Shtëpia e parë e mbledhjeve e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Azerbajxhan u inaugurua nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në qytetin e Bakusë, të enjten, më 13 nëntor 2025. Plaku Bednar shoqërohej nga Plaku Xhek N. Xherard, Këshilltar i Parë në Presidencën e Zonës së Europës Qendrore. Motra Suzën Bednar dhe Motra Klodet Xherard ishin gjithashtu të pranishme, si edhe udhëheqës të tjerë të Kishës.
Ngjarja historike shënoi një arritje të rëndësishme për Kishën në rajonin kaukazian. Më shumë se dyzet miq të ftuar, përfshirë zyrtarë qeveritarë, udhëheqës fetarë dhe të biznesit, si dhe personalitete të tjera të shquara, morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit. Të ftuarit patën mundësinë që të vizitonin ndërtesën dhe të merrnin një shpjegim të shkurtër rreth mënyrës se si organizohen shërbesat e adhurimit në Kishë.
“Kjo është një ditë historike në Azerbajxhan për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”, – tha Plaku Bednar. “Ne jemi të nderuar dhe të gëzuar që jemi këtu dhe të pranuar zyrtarisht, dhe që të jemi në gjendje ta përkushtojmë këtë godinë ku do të takohemi dhe adhurojmë. Ne jemi mirënjohës dhe të emocionuar që jemi këtu në Azerbajxhan.”
Kryetari Ramin Mamadov, i cili kryeson Komitetin Shtetëror mbi Marrëdhëniet me Shoqatat Fetare të Azerbajxhanit shtoi: “Hapja e kësaj ndërtese është dëshmim ndaj çdo njeriu se shoqëria azerbajxhanase po e zgjeron më tej pasurinë e saj kulturore dhe hapjen e saj ndaj besimeve të ndryshme fetare. Do të doja të falënderoja Plakun Bednar që është i pranishëm në këtë inaugurim dhe merr pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme dhe të gëzueshme për Kishën dhe për shtetin e Azerbajxhanit”, – përfundoi ai.
Një Çast Miqësie dhe Besimi
Inaugurimi përfshiu ceremoninë e prerjes së shiritit, të kryer së bashku nga Plaku Bednar, Plaku Xherard, Ramin Mamadovi dhe Hirësia e Tij Sheik-ul-Islam Allahshukur Pashazadehu. Udhëheqës të tjerë fetarë ishin të pranishëm. Ky çast simbolik nxori në pah shpirtin e miqësisë dhe respektin reciprok që e ka karakterizuar marrëdhënien midis Kishës dhe popullit azerbajxhanas.
Pas ceremonisë, të ftuarit morën pjesë në një drekë zyrtare, ku Plaku Bednar dhe Plaku Xherard shprehën mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë që i është dhënë Kishës në Azerbajxhan. Ata gjithashtu folën rreth vlerave të përbashkëta të besimit, familjes dhe shërbimit që i bashkojnë besimtarët e të gjitha prejardhjeve. Përveç përpjekjeve të vazhdueshme humanitare, një nga programet e Kishës që po ofrohet tashmë falas në shtëpinë e mbledhjeve në Baku, është “English Connect”. Programi është hartuar për të ndihmuar individët që të mësojnë dhe përmirësojnë aftësitë e tyre në gjuhën angleze.
Një Prani në Rritje në Azerbajxhan
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u regjistrua zyrtarisht në Azerbajxhan në korrik të vitit 2024, një zhvillim që hapi udhën që bashkësia vendore të mblidhej së bashku dhe për sigurimin e një shtëpie të përhershme mbledhjesh. Godina e re do të shërbejë si shtëpi shpirtërore për anëtarët e Kishës dhe si qendër për aktivitete humanitare dhe ndërfetare.
Inaugurimi i shtëpisë së re të mbledhjeve përputhet ngushtësisht me vizionin e Azerbajxhanit për nxitjen e lirisë së fesë ose besimit fetar dhe për ushqyerjen e harmonisë shumëkulturore. Zotimi prej kohësh i shtetit ndaj respektit reciprok mes besimeve të ndryshme fetare siguron një mjedis mirëpritës për njerëzit e të gjitha besimeve që të adhurojnë dhe t’i japin ndihmesë shoqërisë.
