Tetor 2019

Raporti Përmbledhës i Konferencës së Përgjithshme

Sheshi i tempullit

Rritja e pjesëmarrjes së grave, forcimi i rinisë dhe ripërtëritja e zotimit vetjak për ta ndjekur Jezu Krishtin qenë temat që u theksuan nëpërmjet bisedave dhe njoftimeve në konferencën e përgjithshme gjysmëvjetore të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Pesë sesione konference u mbajtën më 5 dhe 6 tetor 2019, në Qendrën me 21 000 vende të Konferencave, në Solt‑Lejk‑Siti, të shtetit të Jutës në Shtetet e Bashkuara. Nëpërmjet transmetimeve satelitore, të radios, televizionit në internet si dhe botimeve të shtypura, folësit arritën një publik botëror të vlerësuar në miliona njerëz.

relief society
Presidenti Rasëll M. Nelson u foli grave të Kishës gjatë Sesionit të Grave të Konferencës së Përgjithshme Gjysmëvjetore të 189-të, më 5 tetor 2019.

Vlerësimi i shërbimit dhënë prej grave

“Gratë e drejta në Kishë flasin e japin mësim me fuqi dhe autoritet nga Perëndia”, pohoi Rasëll M. Nelsoni, President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. “Gratë që japin mësim doktrinën e Krishtit dhe marrin pjesë në këshillat e Kishës, janë thelbësore dhe kurrë dekorative”, shtoi ai.

Përpara sesioneve kryesore të konferencës, Autoritetet e Përgjithshme dhe Drejtuesit e Përgjithshëm të Kishës u mblodhën për t’u udhëzuar nga Presidenca e Parë. Presidenti Rasëll M. Nelson u tregoi atyre një rregullore të re të Kishës lidhur me dëshmimin e ordinancave, përfshirë pagëzimet që kryhen në godina kishtare dhe në tempuj. “Këto ndryshime kanë për qëllim shtimin e pjesëmarrjes familjare në ordinanca”, shtjelloi Presidenti Nelson gjatë konferencës.

Për herë të parë, Presidenti Nelson njoftoi në konferencë gjatë sesionit të grave planet për ndërtimin e tempujve të tjerë. Njoftimi i katër tempujve të rinj në Shtetet e Bashkuara dhe nga një tempulli në Sierra-Leone, Papua të Guinesë së Re, Filipine dhe Guatemalë e çon numrin e përgjithshëm të tempujve në funksionim, të njoftuar ose në ndërtim, në 217 anembanë botës.

youth
Shenjtorë të ditëve të mëvonshme duke ecur përmes Sheshit të Tempullit për të marrë pjesë në Konferencën e Përgjithshme Gjysmëvjetore të 189-të, më 5 tetor 2019.

Forcimi i rinisë

Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe Motra Boni H. Kordën, Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, përvijuan përshtatjet në rregullore për ta forcuar rininë.

“Peshkopët vendorë do ta udhëheqin dhe këshillojnë rininë më drejtpërdrejt”, tha Plaku Kuk. Presidencat e Të Rinjve, të përbëra nga burra në moshë madhore që udhëheqin djemtë e rinj në nivel bashkësie, u ndërpritet funksionimi. Për më shumë se një shekull programi i Kishës për Të Rejat i ka ndarë vajzat në tri klasa. “Tani e tutje, klasat do të organizohen bazuar në nevojat e çdo bashkësie të veçantë”, shpjegoi Motra Kordën.

jesus-christ-teaching

Ndjekja e Jezu Krishtit

“Shenjtorët e ditëve të mëvonshme, ashtu si pasuesit e tjerë të Jezu Krishtit, janë gjithmonë duke kërkuar mënyra për t’i ndihmuar, për t’i lartësuar dhe për t’i dashur të tjerët”, u tha dëgjuesve Presidenti Nelson. “Mes nismave të tjera, Kisha ndihmon refugjatët”, parashtroi ai. Vetëm në vitin 2018, Kisha siguroi furnizime për raste të ngutshme për refugjatët në 56 vende. Përveç kësaj, shumë anëtarë të Kishës e japin vullnetarisht kohën e tyre për t’i ndihmuar refugjatët që të përfshihen në komunitete të reja.

“Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit e duan Perëndinë dhe fëmijët e Tij pa pritshmëri për diçka në këmbim”, tha Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Motra Reina I. Aburto, Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, i nxiti pjesëmarrësit në konferencë që ta ndjekin shtegun e Shpëtimtarit dhe ta rritin dhembshurinë e tyre. Plaku Hans T. Bum, i Të Shtatëdhjetëve, i ftoi dëgjuesit të dalin nga errësira në dritë dhe tha se drita e ungjillit do të sigurojë ngrohtësi dhe shërim.

“Nismat dhe njoftimet e kohëve të fundit në Kishë duhet të shihen si përpjekje të ndërlidhura për t’i ndihmuar anëtarët të ndërtojnë bazuar në Jezu Krisht”, shpjegoi Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Udhëheqja

Mes ndryshimeve në udhëheqjen e Kishës njoftuar në konferencën e përgjithshme ishte edhe lirimi i Plakut Volfgang Pilc si një I Shtatëdhjetë Zonal, i cili është thirrur si president i Tempullit të Frankfurtit në Gjermani. Gruaja e tij, Karin Pilc, do të shërbejë si kryekujdestare e tempullit.