkop dhe dy këshilltarët e tij përbëjnë peshkopatën ose këshillin drejtues të një lagjeje. Sipas një manuali të Kishës: “Peshkopata ka përgjegjësi për të gjithë anëtarët, organizatat dhe aktivitetet e lagjes”.

Përgjegjësitë e Peshkopëve

Detyrat e një peshkopi janë të ngjashme me ato të një pastori, prifti ose rabini, por peshkopët nuk paguhen dhe kalojnë shumë orë të javës në shërbimin në kishë ndërsa e baraspeshojnë jetën familjare dhe punën me kohë të plotë. Peshkopët mbikëqyrin të gjitha nevojat shpirtërore, shoqërore dhe materiale të anëtarëve në bashkësinë e tyre ndërsa kryejnë detyra administrative. Për shembull, peshkopët organizojnë shërbimet e adhurimit, mbikëqyrin të gjitha organizatat e lagjes dhe anëtarët e këshillit, administrojnë përpjekjet për mirëqenie dhe i këshillojnë anëtarët për nevojat e tyre shpirtërore dhe materiale.

Përballja me këtë detyrë mund të duket “mbingarkuese”, tregon Peshkopi Dejvid Njuell nga Eskilstuna në Suedi. “Natyrisht që je i mbingarkuar dhe me siguri ndihesh i pamjaftueshëm për detyrën”, shpjegon Peshkopi Njuell, “por ti e pranon thirrjen sepse beson se Zoti do të të përkrahë dhe aftësojë që ta kryesh më mirë nga sa do ta bëje me meritat e tua.”

Viktoria dhe Ben Dirnlei nga Mançesteri, Angli, thonë se peshkopi i tyre e ka “përmirësuar jetën e tyre jashtë mase” duke i përkrahur në kohë të vështira. “Gjatë vështirësive të kohëve të fundit peshkopi ynë u sigurua që nuk na mungonte asgjë nga ana fizike dhe shpirtërore. Ai na ngriti moralisht kur i kishim humbur të gjitha shpresat dhe u lut për ne kur forca jonë u zbeh.”

Bishop Holt with his family
Peshkopi Holt me familjen e tij.

Qëllimi i një peshkopi është t’i ndihmojë anëtarët gjatë përpjekjeve të tyre për ta ndjekur Jezu Krishtin dhe kjo përfshin ndihmën ndaj atyre që kanë bërë gabime dhe atyre që përballen me sfidat e jetës.

“Më kujtohet koha kur isha vizitori i parë i një çifti pasi djali i tyre lindi i vdekur. Vallë çfarë mund t’u thoja?” përshkruan Peshkopi Njuell. “Shprehja e dashurisë sime dhe e dashurisë së Shpëtimtarit, ishin të mjaftueshme.”

Peshkopi Xhejms Holt nga Mançesteri, Angli, thotë se pjesa më e vështirë e përgjegjësisë së tij është “kur njerëzit marrin vendime të gabuara që i shkaktojnë dhembje vetvetes ose të tjerëve. Ne besojmë në lirinë e zgjedhjes, ndaj ne i shohim njerëzit të bëjnë zgjedhje të këqija dhe të mira.”

Bishop Xhigolea
Niko Xhigolea, një udhëheqës vendor në Rumani

Niko Xhigolea, një president dege ose udhëheqës i një bashkësie më të vogël në Rumani është dakord. “Pjesa më e vështirë e thirrjes sime është t’i shohë njerëzit të bëjnë zgjedhje të gabuara dhe si pasojë ata nuk mund t’i gëzojnë bekimet nga Perëndia.”

Ndihma ndaj anëtarëve të Kishës nëpërmjet pendimit është një pjesë e rëndësishme e përgjegjësisë së një peshkopi. Peshkopi Daniel P. Detuajler nga Bernë, Zvicër, shpjegon se ai nuk i gjykon anëtarët që ndihmon sepse e ndien dashurinë e Perëndisë për ta. “Unë mund ta ndiej gëzimin e Shpëtimtarit për këdo që dëshiron të pendohet dhe të afrohet më shumë me Të. Në fillim, u çudita nga kjo sepse si qenie njerëzore ne priremi të zhgënjehemi nga sjelljet që nuk përputhen me pritshmëritë tona. Por kjo nuk i ndodh Zotit. Unë e ndiej gëzimin e Tij për secilin prej fëmijëve të Tij që vjen tek Ai.”

