Si Mund ta Përdorim Lutjen për të Komunikuar me Perëndinë

Ajo që Besojnë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme rreth Bekimeve të Shumta të Lutjes

boy-praying-to-god
Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e dinë se ne mund t’i lutemi Perëndisë kurdoherë dhe kudo. Ne besojmë se Perëndia i dëgjon lutjet dhe u përgjigjet atyre sot.

Çfarë jep mësim Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme rreth lutjes?

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, besojnë se lutja është një komunikim midis nesh dhe Perëndisë, Atit tonë Qiellor. Ati Qiellor dëshiron që ne t’i lutemi Atij çdo ditë, si individualisht ashtu edhe me familjet tona. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Perëndia dëshiron që ne t’i “lutemi Atij dhe askujt tjetër” (“Prayer”, Gospel Topics, topics.churchofjesuschrist.org). Feja e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme jep mësim, ashtu si edhe Bibla, që kur Jezu Krishti ishte në tokë, Ai shpjegoi se ne duhet t’i lutemi Atit Qiellor në emrin e Jezusit (shih Gjoni 16:23). Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, lutja është si një urdhërim nga Perëndia ashtu edhe një mundësi për të komunikuar personalisht me Të.

Si duhet të lutem?

Për të treguar respektin dhe dashurinë tonë për Perëndinë, kur lutemi, ne gjunjëzohemi, e ulim kokën dhe i mbyllim sytë. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se, kur lutemi, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se jemi duke folur me Atin tonë në Qiell dhe se duhet të përdorim një të folur të dashur e të respektueshme.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme japin mësim se ka fuqi tek të luturit me zë të lartë dhe shkrimet e shenjta na nxitin që të lutemi shpesh veçmas, që të mund t’ia shprehim ndjenjat tona të vërteta Perëndisë (shih Mateu 6:6–7; Alma 34:17–27). Gjithsesi, ne mund t’i lutemi Perëndisë kurdoherë dhe kudo. Bindjet e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme përfshijnë mësimin që edhe një mendim mund të jetë një lutje, nëse i drejtohet Perëndisë (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lutja”, scriptures.churchofjesuschrist.org).

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se, kur lutemi, ne duhet të shprehim mirënjohjen tonë ndaj Atit Qiellor për bekimet tona të shumta. Ashtu siç vërejti një udhëheqës shenjtor i ditëve të mëvonshme: “Lutjet më kuptimplote dhe shpirtërore që kam përjetuar unë, përmbanin shprehje të shumta falënderimesh dhe pak kërkesa, nëse kishte të tilla” (Dejvid A. Bednar, “Lutuni Kurdoherë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 42–43). Bindjet e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme përfshijnë mësimdhënien se gjithçka që kemi vjen nga Perëndia dhe që, edhe gjatë sfidave tona më të vështira, ne ende mund ta falënderojmë Atë për bekimet tona.

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme jep mësim se Ati Qiellor dëshiron që, kur lutemi, t’i kërkojmë Atij gjëra që na nevojiten. Jezu Krishti dha mësim: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet. Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket” (Mateu 7:7–8). Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se, kur lutemi, ne mund t’i kërkojmë Atit Qiellor të na ndihmojë për nevojat tona fizike, emocionale dhe shpirtërore, si dhe çfarëdo nevoje tjetër që mund të kemi. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë gjithashtu se, si Ati ynë i dashur, Perëndia dëshiron që të na ndihmojë dhe do të na japë çdo bekim që është i përshtatshëm për ne. Megjithatë, kur i kërkojmë bekime Atit Qiellor, ne duhet të lutemi që të bëhet vullneti i Tij dhe të bëjmë çdo gjë që është në fuqinë tonë, që të jemi të denjë për t’i marrë bekimet që kërkojmë.

Çfarë bekimesh vijnë nga lutja?

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se lutja sjell bekime të shumta. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme jep mësim se, kur lutemi, ne mund ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë për ne. Ne ndiejmë mirënjohje ndërsa përsiatim mbi bekimet e shumta që janë tashmë në jetën tonë. Ne ndiejmë një ndjesi më të madhe të lumturisë e paqes ndërsa përpiqemi ta përputhim vullnetin tonë me vullnetin e Perëndisë për jetën tonë. Ne bekohemi me durim e besim më të madh. Ne mund ta ndiejmë ndikimin e Shpirtit të Shenjtë të na udhërrëfejë e drejtojë. Kur lutemi, Perëndia i hap pragjet e qiellit dhe na jep bekime që Ai tashmë ishte i gatshëm të na i jepte dhe që ne duhet vetëm t’i kërkojmë që t’i marrim. Ne mund të ndihmojmë gjithashtu për t’ua bekuar jetën të tjerëve ndërsa shprehim lutjet tona të sinqerta ndaj Perëndisë për mirëqenien e tyre.

Në ç’mënyrë mund të mësoni rreth planit të Perëndisë për ju?

Për të mësuar më shumë rreth Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe asaj që ne besojmë rreth lutjes, vizitoni ejanitekrishti.org.