Presidenca e Parë e Re Diskuton Çështje Kyç dhe Shpërndan Shpresë për Botën

Intervista është bashkëbisedimi i parë i këtij lloji për Presidencën e Parë të re

image

Presidenca e Parë e re e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u ul për një intervistë me gazetaren fituese të disa çmimeve Xhejn Klejson Xhonsonin, të mërkurën më 15 tetor 2025. Bashkëbisedimi trajtoi një gamë të gjerë çështjesh me të cilat përballet Kisha dhe bota.

Intervista iu shpërnda publikut anembanë botës si bashkëbisedimi i parë i këtij lloji që kur u shpall Presidenca e Parë e re pak më herët atë javë.

Në intervistë, e cila u mbajt në Godinën e Shoqatës së Ndihmës në Sheshin e Tempullit, ish-gazetarja e grupeve mediatike CBS News dhe ABC News i pyeti udhëheqësit e Kishës rreth rolit të grave në besimin fetar, rritjen e shpejtë të Kishës në kohët e fundit, mesazhet për brezin e ri, ndihmën ndaj të tjerëve dhe një gamë çështjesh të tjera.

Roli i Grave

Xhejn Xhonsoni pyeti se çfarë dëshiron Presidenca e Parë që njerëzit të kuptojnë rreth rolit të grave në Kishë.

Presidenti Kristoferson foli për nevojën anembanë Kishës për të marrë në konsideratë këndvështrimet e meshkujve dhe femrave kur merren vendime.

“[Kur] i bëjmë bashkë të dyja këndvështrimet, ne fitojmë një këndvështrim më të mirë. Ne i afrohemi më pranë këndvështrimit hyjnor”, – tha Presidenti Kristoferson.

“Udhëheqja është shërbim”, – shtoi Presidenti Ajring, – “dhe gratë e bëjnë atë në një mënyrë që është thjesht mbresëlënëse.”

Presidenti Ouks vuri në dukje se Kisha “nuk ka qenë gjithmonë e urtë në përdorimin e kualifikimit dhe fuqive të mëdha të bijave të Perëndisë”.

“Kemi punë të tjera për të bërë”, – tha Presidenti Ouks, – “por jemi shumë më mirë sot sesa ishim madje një dekadë më parë.”

Çfarë e Shtyn Rritjen e Kishës

Xhejn Xhonsoni vuri në dukje se, edhe pse prirjet demografike tregojnë një numër në rritje të njerëzve që identifikohen si pa lidhje fetare, rritja e Kishës është e fortë. Për shembull, 900 000 njerëz i janë bashkuar Kishës gjatë tre vjetëve të kaluara. “Çfarë po e shtyn këtë gjë?” – pyeti ajo.

Sekreti i rritjes së Kishës, tha Presidenti Ouks, është fuqia e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.

“Ai është një ungjill lumturie, rritjeje dhe informimi rreth qëllimit të jetës”, – tha Presidenti Ouks. “Njerëzit që pajtohen me doktrinën e tij, zbulojnë se ai ua bën jetën më të gëzuar, më domethënëse, më qëndrestare ndaj vështirësive që ne të gjithë i përjetojmë në jetën në vdekshmëri, dhe më të aftë për t’u shërbyer bashkëqenieve të tyre dhe për të rritur fëmijët e tyre.”

Presidenti Ajring tha se rrënja e kësaj rritjeje është shpresa që njerëzit ndiejnë në mesazh.

“Rritja e Kishës do të përshpejtohet kur ata e zbulojnë ungjillin e Jezu Krishtit të paraqitur nga misionarët, ata shohin shpresë”, – tha ai.

Presidenti Kristoferson tha se rritja e Kishës i kujton atij mësimet e dhëna nga Presidenti Rasëll M. Nelson rreth mbledhjes së popullit të besëlidhjeve të Perëndisë anekënd botës.

