Frankfurt‑mbi‑Majn

Një Botë Përkujdesjeje: Puna Humanitare në Europë në Vitin 2024

Gati 20 milionë njerëz përfitojnë nga projektet në të gjithë Zonën e Europës Qendrore

Nga Bosnjë‑Hercegovina deri në Turqi e Taxhikistan, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme përpiqet fort që të përkujdeset për fëmijët e Perëndisë në Europë dhe pothuajse në çdo cep të botës në shumë mënyra. Përkujdesja për të tjerët konsiderohet si një nga përgjegjësitë kyç të të gjithë anëtarëve të Kishës.

Shumë projekte humanitare në të gjithë vendet e Zonës së Europës Qendrore kanë bekuar shumë prej gati 20 milionë njerëzve të zhvendosur me forcë që banojnë në zonë. Kisha ka punuar me agjenci qeveritare dhe joqeveritare për të ndihmuar në financimin e qendrave mikpritëse dhe për të siguruar batanije, çarçafë, ushqime, veshmbathje, strehim, ilaçe, kujdes shëndetësor, arsimim, kanalizime, shërbime higjiene dhe integrimi.

Më 29 mars 2025, në Qytetin Arkadag të Turkmenistanit, I Shtatëdhjeti Zonal për Kishën, Pol Pikardi, iu drejtua pjesëmarrësve në konferencën ndërkombëtare “Viti i Paqes dhe Mirëbesimit:  Zhvillimi i Aktiviteteve Ndërkombëtare për Hir të Fëmijëve”. Pjesëmarrësit dhe folësit në konferencë përfshinin përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, qeverive kombëtare, komuniteteve dhe sektorit privat.

Në fjalimin e tij, Plaku Pikard tha: “Si ndjekës të Jezu Krishtit, ne i jetojmë mësimet e Tij. Kur Jezusi u pyet për urdhërimin më të madh, Ai u përgjigj se është: ‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde’. Pastaj shtoi urdhërimin e dytë më të madh: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’. Kjo dashuri nxit qëllimin tonë dhe gjithçka fillon brenda familjeve tona.”

Ai vazhdoi: “Brezi i ri është e ardhmja e njerëzimit dhe ne kemi përgjegjësinë që t’i mbrojmë, edukojmë dhe t’u japim më të mirën fëmijëve tanë”.

Ndërthurja e Përpjekjeve për të Zgjeruar Shtrirjen Humanitare

Në përpjekje të përbashkëta me organizata zbatuese të besueshme, Kisha po e zgjeron shtrirjen e saj në Zonën e Europës Qendrore për të lehtësuar vuajtjet dhe për t’u rikthyer dinjitetin mijëra nevojtarëve. Fusha e projekteve në vitin 2024 përfshiu:

  • 108 projekte në dobi të grave dhe fëmijëve
  • 44 projekte për ujin, higjienën dhe kanalizimet
  • 112 projekte për shëndetin dhe personat me aftësi të kufizuara
  • 80 projekte në dobi të refugjatëve, emigrantëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit
  • 56 projekte për sistemet arsimore
  • 43 projekte për ushqimin dhe sigurinë

Puna me organizatën Muslim Aid [Ndihma Myslimane] për të Ndihmuar Qytetarët në Bosnjë‑Hercegovinë

Duke festuar 10‑vjetorin e saj, nisma e serrave u ofroi marrësve serra plotësisht të pajisura dhe të instaluara, së bashku me programe trajnimi që të mësonin se si të drejtojnë me sukses një serë. Që nga viti 2014, ky projekt ka çuar në ndërtimin e mbi 3000 serave, duke i dhënë ndjeshëm shtysë bujqësisë vendase.

young man working in a greenhouse
Që nga viti 2014, ky projekt ka çuar në ndërtimin e mbi 3000 serave në Bosnjë Hercegovinë.

Dy projekte të tjera – një nismë për bletarinë dhe shpërndarjen e lopëve qumështore barrsë – u zhvilluan në të njëjtën kohë për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve shoqërore‑ekonomike të familjeve në zonat rurale. Projekti i bletarisë është një përpjekje gjithëpërfshirëse që përfshin shpërndarjen e materialeve për bletarinë, përkrahje mësimore dhe një fushatë edukative mbi rëndësinë e bletëve. Nisma për shpërndarjen e lopëve qumështore barrsë te familjet në nevojë i ka ndihmuar familjet të plotësojnë nevojat e tyre ushqimore me qumësht të freskët dhe ka siguruar një rritje financiare përmes shitjes së qumështit të tepërt.

