Në një Konferencë Katolike në Romë, Apostulli Mbron Dinjitetin Njerëzor

Elder D. Todd Christofferson of the Quorum of the Twelve Apostles of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints talks with a Catholic priest on the rooftop terrace of the Pontifical University of the Holy Cross in Rome, Italy, where he participated in a conference with scholars and theologians on the topics of infinite dignity, human freedom, and the place of law on Tuesday, September 23, 2025

Në një konferencë universitare në Romë mbi dinjitetin njerëzor, Plaku D. Tod Kristoferson e përqendroi fjalën e tij në tre dokumente kyç katolike në kontekstin e krishterimit dhe një shoqërie pluraliste.

Duke folur të martën, më 23 shtator 2025, Apostulli në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme citoi gjerësisht nga “Dignitas Infinita” [“Dinjiteti i Pafundmë”] (një deklaratë e vitit 2024 mbi dinjitetin njerëzor), “Dignitatis Humanae” [“Dinjiteti Njerëzor”] (një traktat i vitit 1965 nga Papa Pali VI mbi lirinë fetare) dhe “Rerum Novarum” [“Çështje të Reja”] (një mesazh i vitit 1891 nga Papa Leoni XIII rreth dinjitetit të punëtorëve).

“Si dishepuj të Krishtit, ne kemi përgjegjësi solemne që të përkrahim dinjitetin njerëzor, lirinë morale të zgjedhjes dhe pluralizmin fetar”, – i tha Plaku Kristoferson auditorit të tij gjatë një diskutimi në grup në Universitetin Papnor të Kryqit të Shenjtë. “Jam thellësisht mirënjohës për zotimin e Kishës Katolike ndaj këtyre koncepteve dhe për vlerat e përbashkëta të dy kishave tona.”

Konferenca u bashkëfinancua nga Qendra Ndërkombëtare për Studime Ligjore dhe Fetare e Universitetit “Brigam Jang”.

 

Dignitas Infinita [Dinjiteti i Pafundmë]

“Dignitas Infinita” [“Dinjiteti i Pafundmë”] që ishte tema e konferencës, si dokument thotë që “çdo njeri zotëron një dinjitet të pafundmë, të bazuar në mënyrë të patjetërsueshme në qenien e tij apo të saj, që mbizotëron në çdo dhe përtej çdo rrethane, gjendjeje apo situate që mund të hasë ndonjëherë personi”.

“Ky dinjitet i pafundmë krijon për çdo njeri një përgjegjësi për ta trajtuar çdo njeri tjetër me dashuri dhe respekt”, – tha Plaku Kristoferson. “Kjo nuk është një detyrë abstrakte. Ajo është e rrënjosur te njeriu që ishte Jezu Krishti dhe shembulli i Tij.”

Plaku Kristoferson dha mësime të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme mbi këtë temë. Ai citoi të ndjerin Presidentin M. Rasëll Ballard, i cili tha se identiteti më i rëndësishëm i çdo personi është që ai apo ajo është fëmijë i Perëndisë.

“Të kuptuarit e kësaj të vërtete – të kuptuarit vërtet të asaj dhe përqafimi i asaj – është jetëndryshues”, – tha Presidenti Ballard në vitin 2020. “Ajo e vërtetë ju jep një identitet të jashtëzakonshëm që askush nuk mundet kurrsesi t’jua heqë. Por për më tepër, ajo duhet t’ju japë një ndjenjë tepër të madhe vlere dhe një ndjesi për vlerën tuaj të pafundme.”

Plaku Kristoferson tha se thirrja që na bën deklarata “Dignitas Infinita” [“Dinjiteti i Pafundmë”] për të dashur Perëndinë dhe për të jetuar në paqe me të tjerët, kumbon thellë tek ai vetë si bashkëndjekës i Jezu Krishtit.

“Jam thellësisht mirënjohës për këtë dokument dhe pohimin që u bën vërtetave të ungjillit, që na sigurojnë një kujtues të hyjnisë së Krishtit dhe të përgjegjësive tona si dishepuj të Tij”, – tha Plaku Kristoferson. “Jam gjithashtu mirënjohës për këtë konceptim të veçantë të dinjitetit njerëzor, i cili mes shumë konceptimesh të tjera, është qartësisht dhe thellësisht i përqendruar jo veç tek e vërteta që ne jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, por që Jezu Krishti është shembulli i përkryer për ne dhe Shëlbuesi ynë.”

Dignitatis Humanae [Dinjiteti Njerëzor]

Dokumenti i dytë që Plaku Kristoferson analizoi, ishte “Dignitatis Humanae” [“Dinjiteti Njerëzor”]. Ky dokument është “arritje monumentale në historinë e lirisë fetare”, – tha ai.

“[Ky] është një shpjegim domethënës, i hollësishëm, teologjik i dinjitetit njerëzor si bazë për të drejtën për liri fetare dhe i detyrave shoqërore që kemi të gjithë ne për ta mbrojtur këtë të drejtë të shenjtë dhe për të qenë përkrahës i saj”, – tha Apostulli. “Dokumenti ‘Dignitatis Humanae’ [‘Dinjiteti Njerëzor’] në mënyrë të rëndësishme pranon që përgjegjësia e përbashkët për të qenë përkrahës të lirisë fetare dhe për ta ruajtur atë, u takon qeverive dhe individëve.”

