Plaku Zherald Kosé është anëtari më i ri i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai u thirr të enjten, më 6 nëntor 2025 dhe u shugurua po atë ditë nga Presidenti Dallin H. Ouks dhe anëtarët e tjerë të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.
“Kam pasur gjithmonë një dëshmi për Jezu Krishtin”, – tha Plaku Kosé ditën e enjte. “Ai ka qenë gjithmonë në qendër të jetës sime. E di që Jezu Krishti jeton. Dhe e di që Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Çfarë gjëje e mrekullueshme është të jesh një dëshmitar i Krishtit. Kjo është përgjegjësia ose kujdestaria më e mirë që mund të kemi në jetën tonë.”
Plaku Zherald Kosé i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Peshkopi Kryesues, Zherald Kosé (në mes), i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, takohet me Drejtoreshën Ekzekutive të Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (PBU), Sindi Mek‑Keinin (me të kuqe), në selinë e PBU‑së në Romë, të enjten, më 17 prill 2025.
Zherald Kosé, Peshkopi Kryesues i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, takohet me Xhimër Fredetin (i cili mori pjesë në basketbollin me lojtarë 3x3 në Lojërat Olimpike të Parisit për Ekipin e SHBA‑së) përpara një takimi shpirtëror në Versajë të Francës, të dielën, më 21 korrik 2024.
Peshkopi Zherald Kosé në Kinshasa, Republika Demokratike e Kongos, gjatë një turneu shërbese me Plakun D. Tod Kristoferson të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të premten, më 11 nëntor 2022.
Zherald Kosé, Peshkopi Kryesues i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, u flet të rinjve e të rejave gjatë një takimi shpirtëror në Versajë të Francës, të dielën, më 21 korrik 2024.
Peshkopi Kryesues, Zherald Kosé, bisedon me të ftuarit në përurimin e një Qendre të re, të fjalës së fundit, të Shërbimeve të Shpërndarjes Mbarëbotërore, në Solt‑Lejk‑Siti, Jutë, të enjten, më 8 qershor 2023.
Peshkopi Kryesues, Zherald Kosé (majtas), dhe Xhon Shmidi i grupit “The Piano Guys” (djathtas) interpretojnë një duet në piano, në Qendrën e Kongreseve “Sollt‑Pellës” në Solt‑Lejk‑Siti, Jutë, si pjesë e Konferencës së TRMMB‑ve për Zonën e Jutës, për vitin 2025, të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të premten, më 29 gusht 2025.
Peshkopi Kryesues, Zherald Kosé, u drejtohet mijëra të rinjve e të rejave në moshë madhore beqarë, në Qendrën e Kongreseve “Sollt‑Pellës” në Solt‑Lejk‑Siti, Jutë, si pjesë e Konferencës së TRMMB‑ve për Zonën e Jutës, për vitin 2025, të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të premten, më 29 gusht 2025.
Peshkopi Kryesues Zherald Kosé dhe bashkëshortja e tij, Valérija, bëjnë një turne në Qendrën e re të Shërbimeve të Shpërndarjes Mbarëbotërore, në Solt‑Lejk‑Siti, Jutë, të enjten, më 8 qershor 2023.
Peshkopata Kryesuese e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme: Peshkopi Zherald Kosé (Peshkop), Peshkopi W. Kristofer Uadell (këshilltar i parë) dhe Peshkopi L. Tod Baxh (këshilltar i dytë), Portret Zyrtar, tetor 2020.
Nga e majta në të djathtë: Vëllai Xhejms Mek‑Konki Rajt dhe Motra Emi A. Rajt; Motra Valeri Kosé dhe Peshkopi Kryesues Zherald Kosé; Motra Uendi Nelson dhe Presidenti Rasëll M. Nelson; Plaku Kuentin L. Kuk dhe Motra Meri Kuk; Plaku Kevin R. Dankan dhe Motra Nensi Dankan në Përkushtimin e Tempullit të Uashington D.K.‑së, të dielën, më 14 gusht 2022.
Zherald Kosé, Peshkopi Kryesues i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, merr pjesë në një ngjarje për të diskutuar përmbledhjen mbi Çështjen e Përkujdesjes të vitit 2024, në Depon Qendrore të Peshkopëve, në Solt‑Lejk‑Siti, Jutë, më 25 mars 2025.
Peshkopët Kryesues të tanishëm dhe të kaluar të Kishës. Rreshti përpara, nga e majta në të djathtë: Robert D. Hejlsi (1985–1994), Merrill J. Beitmeni (1994–1995) dhe H. Dejvid Bartoni (1995–2012). Rreshti lart, nga e majta në të djathtë: Geri E. Stivensoni (2012–2015) dhe Zherald Koséja (2015–2025). Fotografi e bërë në mars 2017.
Zherald Kosé takohet me presidentin Eduard Friç të Polinezisë Franceze të enjten, më 23 shkurt 2017, në Papet, Polinezia Franceze.
Apostujt janë dëshmitarë të veçantë të emrit të Krishtit në mbarë botën. Ata gjithashtu angazhohen në përgjegjësi të rëndësishme administrative, duke mbikëqyrur funksionimin dhe zhvillimin e një Kishe globale. Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve është trupi i dytë më i lartë kryesues në qeverisjen e Kishës. Ata shërbejnë nën drejtimin e Presidencës së Parë, që përfshin Presidentin e Kishës dhe dy këshilltarë.