Dhurimi i Tri Shkollave në Turqi, në Rajonin e Hatajit

Më 23 tetor 2024, Kisha, së bashku me autoritetet turke, përuroi zyrtarisht tri shkolla në rajonin e Hatajit në Turqinë juglindore. Tërmetet e fuqishme që goditën Turqinë më 6 shkurt 2023, shkatërruan shumë shtëpi dhe dëmtuan infrastruktura të rëndësishme, përfshirë shkollat. Shkalla e shkatërrimit në zonën e Hatajit, jo larg nga kufiri me Sirinë, qe veçanërisht e lartë.

Kisha e Jezu Krishtit ka ofruar ndihmë për zonat në Turqi që u prekën më shumë. Fëmijët në komunitetet fqinje nuk kanë më nevojë të ecin ose të udhëtojnë në largësi të madhe për të vazhduar arsimimin e tyre. Lidhur me këtë temë, Plaku Pikard tha në konferencën ndërkombëtare të kohëve të fundit në Turkmenistan: “Nuk ka fjalë për të shprehur gëzimin kur i shikon ata fëmijë të pafajshëm e të lumtur përsëri në shkollë”.

Inauguration of new schools
Përurimi i tri shkollave të reja të financuara nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, në rajonin e Hatajit, Turqi, më 23 tetor 2024.

Ujë i Pastër për Taxhikistanin Rural

Si pjesë e përpjekjeve të saj në mbarë botën për t’u siguruar njerëzve ujë të pastër dhe kanalizime, Kisha bashkëpunoi me agjencinë katolike të ndihmës “Caritas Taxhikistan” për të tretin vit radhazi në Taxhikistanin rural.

Children standing next to a fountain
Fëmijët në qytezën Shahrtuz të Taxhikistanit festojnë përdorimin e ujit të pijshëm e të pastër.

Popullsia e cenueshme prej rreth 17 000 banorësh në qytezën e largët Shahrtuz të Taxhikistanit, përmirësoi kushtet e jetesës dhe gjendjen shëndetësore me rritjen e përdorimit të ujit të pijshëm, të pastër e të qëndrueshëm. Përveç kësaj, infrastruktura e përmirësuar e kanalizimeve publike dhe administrimit të mbetjeve rezultoi në zakone më të mira sanitare.

Ndihmë në Nivel Botëror në Vitin 2024

Kisha siguroi ndihmë në 192 vende dhe territore, me shpenzime që në total arritën deri në 1,45 miliardë dollarë amerikanë. Kjo përfshiu 3836 projekte humanitare. Anëtarët e Kishës dhanë vullnetarisht 6,6 milionë orë shërbimi në godinat e Kishës për Mirëqenien dhe Mbështetjen te Vetja, në misione shërbimi dhe në projekte shërbimi ndaj komunitetit.

Në një samit për tregtinë ndërkombëtare vitin e kaluar, Peshkopi Kryesues Zherald Kosé tha: “Ne besojmë se kujdestaria jonë ndaj krijimeve të Perëndisë përfshin, mbi gjithçka, një detyrë të shenjtë për t’i dashur, respektuar dhe kujdesur për të gjitha qeniet njerëzore me të cilët bashkëjetojmë në tokë”. Peshkopata Kryesuese është një këshill prej tre burrash që punojnë nën drejtimin e Presidencës së Parë të Kishës për të administruar ndër të tjera çështje të tilla si ndihmat humanitare, programet e mirëqenies, dhurimet e së dhjetës dhe ofertat e agjërimit, si dhe godinat fizike. Ata po ashtu udhëtojnë shpesh për t’u dhënë shërbesë anëtarëve të Kishës anembanë botës.

“Për mua, një nga aspektet më të shenjta të shërbimit si Peshkop Kryesues, është përgjegjësia për të organizuar ndihmë materiale për njerëzit që kanë më shumë nevojë, si brenda ashtu edhe jashtë Kishës”, – tha Peshkopi Kosé.