“Besoj se kjo është ajo çka po shohim”, – tha ai. “Zoti po i bën gjërat të ndodhin. Ne jemi në gjendje të ndihmojmë, ndoshta në skaje, por Ai po lëviz me fuqinë e Tij. E shoh Zotin duke lëvizur nëpër tokën dhe Shpirtin e Tij duke ndikuar te njerëzit në jetën e tyre.”

Një Mesazh për Ata që Janë të Lënë Mënjanë

Xhejn Xhonsoni i kërkoi Presidencës së Parë që t’u drejtohej atyre që ndiejnë se nuk kanë vend në Kishë. “Çfarë doni që ata të dinë rreth asaj që Shpëtimtari ndien për ta dhe asaj që ndieni ju për ta?” – pyeti ajo.

“Ne jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë”, – theksoi Presidenti Ouks. “Perëndia i do ata dhe Ai ka një plan për ta kudo që të jenë në shtegun drejt atij fati hyjnor.”


“Dilni përpara dhe jepini ndihmesë trupit të Krishtit, çfarëdo që mundeni. Çdo njeri është i vyer. Çdo ndihmesë është e vyer.”

– Presidenti Kristoferson

Presidenti Ajring vuri në dukje shkrime të shenjta që përshkruajnë duart e Krishtit të shtrira me mëshirë dhe dashuri.

“Kur ndonjë e ndien se është lënë mënjanë, ai ose ajo nuk mund të arrijë aq larg nga Shpëtimtari sa Ai kurrë nuk do t’i shtrijë duart drejt atij/asaj”, – tha Presidenti Ajring. “Nxitja ime kundrejt tyre është thjesht të luteni dhe ju do të keni një ndjenjë se po ktheheni nga të qenit i/e lënë mënjanë dhe po përfshiheni.”

Presidenti Kristoferson e nxiti çdo njeri që ndihet i përjashtuar, që të drejtohet te Krishti dhe të përfshihet në shërbim.

“Mos prisni gjithmonë që t’ju ftojnë të dilni nga vija anësore”, – tha ai. “Dilni përpara dhe jepini ndihmesë trupit të Krishtit, çfarëdo që mundeni. Çdo njeri është i vyer. Çdo ndihmesë është e vyer.”

image
Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, i përgjigjet një pyetjeje gjatë një interviste me gazetaren fituese të disa çmimeve, Xhejn Klejson Xhonsonin, në Godinën e Shoqatës së Ndihmës në Solt-Lejk-Siti të Jutës, të mërkurën më 15 tetor 2025.

Një Mesazh Drejtuar Brezit të Ri

Po për mesazhin e udhëheqësve të Kishës drejtuar brezit të ri?

“Ju keni një Atë Qiellor që ju do”, – tha Presidenti Ouks. “Ai ka siguruar një plan për ju dhe ai është më i miri në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ku kemi një shpjegim për qëllimin e jetës, sfidat dhe veprimtaritë që ju udhëheqin përgjatë atij që e quajmë shtegu i besëlidhjeve drejt një fati hyjnor. Mirëbesoni te Zoti. Ejani dhe gëzoni bekimet e Tij me ne.”


“Mirëbesoni te Zoti. Ejani dhe gëzoni bekimet e Tij me ne.”

– Presidenti Ouks

Presidenti Ajring tha se është optimist për të rinjtë e të rejat për aq sa ata drejtohen te Shpëtimtari i botës.

“Përgëzime! Zoti ju ka ruajtur për kohën më emocionuese në historinë e kësaj vepre në këtë botë. U premtoj atyre një të ardhme të lavdishme dhe mendoj se ajo tashmë po shfaqet”, – tha Presidenti Ajring. “Ata mund të jenë optimistë nëse do të mirëbesojnë te Zoti Jezu Krisht dhe do të jenë shërbëtorët e Tij për aq sa mund të jenë.”

