Presidenca e Parë ka emëruar W. Kristofer Uadellin si Peshkopin e ri Kryesues të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. L. Tod Baxhi do të shërbejë si Këshilltar i Parë dhe Shon Daglasi do të shërbejë si Këshilltar i Dytë.
Këtu njoftohet se mbushet vendi i lënë bosh nga Plaku Zherald Kosé, i cili u thirr në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve më 6 nëntor 2025. Plaku Kosé kishte shërbyer si Peshkop Kryesues për më shumë se 10 vjet. Peshkopi Uadell dhe Peshkopi Baxh ishin këshilltarë të Plakut Kosé.
Peshkopata Kryesuese shërben nën drejtimin e Presidencës së Parë. Ata administrojnë, ndër të tjera, çështje të tilla si ndihmat humanitare, programet për mirëqenien, të dhjetën dhe ofertat e agjërimit, godinat fizike dhe organizimin e dokumenteve të anëtarësisë. Ata po ashtu udhëtojnë shpesh për t’u dhënë shërbesë anëtarëve të Kishës anembanë botës.
Më poshtë jepen hollësi të shkurtra biografike për secilin anëtar të peshkopatës.
Peshkopi W. Kristofer Uadell (Peshkopi Kryesues)
Kur u thirr fillimisht në Peshkopatën Kryesuese në vitin 2016, Peshkopi Uadell vuri në dukje se çdo aspekt i punës së Kishës, përfshirë punën më të drejtpërdrejtë të Peshkopatës Kryesuese, të përqendruar te përkujdesja për njerëzit në nevojë, është rreth të ndihmuarit të njerëzve që të kthehen te Perëndia.
“Nëse e bëjmë gjithçka duke menduar si përfundim ekzaltimin e fëmijëve të Perëndisë, qoftë nëse e fillojmë nga një këndvështrim material ose një këndvështrim kishtar, e gjitha ende shkon tek i njëjti vend në fund”, – tha ai. “Kjo është gjëja drejt së cilës po përparojmë.”
Në përkujdesjen për fëmijët e Perëndisë, Peshkopata Kryesuese gjithashtu është përqendruar te përkujdesja për krijimet e Perëndisë. Një shembull për këtë janë përparësitë e mëdha të qëndrueshmërisë mjedisore, të cilat Kisha i ka krijuar për të ndihmuar shenjtorët e ditëve të mëvonshme që të jenë kujdestarë të urtë të tokës.
Në vitin 2023, Peshkopi Uadell foli rreth njërës prej këtyre përparësive, ruajtjes së ujit, në kontekstin e Liqenit të Madh të Kripur në Solt-Lejk.
“Ne duhet të dallojmë që duart e Perëndisë na e japin këtë bekim [të ujit] dhe që puna jonë nuk ka mbaruar ende”, – tha Peshkopi Uadell. “Duhet të vazhdojmë me gjithë zell nëse duam të sjellim ndryshimin që nevojitet. Na dhëntë Zoti tërë besimin dhe këmbënguljen që të jemi kujdestarë të urtë të ujit tonë, tokës sonë dhe burimeve që rrjedhin nëpërmjet tyre.”
Sikurse me Autoritetet e tjera të Përgjithshme, predikimet e Peshkopit të ri Kryesues janë përqendruar te Jezu Krishti.
“Asnjë udhëheqës nuk ka treguar ndonjëherë më shumë guxim, asnjë bamirës nuk ka treguar më shumë dashamirësi, asnjë mjek nuk ka kuruar më shumë sëmundje dhe asnjë artist nuk ka qenë më krijues sesa Jezu Krishti”, – tha Plaku Uadell në tetor 2023, në bisedën e tij më të fundit në konferencën e përgjithshme. “Në një botë me heronj, me përmendore dhe muze që iu kushtohen arritjeve të burrave e grave të vdekshme, ekziston Njëri që qëndron mbi gjithë të tjerët.”
Peshkopi Uadell u lind në Los Anxhelos të Kalifornisë më 28 qershor 1959. Ai u martua me Kerëll Stensëllin në korrik të vitit 1984. Ata janë prindër të katër fëmijëve.
Ai mori një diplomë universitare të nivelit të parë në vitin 1984 në Universitetin Shtetëror të San-Diegos. Duke filluar nga viti 1984, ai punoi me kompaninë Merrill Lynch në pozicione të ndryshme, duke përfshirë postin e zëvendëspresidentit të parë të investimeve.
Përpara thirrjes së tij si Peshkopi Kryesues, Peshkopi Uadell kishte shërbyer për pesë vjet si Këshilltar i Parë në Peshkopatën Kryesuese (2020–2025), pesë vjet si Këshilltar i Dytë (2015–2020) dhe katër vjet si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë (2011–2015). Caktimet e tij të tjera kanë përfshirë misionar kohëplotë në Spanjë, peshkop, këshilltar i lartë, këshilltar i presidentit të misionit, president kunji, president i Misionit të Spanjës, Barcelonë dhe I Shtatëdhjetë Zonal.
Peshkopi L. Tod Baxh (Këshilltar i Parë)
Plaku Baxh u thirr si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë në vitin 2019. Në vitin 2020, ai u thirr si këshilltar në Peshkopatën Kryesuese. Në një bisedë në konferencën e përgjithshme një vit më vonë, Peshkopi Baxh u shpjegoi rolin e peshkopatës shenjtorëve të ditëve të mëvonshme anembanë botës.
“Mes shumë gjërash të tjera, Peshkopata Kryesuese mbikëqyr punën për mirëqenien dhe punën humanitare të Kishës”, – tha ai. “Kjo punë tani shtrihet në të gjithë rruzullin dhe bekon më shumë fëmijë të Perëndisë sesa ndonjëherë më parë.”