Një nga frytet e lirisë fetare është t’u lejosh njerëzve ta ushtrojnë lirinë e tyre morale të zgjedhjes, tha Plaku Kristoferson. Ndërkohë që edhe Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, edhe Kisha Katolike e kuptojnë se kjo do të thotë që disa njerëz do të zgjedhin udhë të tjera, të dyja fetë japin gjithashtu mësim nevojën për të treguar njerëzi dhe mirëkuptim ndaj zgjedhjeve të të tjerëve.

“Dokumenti ‘Dignitatis Humanae’ [‘Dinjiteti Njerëzor’] na këshillon ta kërkojmë dhe jetojmë të vërtetën hyjnore, t’i nxitim qeveritë tona që ta mbrojnë të drejtën e paprekshme për liri fetare dhe t’i trajtojmë ‘me drejtësi e njerëzi’ vëllezërit dhe motrat tona, duke respektuar të drejtat e të gjithëve dhe duke e çuar në maksimum detyrën tonë ndaj të gjithëve”, – tha Plaku Kristoferson. “I bashkohem Papës Pali VI duke shpallur se ‘me qëllim që marrëdhëniet e paqes dhe harmonisë të themelohen e të ruhen përbrenda gjithë njerëzimit, është e nevojshme që liria fetare të ofrohet kudo me një garanci të efektshme kushtetuese dhe që të tregohet respekt për detyrën e lartë dhe të drejtën e njeriut që ta jetojë lirshëm jetën e tij fetare në shoqëri’.”

Rerum Novarum [Çështje të Reja]

Dokumenti i fundit që Plaku Kristoferson mori në shqyrtim, ishte “Rerum Novarum” [“Çështje të Reja”], një letër pastorale e vitit 1891 nga Papa Leoni XIII mbi të drejtat dhe detyrat e kapitalit dhe punës në përgjigje të debateve të kohës mes socialistëve dhe kapitalistëve.

 

Papa me zhdërvjelltësi u ngrit mbi tensionet mes fanatikëve duke u përqendruar te parimet e detyrës, punës, virtytit dhe bamirësisë, tha Plaku Kristoferson. Ai gjithashtu vërejti se si papa theksoi “cilësitë e qenësishme morale të njerëzve dhe rëndësinë e trajtimit të të gjithë njerëzve me dinjitet”.

“Sot, është po aq e rëndësishme”, – tha Plaku Kristoferson, – “që të angazhohemi në çështje ‘duke refuzuar [ndërkohë] të radhitemi me ekstremizmin e cilësdo anë’.” “Udhëheqësit fetarë janë një zë kritik në diskutimin publik”, – shtoi ai.

“Konfliktet brenda shoqërive nëpër botë kërkojnë vëmendjen e udhëheqësve fetarë”, – tha Plaku Kristoferson. “Një përqendrim te dinjiteti i përbashkët i të gjithë njerëzve në të gjitha anët e të gjitha konflikteve do të na çojë drejt shoqërive më paqësore, më të dashura dhe tolerante.”

Më pas, Plaku Kristoferson citoi pyetjen retorike të Papës Leoni XIII nga letra në fjalë: “A nuk duket që, po të përshkohej shoqëria nga ide si këto [nga shkrimet e shenjta], mosmarrëveshjet do të pushonin me të shpejtë?”

Në fjalët e tij përmbyllëse, Plaku Kristoferson ua tërhoqi vëmendjen pjesëmarrësve në konferencën katolike te komentet e kohëve të fundit rreth dinjitetit njerëzor dhe paqebërjes të bëra nga Presidenti Nelson në revistën “TIME” [“KOHA”].

“Secili prej nesh ka një vlerë dhe dinjitet të qenësishëm. Unë besoj se ne jemi të gjithë fëmijë të një Ati të dashur Qiellor”, – shkroi Presidenti Nelson. “Por pavarësisht nga feja apo shpirtshmëria juaj, dallimi dhe theksimi i së vërtetës që qëndron prapa kësaj bindjeje fetare që ne të gjithë meritojmë dinjitet, është çlirues – ai sjell ekuilibër emocional, mendor dhe shpirtëror. … Një shekull përvoje më ka mësuar pa asnjë dyshim këtë: zemërimi kurrë nuk bind, armiqësia kurrë nuk shëron dhe grindja kurrë nuk çon në zgjidhje afatgjata. … Nëse i përqafojmë këto të vërteta të përjetshme: nderimin e vlerës sonë vetjake, trajtimin e të tjerëve me dinjitet dhe edukimin e familjeve tona – jeta jonë dhe bota jonë do të jenë më të qëndrueshme dhe më të gëzuara.”

Plaku Kristoferson, në emër të Presidentit Nelson, shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Ai gjithashtu e uroi Kishën Katolike për zgjedhjen e Papa Leonit XIV.