Presidenti Kristoferson vuri në dukje sfidat e pashoqe të brezit të Mijëvjeçaristëve dhe brezit Z. Ai i nxiti të rinjtë që ta përdorin teknologjinë për mirë dhe të mbajnë mend se “nuk ka zëvendësues për Frymën e Shenjtë”.

“Asnjë teknologji, asnjë burim ose vendburim tjetër nuk mund ta zëvendësojë Shpirtin”, – tha ai. “Drejtohuni te Zoti, siç tha Presidenti [Ouks]. Jezu Krishti është gjithmonë përgjigjja.”

image
Presidenti Dallin H. Ouks dhe Presidenti D. Tod Kristoferson, të Presidencës së Parë, intervistohen nga gazetarja fituese e disa çmimeve, Xhejn Klejson Xhonsoni, në Godinën e Shoqatës së Ndihmës në Solt-Lejk-Siti të Jutës, të mërkurën më 15 tetor 2025.

“Jezu Krishti Është Udha”

Xhejn Xhonsoni pyeti se çfarë fraze ose shkrimi të shenjtë do të donte Presidenca e Parë që ta kishin njerëzit në mendje teksa fillojnë dhënien e shërbesës.

“Jezu Krishti është udha”, – tha Presidenti Ouks. Ai më pas lexoi një varg nga Libri i Mormonit që jep mësim se “nuk do të ketë asnjë emër tjetër të dhënë, as ndonjë mënyrë tjetër nëpërmjet së cilës shpëtimi mund të vijë te fëmijët e njerëzve, vetëm në dhe nëpërmjet emrit të Krishtit, Zotit të Plotfuqishëm”.

Presidenti Ajring shtoi një ftesë nga vetja për të bërë më shumë sesa thjesht “të vijmë e të shohim”, siç thotë një varg në Bibël.

“Ejani dhe jini dhe zbuloni paqen të cilën po gjeni kaq vështirësi që ta zbuloni në botën përreth jush”, – tha ai.


“Ejani dhe jini dhe zbuloni paqen të cilën po gjeni kaq vështirësi që ta zbuloni.”

– Presidenti Ajring

Presidenti Kristoferson vuri në dukje realitetin e Ringjalljes së Krishtit si feneri themelor i shpresës.

“Për mua, fakti i Ringjalljes së Tij është provë për fuqinë e Tij për t’i përmbushur të gjitha premtimet e Tij”, – tha Presidenti Kristoferson. “Është prova për faktin se kush është Ai.”

image
Presidenti Dallin H. Ouks, i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, dhe bashkëshortja e tij, Kristeni, kalojnë një çast së bashku pasi ai dhe këshilltarët e tij në Presidencën e Parë u intervistuan nga gazetarja fituese e disa çmimeve, Xhejn Klejson Xhonsoni, në Godinën e Shoqatës së Ndihmës në Solt-Lejk-Siti të Jutës, të mërkurën më 15 tetor 2025.

Presidenti Ouks e mbylli me dëshminë e tij: “Jam i gëzuar për këtë mundësi që të dëshmoj se unë e di që Ungjilli i Jezu Krishtit në plotësinë e tij është Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Këtu gjenden përgjigjet për pyetjet më të mëdha të jetës. Cila është marrëdhënia ime me Perëndinë? Pse jam këtu në tokë? Cili është qëllimi i kësaj jete nganjëherë të mundimshme në vdekshmëri. Ku po shkojmë? Si arrijmë atje? Cila është marrëdhënia ime me Jezu Krishtin?

Dhe si mund të përmirësohet ajo marrëdhënie, dhe si mund të jetoj më mirë dhe më me siguri me njerëzit që i dua, dhe si mund të shoh drejt një jete me ta në jetën tjetër, e cila është e sigurt për një fëmijë të ringjallur, të mishëruar e shpirtëror të Perëndisë për shkak të misionit të Birit të Tij të vetëmlindur, Jezu Krishtit, në emër të të cilit i dëshmoj këto gjëra, në emrin e Jezu Krishtit.”