Plaku Dejvid A. Bednar, një udhëheqës i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës, u mirëprit sot nga Presidenti Shavkat Mirzijojev i Republikës së Uzbekistanit.
Presidenti Mirzijojev theksoi nevojën e vazhdueshme për rritje ekonomike, veçanërisht për brezin më të ri. Ai gjithashtu tregoi për përparimin që po bëhet për të pakësuar varfërinë dhe për të siguruar mundësi ekonomike për përfitimin e popullit uzbek.
“Kur njerëz të besimit dhe me vullnet të mirë punojnë së bashku për të bekuar të tjerët, zemrat zbuten dhe jetët ndryshohen”, – tha Plaku Bednar, duke theksuar ftesën e Jezusit për t’u kujdesur për individët. “Ne jemi thellësisht mirënjohës për miqësinë e ngrohtë të njerëzve dhe udhëheqësve të Uzbekistanit.”
Udhëheqës në Uzbekistan shprehën vlerësim për përpjekjet humanitare të organizatës “Latter-day Saint Charities”, degës bamirëse të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ata theksuan se partneritetet midis nismave bamirëse dhe institucioneve kombëtare mund të ndihmojnë për t’i përshpejtuar përmirësimet në shkolla dhe për t’i forcuar komunitetet.
Vizita me Presidentin u parapri nga disa takime me organizata kyç në qeverisje, përfshirë me znj. Saida Mirzijojeva, Kryetaren e Administratës Presidenciale, me Senatin e Oliy Majlis-it (Kuvendit Kombëtar), me Agjencinë Kombëtare për Mbrojtjen Shoqërore dhe Këshilltarin e Presidentit.
Znj. Saida Mirzijojeva e përqendroi takimin e saj me Plakun Bednar te mësimdhënia e anglishtes, shëndeti dhe fuqizimi i grave si përparësi. U dhanë ide mbi mënyrat për të bashkëpunuar, përfshirë me Shoqatën e Ndihmës, organizatën mbarëbotërore të grave të Kishës.
Gjatë një takimi me shkëlqesinë e saj znj. Tanzila Narbajevën, Kryetaren e Senatit të “Oliy Majlis-it”, Plaku Bednar shprehu vlerësim për theksimin e fortë kulturor të Uzbekistanit mbi familjen dhe mëmësinë. Bashkëbisedimi i tyre vuri në pah harmoninë midis atyre traditave dhe zotimit të Kishës për të forcuar gratë, fëmijët dhe familjet anembanë botës.
Këshilltari Presidencial, Ruslanbek Davletov, u përqendrua te forcimi dhe udhërrëfimi i të rinjve e të rejave të Uzbekistanit, të cilët përbëjnë rreth gjashtëdhjetë për qind të popullsisë së vendit, nëpërmjet parimeve të besimit, arsimimit dhe udhëheqjes morale. Bashkëbisedimi i tyre theksoi përgjegjësinë e përbashkët të qeverive, familjeve dhe komuniteteve fetare për të ndihmuar të rinjtë e të rejat që të zhvillojnë karakter, qëllim dhe shpresë për të ardhmen.
“Ne u referohemi të rinjve e të rejave në kishën tonë si brezi i ri”, – tha Plaku Bednar, – “dhe jemi shumë të përqendruar te ndihma ndaj rinisë për të mësuar vlerat që do t’i ndihmojnë për t’u bërë qytetarë shumë frytdhënës. Ne u mësojmë atyre parime të mira dhe i lejojmë të qeverisin veten.”
Plaku Bednar gjithashtu u takua me z. Mansurbek Ollojorov, Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Uzbekistanit për Mbrojtjen Shoqërore, ku ata diskutuan për përpjekjet e përbashkëta për t’u kujdesur për më të cenueshmit. Bashkëbisedimet e tyre u qendërzuan te mënyra se si mbrojtja e mirëfilltë shoqërore është, në thelbin e saj, një shprehje e dashurisë për njerëzit, një parim thellësisht i vlerësuar si i agjencisë, ashtu edhe i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Një temë kyç e vizitës ishte bashkëpunimi i vazhdueshëm midis qeverisë së Uzbekistanit dhe “Latter-day Saint Charities”, organizatës bamirëse të bërë të mundur nëpërmjet dhurimeve nga anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Në bashkërendim me Agjencinë e Reformave Strategjike, organizata “Latter-day Saint Charities” po përkrah një projekt pilot për ujin, instalimet sanitare dhe higjienën (WASH) nëpër disa distrikte.
Nisma siguron mjedise të sigurta tualetesh, vende për larjen e duarve dhe depo për ruajtjen e ujit të pastër në tri shkolla.
Vendi i secilës shkollë është pajisur me sisteme të zbrazjes së ujërave të zeza (septike) të tualeteve, të ndërtuara nga kontraktuesit vendorë. Projekti siguron qëndrueshmëri, mirëmbajtje me lehtësi dhe marrje përgjegjësie nga komuniteti. Gjithashtu, sigurohet trajnim për personelin mirëmbajtës dhe mësuesit për t’i mirëmbajtur godinat dhe për të nxitur edukimin higjienik mes nxënësve.
“Godinat e reja kanë sjellë një ndryshim shumë të madh”, – tha Plaku Xherard, një anëtar i Presidencës së Zonës së Kishës në Europën Qendrore. “Fëmijët tani e ndjekin shkollën më rregullisht dhe prindërit ndiejnë vetëbesim që t’i dërgojnë bijat e tyre në klasë.”
Organizata “Latter-day Saint Charities” ka përkrahur projekte të ujit të pastër dhe instalimeve sanitare në më shumë se 191 vende që nga viti 1985, duke siguruar si infrastrukturë, ashtu edhe edukim që nxitin mbështetje afatgjatë te vetja.
Vizita e Plakut Bednar pason takimet e mëparshme midis udhëheqësve të lartë të Kishës dhe zyrtarëve uzbekë në Solt-Lejk-Siti. Dialogu i vazhdueshëm pasqyron një marrëdhënie në rritje të bazuar te respekti reciprok dhe një dëshirë për të forcuar familjet dhe komunitetet.
Uzbekistani ka nisur një përpjekje kombëtare për të modernizuar shkollat dhe për të zgjeruar mundësinë për përdorimin e ujit të pastër dhe të instalimeve sanitare, veçanërisht për fëmijët. Nismat humanitare të Kishës i plotësojnë këto përparësi, duke siguruar përkrahje teknike dhe projekte të qëndrueshme, që iu përshtaten kushteve vendore.
Plaku Bednar shtoi: “Kisha është ngritur në më shumë se 150 kombe të ndryshme. Ne shtrijmë dorën e ndihmës kudo ku shkojmë, që të shohim nëse mund të shërbejmë dhe t’i bekojmë e ndihmojmë njerëzit e tjerë. Ky është thelbi i fesë sonë.”