Plaku Xherard shprehu vlerësim për atë se sa i hapur është kombi ndaj dialogut dhe bashkëpunimit, një prirje që e ka parë dhe përjetuar për shumë vjet në rajonin e Kaukazisë dhe të Azisë Qendrore. “Kjo është një arritje e rëndësishme teksa po ndërtojmë një themel besimi për shumë vjet që do të vijnë. Ne i duam vëllezërit dhe motrat tona azerbajxhanase dhe presim me padurim një rritje të vazhdueshme nëpër këtë rajon të botës”, – tha ai.
Një tjetër shembull i rëndësishëm i marrëdhënieve në zhvillim midis Kishës dhe Azerbajxhanit është mësimdhënia e një lënde të gjuhës azerbajxhanase në Universitetin “Brigam Jang”, një institucion i arsimit të lartë, i financuar nga Kisha, në Provo të Jutës. Kjo është diçka e pashoqe në të gjithë Amerikën Veriore.
Një Kapitull i Ri në Rajon
Në mbrëmje, një takim i veçantë shpirtëror u mbajt për anëtarët dhe miqtë e Kishës, me gati 200 njerëz të pranishëm. Plaku Bednar ofroi një lutje përkushtuese, duke e përkushtuar zyrtarisht godinën si një vend adhurimi, si dhe mbledhjeje për komunitetin.
“Dëshira jonë më e madhe është që ky do të jetë një vend i shenjtë”, – u lut Plaku Bednar. Ai gjithashtu tha në lutje: “Ne jetojmë në një periudhë mbresëlënëse në historinë e tokës. Mund të shohim shumë gjëra në botë që janë shqetësuese dhe sigurisht ka trazirë të madhe në botë. Por pavarësisht nga e gjithë ajo turbullirë, në këtë çast, në këtë vend, ne ndiejmë paqe të madhe.”
Përkushtimi i shtëpisë së mbledhjeve në Baku shënon një hap të rëndësishëm në rritjen e Kishës nëpër Europën Lindore, Kaukazi dhe në Azinë Qendrore, ku anëtarët janë përherë e më tepër aktivë në shërbimin në komunitet dhe në përpjekjet humanitare. Kisha vazhdon të bashkëpunojë me partnerët vendorë për të nxitur arsimim, mbështetje te vetja dhe harmoni fetare.
Shtëpia e re e mbledhjeve do të mirëpresë shërbesa adhurimi të dielën, programe rinie, aktivitete të historisë familjare dhe ngjarje të komunitetit, të hapura për njerëz të të gjitha prejardhjeve. Gjatë javës, do të jetë gjithashtu e hapur për aktivitete të tjera shoqërore dhe komunitare, si dhe programe të tjera të ofruara nga Kisha.
Në fund të ditës, Hirësia e Tij Sheik-ul-Islami, i cili udhëheq Bordin Mysliman Kaukazian dhe është udhëheqësi më me përvojë mysliman në rajon, mirëpriti Plakun Bednar dhe udhëheqës të tjerë të Kishës në Baku. Gjatë viteve, është zhvilluar një marrëdhënie e fortë midis Sheik ul-Islamit dhe udhëheqësve me përvojë të Kishës dhe ky tubim ishte një hap më shumë në forcimin e atyre lidhjeve dhe në shprehjen e vlerësimit për ndihmën e tij për njohjen zyrtare të Kishës në Azerbajxhan.
Sheik-ul Islami ka vizituar zyrat qendrore të Kishës në Solt-Lejk-Siti të Jutës, ku ai u takua me Presidentin e mëparshëm, Rasëll M. Nelsonin, dhe në kohën më të fundit me Presidentin Dallin H. Ouks. Ato takime i thelluan lidhjet e mirëkuptimit dhe respektit midis dy komuniteteve fetare. Për shumë vjet, përpjekja humanitare e Kishës ka qenë e pranishme në Azerbajxhan dhe ka kryer disa projekte dhe nisma me autoritetet azerbajxhanase dhe me subjekte të tjera ndërkombëtare dhe vendore.