Procesi i Përzgjedhjes së një Peshkopi

Peshkopët nuk kandidojnë për udhëheqje. Udhëheqësit vendorë, që quhen presidentë kunji, ia rekomandojnë emrat Presidencës së Parë të Kishës. Sapo emrat të miratohen, presidenti i kunjit i kërkon peshkopit të mundshëm nëse ai do ta pranojë përgjegjësinë dhe i kërkon përkrahje bashkëshortes së peshkopit.

Manuali i Kishës shpjegon: “Udhëheqësit kërkojnë udhërrëfimin e Shpirtit për të përcaktuar se kë të thërrasin. Ata marrin parasysh denjësinë që mund të kërkohet për thirrjen. Ata gjithashtu marrin parasysh rrethanat personale ose familjare të anëtarit. Secila thirrje duhet t’u sjellë dobi njerëzve të cilëve u shërbehet, anëtarit dhe familjes së anëtarit.” 

Udhëheqja vendore ndryshohet afërsisht çdo pesë vjet dhe kështu ata rreth jush mund të bëhen peshkopë shumë shpejt. Peshkopi Holt kujton se kur u njoftua si peshkop “gjithë bashkësia mbeti gojëhapur. E dija se si ata ndiheshin! Isha i merakosur dhe i shqetësuar pasi nuk e dija se çfarë do të ndodhte me të vërtetë. Është një përgjegjësi mbingarkuese për të cilën vazhdimisht pyes veten a mund të jetoj sipas mirëbesimit që Zoti ka vendosur tek unë.”

Sapo zgjidhet një peshkop, emri i tij lexohet përpara bashkësisë vendore. Pastaj anëtarët mund ta tregojnë përkrahjen e tyre për peshkopin e ri duke ngritur dorën. Megjithatë, ngritja e dorës për të mbështetur dikë nuk është votë që u jep atyre detyrën por tregimi i mirëbesimit se një person thirret nga Perëndia.  

Jiri Kerveni nga Republika Çeke thotë se ai e përkrah peshkopin e tij duke “e pyetur atë përherë a ka nevojë për ndihmë. E ngre dorën lart kur nevojitet mbështetje. Si familje, ne lutemi për mirëqenien e tij çdo ditë.”

Kur peshkopët lirohen nga thirrja, shumë anëtarë të Kishës ende u drejtohen atyre me titullin “peshkop”, ndonëse atyre iu jepen detyra të reja për të shërbyer në bashkësi. “Po shpresoj që kur të lirohem nga thirrja, të kem thirrjen që ëndërroj dhe të jem një udhëheqës fëmijësh për dy fëmijët e mi të vegjël”, thotë Peshkopi Pol Jared Bruks nga Mançesteri, Angli.

Bishop Havier Models
Fransisko Havier Models si një peshkop në Spanjë

Si Po Shërbejnë Pikërisht Tani Peshkopët në Europë


Në zonën e Europës aktualisht po shërbejnë më shumë se 1200 peshkopë. Ndërkohë që çdo vend ka gjuhë dhe kulturë të ndryshme, pjesa më e madhe e peshkopëve bien dakord që detyrat e tyre janë të ngjashme. Peshkopi Fransisko Havier Moldes Kalvelo në Madrid, Spanjë thotë: “Unë mendoj se të qenit peshkop në Spanjë nuk ndryshon nga të qenit peshkop në ndonjë vend tjetër. Çdo peshkopi kudo në botë do t’i duhet të punojë për t’i ndihmuar, lartësuar dhe frymëzuar fëmijët e Atit tonë Qiellor.”

Për t’i ndihmuar anëtarët e bashkësisë së tij, Peshkopi Holt përpiqet të ndjekë vullnetin e Perëndisë. “Puna ime është thjesht të luaj rolin që Ai dëshiron që unë të luaj në jetën e një personi dhe të dëgjoj Shpirtin. Thjesht e lë pjesën tjetër në dorën e Tij.”