Plaku Kosé, 62 vjeç, ka lindur në Bordò të Francës. Në kohën që mori këtë thirrje, ai ishte në vitin e 11-të të shërbimit si Peshkop Kryesues i Kishës. Ai ishte Peshkopi i tretë Kryesues që ka lindur jashtë Shteteve të Bashkuara, dhe i pari për të cilin gjuha amtare nuk është anglishtja. Peshkopata Kryesuese administron, ndër të tjera, çështje të tilla si ndihmat humanitare, programet për mirëqenien, të dhjetën dhe ofertat e agjërimit, godinat fizike dhe organizimin e dokumenteve të anëtarësisë. Ata po ashtu udhëtojnë shpesh për t’u dhënë shërbesë anëtarëve të Kishës anembanë botës.
Plaku Kosé shërbeu gjithashtu si këshilltar në Peshkopatën Kryesuese (2012–2015) dhe si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë (2008–2012).
I lindur më 20 maj 1963, nga Zhon Kosé dhe Mari‑Blonsh Boné Kosé, Plaku Kosé u zhvendos në Paris kur ishte 19 vjeç. Atje, ai kreu një vit shërbim ushtarak. Ai filloi të dilte në takime romantike me Valéri Babinën, të cilën e kishte njohur që kur ishin fëmijë, kur ishin në të njëjtën lagje të kishës në Paris. Të dy ata janë shenjtorë të ditëve të mëvonshme të brezit të dytë. Prindërit e Plakut Kosé u pagëzuan kur ai ishte gjashtë muajsh; prindërit e Valérisë iu bashkuan Kishës kur ajo ishte 3 vjeçe.
Ata u martuan më 5 gusht 1986, në tempullin e Bernës në Zvicër dhe janë prindër të pesë fëmijëve.
Detyrat e Plakut Kosé si Autoritet i Përgjithshëm, fillimisht e çuan atë dhe Valérinë bashkë me tre nga fëmijët e tyre në Gjermani, pastaj më vonë në Shtetet e Bashkuara. Çifti Kosé i lavdëroi fëmijët e vet për durimin ndaj atyre shpërnguljeve të vështira.
“Kjo nuk ishte një gjë e lehtë për t’u bërë”, – tha Plaku Kosé. “Ne i admirojmë ata për faktin që janë kaq të përkushtuar. Ata nuk u ankuan kurrë. U shpërngulën me ne dhe e ndryshuan jetën e tyre. Dhe ata që qëndruan në Francë, ne i admirojmë për faktin që jetuan pa i pasur prindërit e tyre fizikisht pranë për 17 vjet tanimë.”
“Ata na inkurajuan”, – shtoi Motra Kosé. “Njëra prej tyre na tha se kishte qarë çdo natë, por nuk na kish thënë asgjë, përveçse fjalë inkurajimi. Jemi tejet krenarë për ta.”
Një pjesë e shërbesës së Plakut Kosé si Autoritet i Përgjithshëm, ka qenë ndaj brezit të ri. Në gusht 2025, për shembull, ai u kujtoi të rinjve e të rejave në moshë madhore se puna e mbledhjes së Izraelit është gjëja më e rëndësishme që po ndodh sot, dhe si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ata thirren për të qenë pjesë e saj.
“Kisha ka nevojë për ju, jo duke mos e konsideruar se kush jeni, por për shkak të asaj se cilët jeni ju”, tha Plaku Kosé. “Secili prej jush sjell dhurata unike dhe përvoja jetësore unike që janë thelbësore për përmbushjen e qëllimeve të Zotit.”
Apostulli i ri ka dhënë gjithashtu fjalime të rëndësishme rreth rëndësisë së përkujdesjes për krijimet e Perëndisë. Në një konferencë në Brazil, në vitin 2023, për shembull, ai u foli 100 profesionistëve të rinj në moshë, shenjtorë të ditëve të mëvonshme, mbi qasjen e Kishës për një qëndrueshmëri të mjedisit.
“Perëndia na ka besuar kujdestarinë mbi krijimet e Tij, duke përfshirë atë të përkujdesjes për fëmijët e Tij – vëllezërit dhe motrat tona”, – tha Plaku Kosé. “Të veprosh në kuadër të kësaj kujdestarie është një mënyrë për të përhapur dashurinë që Krijuesi ynë na e ofron. Çdo dishepull i Krishtit duhet të ndiejë rëndësinë e bekimit të familjes së vet dhe të komunitetit në të cilin jeton.”
Më e rëndësishmja, ka qenë fokusi i tij në shpresën që gjendet te Jezu Krishti, një temë që e preku në fjalimin e tij më të fundit në konferencën e përgjithshme.
“Ky mesazh shprese dhe ngushëllimi është për të gjithë ne, fëmijët e Perëndisë”, – tha Plaku Kosé në prill 2025. “Asnjëri nga ne nuk mund t’u shpëtojë sfidave dhe kufizimeve të vdekshmërisë. Në fund të fundit, të gjithë vijmë në jetë me një paaftësi të lindur për të shpëtuar veten. Megjithatë, kemi një Shpëtimtar të dashur, dhe ‘ne e dimë se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit [të Tij], pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë’ (2 Nefi 25:23).”