Një aspekt tjetër i kësaj pune mbarëbotërore erdhi në vitin 2022 kur Peshkopi Baxh i paraqiti një dhurim nga Kisha prej 32 milionë dollarësh amerikanë World Food Programme [Programit Botëror të Ushqimit] për të administruar atë që ajo organizatë e quajti një “krizë urie sizmike”.
“Jemi shumë mirënjohës që të bashkëpunojmë me World Food Programme [Programin Botëror të Ushqimit], sepse ne e dimë se do t’i çojnë ushqimet tek ata që kanë nevojë më së shumti”, – tha Peshkopi Baxh. “Dhe ne i falënderojmë shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe miqtë e kësaj feje, sakrificat financiare të të cilëve e kanë bërë të mundur këtë dhuratë. Një dhurim i tillë i bën fëmijët e Perëndisë pak më të lumtur dhe të gjithë ne pak më të shenjtë.”
Përveç shërbimit të tij si Autoritet i Përgjithshëm, Peshkopi Baxh ka shërbyer në disa thirrje të Kishës, përfshirë si misionar kohëplotë në Misionin e Japonisë, Fukuoka, president i Të Rinjve në kunj, president i kuorumit të pleqve, sekretar ekzekutiv i kunjit, këshilltar në peshkopatë, peshkop, president kunji, president i Misionit të Japonisë, Tokio, I Shtatëdhjetë Zonal dhe anëtar i Kuorumit të Pestë të Të Shtatëdhjetëve në Zonën e Jutës.
Peshkopi Baxh u lind në Pitsbërg të Kalifornisë më 29 dhjetor 1959. Ai u martua me Lori Kapenerin në vitin 1981. Ata janë prindër të gjashtë fëmijëve.
Ai mori një diplomë universitare të nivelit të parë për ekonomi në Universitetin “Brigam Jang”, në vitin 1984. Peshkopi Baxh punoi për Bain & Company Japan, Citibank N.A. dhe GE Capital si në Atlantë ashtu dhe Japoni. Në vitin 2003, ai u bë president dhe drejtues kryesor ekzekutiv i Tokyo Star Bank Limited. Nga viti 2008 deri në 2011 shërbeu si kryetar i bordit. Ai doli në pension nga puna në bankë në vitin 2011. Gjatë kësaj kohe, shërbeu edhe si anëtar i bordit të drejtorëve për kompaninë ajrore Hawaiian Airlines.
Peshkopi Shon Daglas (Këshilltar i Dytë)
Peshkopi Daglas u thirr si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë në vitin 2021. Në kohën e kësaj thirrjeje në Peshkopatën Kryesuese, ai ishte Presidenti i Zonës së Meksikës për Kishën.
Më 28 gusht 2025, ai foli në një kongres për lirinë fetare në León, një qytet i madh në Meksikën qendrore.
“Liria fetare”, – tha ai, – “i jep dinjitet qenies njerëzore dhe, kur respektohet dhe mbrohet, bëhet një mjet i fuqishëm për të ndërtuar paqe.” Ai gjithashtu vërejti se “liria fetare dhe paqja janë thellësisht të ndërthurura” dhe i ftoi besimet e tjera fetare që të mblidheshin së bashku për të ndihmuar ata që kishin më shumë nevojë, përfshirë emigrantët, viktimat e dhunës dhe njerëzit që jetojnë në varfëri.
Caktimet e tjera të Peshkopit Daglas si Autoritet i Përgjithshëm kanë përfshirë shërbimin në zyrat qendrore të Kishës si një ndihmës zonal për Zonën Verilindore të Amerikës Veriore dhe si Ndihmësdrejtor Ekzekutiv në Sektorin e Historisë Familjare. Përpara shërbimit kohëplotë në Kishë, ai ishte I Shtatëdhjetë Zonal në Zonën Jugperëndimore të Amerikës Veriore.
Në predikimet e tij, Peshkopi Daglas ka theksuar se mënyra më e mirë për të mposhtur vështirësitë e jetës është nëpërmjet besimit te Jezu Krishti dhe zbatimit të urdhërimeve të Tij.
“Besimi dhe bindja jonë na lidhin me fuqi përtej fuqisë sonë për të mposhtur ‘[çfarëdo] që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë’”, – tha ai në konferencën e përgjithshme, duke cituar Presidentin Rasëll M. Nelson. “Po”, – vazhdoi ai duke cituar profetët e Librit të Mormonit, – “Perëndia ‘[na] bekon menjëherë’ ngaqë besojmë dhe bindemi. Në fakt, me kalimin e kohës gjendja jonë e të qenit ndryshon në lumturi dhe ‘ne jemi ringjallur në Krishtin’ teksa e ushtrojmë besimin tonë tek Ai dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij.”
Anëtari më i ri i Peshkopatës Kryesuese, Peshkopi Daglas, mori një diplomë universitare të nivelit të parë për kontabilitet në Universitetin e Jutës, në vitin 1988. Ai më pas punoi si një kontabilist i certifikuar publik për Price Waterhouse. Nga viti 1990 deri në thirrjen e tij si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë në vitin 2021, ai punoi për Huntsman Corporation në pozicione të ndryshme, përfshirë kontrollues nënsektori, nëpunës thesari, zëvendëspresident i administratës, zëvendëspresident i zhvillimit të korporatës, zëvendëspresident ekzekutiv dhe drejtuesi kryesues financiar.
Plaku Daglas u lind në Solt-Lejk-Siti të Jutës më 1 maj 1964. Ai u martua me En Diksonin në vitin 1985. Ata janë prindër të katër fëmijëve.