Peshkopët dhe këshilltarët e tyre gjithashtu bëjnë intervista të rregullta me anëtarët mbi njëmbëdhjetë vjeç si pjesë të detyrave të tyre. Qëllimi i intervistave është që peshkopata të arrijë ta njohë bashkësinë e saj dhe ta kuptojë zotimin e një personi ndaj kishës dhe mësimeve të saj. 

Sister Stoika
Maria Stoika nga Rumania mendon se mund t’i hapet peshkopit të saj për shqetësimet e veta

“Në çdo intervistë ndiej se Zoti dëshiron që unë të përparoj në jetë dhe të shërbej më mirë në thirrjen time”, shpjegon Maria Stoika nga Rumania. “Ne e nisim me një lutje për ta ftuar Shpirtin e Zotit që të jetë me ne dhe pastaj ai më bën disa pyetje të thjeshta në lidhje me mirëqenien time shpirtërore. Të gjitha pyetjet janë të thjeshta dhe më bëjnë që ta hap zemrën kur kam shqetësime.”

“Duke qenë anëtare e kishës gjatë gjithë jetës sime, kam përjetuar shumë ‘intervista me peshkopin’ dhe mund ta siguroj këdo se ato janë intervista individuale dashurie dhe mirëqenie për ju”, shpjegon Laura Shatëlluorthi nga Mançesteri, Angli. “Peshkopët janë njerëz normalë e të vërtetë si ju dhe unë … ndaj mirëbesojini Zotit dhe mirëbesojini peshkopit tuaj.”

Peshkopët duan të ndihmojnë, shpjegon Peshkopi Kalvelo. “Ju lutem, mos e mbani të vetëm barrën e mëkateve, sprovave ose vështirësive”, thotë ai. “Peshkopi është një person të cilit njerëzit mund t’i mirëbesojnë, me të cilin ata mund të jenë të sinqertë dhe ta hapin zemrën; me të vërtetë peshkopi i tyre dëshiron t’i ndihmojë ata.”

Nga përvoja e tij, Peshkopi Kalvelo thotë se peshkopët e marrin seriozisht thirrjen e tyre dhe shërbejnë me dashuri. “Nuk mbaj mend që të kem pasur të bëj ndonjëherë me ndonjë udhëheqës që është krenar për thirrjen e tij, që mburret dhe dëshiron të ushtrojë sundim ose autoritet të padrejtë mbi njerëzit. Përkundrazi, të gjithë udhëheqësit me të cilët kam pasur të bëj e kanë parë thirrjen e tyre si një përgjegjësi të jashtëzakonshme.”

Peshkopi Detuajler shpjegon se marrja e thirrjes së peshkopit është si të kesh një thjerrë zmadhuese në jetën tënde. “Anëtarët e lagjes priren ta vënë re çdo fjalë dhe veprim nga afër, gjë që e bën mposhtjen e dobësive tona një sfidë. Një peshkop është një person si çdo njeri tjetër, me çdo lloj papërsosurie. Megjithatë, me thirrjen tonë kemi pranuar gjithashtu përgjegjësinë për të shërbyer dhe për t’i dashur bashkëqeniet tona pa kushte.”

Peshkopi Bruks e di që peshkopët nuk janë të përsosur. “Nuk mund të jesh një peshkop i përsosur. Ti mund të jesh një peshkop vërtet i mirë, por gjithmonë do të bësh gjëra të gabuara, do të humbasësh mundësitë e arta dhe do të harrosh gjëra.” Por pavarësisht nga papërsosuritë, ai thotë se peshkopët bëjnë më të mirën e tyre për t’i forcuar komunitetet e tyre. “Të qenit peshkop më bëri të kuptoja se kisha drejtohet nga njerëz normalë që po përpiqen të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme me autoritetin e jashtëzakonshëm që iu është dhënë.”

Peshkopët në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme shërbejnë si vullnetarë. Ata mund të mos jenë të përsosur por anëtarët e Kishës e çmojnë udhëheqjen e tyre, duke mirëbesuar se janë thirrur nga Perëndia.