Qëllimi dhe Ndikimi i Konferencës

Konferenca qe bashkëpunim mes tre njerëzve: Arturo Bellokut, profesor i teologjisë morale në Universitetin Papnor të Kryqit të Shenjtë; Andrea Pinit, profesor i së drejtës publike të krahasuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Padovës; dhe Brett Sharfsit, drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Studime Ligjore dhe Fetare të UBJ-së.

Profesor Pinit, katolik për nga besimi fetar, iu bë veçanërisht qejfi kur drejtori Sharfs, një shenjtor i ditëve të mëvonshme, iu drejtua atij për të mësuar më tepër rreth dokumentit të vitit 2024, “Dignitas Infinita”.

“[Kur ai pyeti, mendova] që ajo qe një urë e mrekullueshme lidhëse”, – tha Pini. “[Pasi] dikush nga jashtë Kishës sime dhe jashtë shoqërisë që e lëshoi dokumentin, tha: ‘Jam i interesuar për këtë, mendoj se mund të diskutojmë për të si miq dhe studiues’. Mendova që dinjiteti njerëzor po fillonte sërish të bënte punën e vet.”

Profesor Belloku e pranoi vëmendjen e gjerë që ka marrë kjo temë, duke nxjerrë në pah se “Dignitas Infinita” ka “ngjallur kaq shumë interes në shumë fusha” dhe është “hapi i parë i një bashkëbisedimi në vijim e sipër”. Konferenca e kësaj jave qe një mënyrë për të nisur dialogun.

“Ende do të kemi shumë dallime në zgjidhjen e problemeve konkrete shoqërore, por ne si njerëz nevojitet t’i gjejmë të përbashkëtat që të jemi në gjendje të flasim për këto tema të përbashkëta”, – tha Belloku. “Ideja [për këtë konferencë] qe faktikisht gjetja e të përbashkëtave dhe diskutimi se në ç’masë është i dobishëm koncepti i dinjitetit njerëzor apo mund të shërbejë si një e përbashkët për të filluar të bisedojmë rreth këtyre problemeve në një mënyrë dobiprurëse dhe objektive.”

Drejtori Sharfs shprehu mendime të ngjashme, duke e lavdëruar udhëheqjen globale të ndërmarrë nga Kisha Katolike mbi çështjen e dinjitetit njerëzor.

“Puna së bashku me ta është tejet frytdhënëse dhe tejet domethënës për të krijuar mirëkuptim si dhe bashkëpunim”, – tha Sharfsi. “Puna me partnerë të ndryshëm në Kishën Katolike ka shumë kuptim pasi edhe ata kanë marrë një zotim domethënës ndaj parimeve të dinjitetit njerëzor.”

Sharfsi tha se përqendrimi te dinjiteti njerëzor është kyç, pasi i ndihmon kulturat e ndryshme të kuptojnë rëndësinë e lirisë fetare.

“Nëse shfaqet përkujdes rreth dinjitetit njerëzor, arrihet të kalohet te liria fetare”, – tha Sharfsi. “Mirëpo në botën myslimane, për shembull, liria fetare mund të duket si një koncept i huaj, si një koncept perëndimor. Por dinjiteti njerëzor është një koncept shumë i rëndësishëm në Kuran. Ndaj, nëse themi, ‘le të flasim rreth dinjitetit njerëzor’, atëherë ngremë një urë që çon drejt bashkëbisedimeve rreth lirisë fetare.”

Në një intervistë pas konferencës, Plaku Kristoferson tha se kjo ngjarje do të ketë ndikime pozitive gjatë muajve e viteve të ardhshme.

“Është njësoj si guri i hedhur në pellg dhe që krijon valëzime, duke u përhapur në shumë vende gjatë një kohe mjaft të gjatë dhe duke ndikuar në njerëz që sot mund të mos kenë dijeni për atë që po ndodh”, – tha Apostulli. “U përpoqa të theksoj që vlera jonë e pafundme është e lidhur gjithashtu me shëlbimin nga Jezu Krishti për qenien njerëzore, me Shlyerjen e Tij dhe domethënien që ka ajo për fatin tonë përfundimtar. Vlera jonë themelore është e lidhur me fatin tonë përfundimtar: pavdekësinë dhe jetën e përjetshme. Hiri i Tij dhe Shlyerja e Tij janë kyç për dinjitetin, vlerën që ka çdo shpirt, pavarësisht nga vendi apo koha në të cilën jeton.”

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, tek u takua me Eminencën e Tij, Kardinalin Xhorxh Kuvakad, Prefektin e Dikasterit për Dialogun Ndërfetar për Kishën Katolike në Romë të Italisë, të mërkurën, më 24 shtator 2025. Të pranishëm ishin gjithashtu Plaku Emanuel Petrinjani, I Shtatëdhjetë Zonal, dhe Bret G.Sharfsi, drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Studime Ligjore dhe Fetare në Fakultetin e Drejtësisë të UBJ-së.

Kardinali Kuvakad

Ndërkohë që ishte në Romë, të mërkurën, më 24 shtator, Plaku Kristoferson bëri një takim privat me Eminencën e Tij Xhorxh Kuvakad [George Koovakad], Prefekt i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar të Kishës Katolike.