Dy ndërtesa të reja përfundojnë zgjerimin e Qendrës së Trajnimit të Misionarëve në Provo

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka zgjeruar Qendrën e saj të Trajnimit të Misionarëve (QTM) në Provo të shtetit të Jutës, në Shtetet e Bashkuara, duke shtuar dy ndërtesa të reja.

“QTM-ja e re përpiqet të përdorë mënyrat më të mira për të menduar rreth të nxënit dhe të krijojë një mjedis të të nxënit që u lejon misionarëve ta kuptojnë me të vërtetë dhe plotësisht qëllimin e tyre misionar”, tha Geri L. Kritenden, drejtor përgjegjës i Sektorit të Misionarëve në Kishë.

QTM-ja ka kapacitet të trajnojë njëherësh gati 3 700 të rinj, të reja dhe misionarë në moshë.

Qendra e sapozgjeruar e Trajnimit të Misionarëve (QTM) në Provo të shtetit të Jutës, në Shtetet e Bashkuara.

“Ngaqë u rrita në [këtë] zonë, kam mundur ta shoh këtë të ndërtesë në proces për ca kohë tani, dhe nuk isha e sigurt nëse do të përfundonte në kohën që do të futesha në QTM. Por ja ku jam tani dhe ajo po përdoret, dhe është mahnitëse”, tha Motra Kajla Roxhers, e lindur në Salem të Jutës, e cila i pa ndërtesat të ngriheshin pranë kompleksit të Universitetit “Brigham Jang”. “Ajo ka këto mjedise shumë të mëdha e të hapura. Klasat kanë këto dritare të bukura, të mëdha. Dhe të gjitha ngjyrat dhe afresket – çdo gjë është thjesht kaq tërheqëse për syrin, dhe është e këndshme të jesh këtu.” Motra Roxhers do të shërbejë në Misionin e Kanadasë, në Kalgari.

Zgjerimi i QTM-së në Provo kërkoi më shumë se dy vjet për t’u përfunduar. Ajo përfshin dy ndërtesa të reja gjashtëkatëshe me 200 klasa të reja, më shumë se 100 dhoma praktike mësimore dhe 13 laboratorë kompjuteri ku misionarët marrin trajnim përpara se të dërgohen në zonat e caktuara atyre anembanë botës.

Dy ndërtesat e reja në QTM-në e Provos kanë fasada masive prej xhami për ta maksimalizuar dritën natyrale.

Ndërtesat e reja kanë fasada masive prej xhami për ta maksimalizuar dritën natyrale dhe u ofrojnë misionarëve pamje nga vargmali Uasaç të Maleve Shkëmbore.

“Vendndodhja e QTM-së, që ju pa dyshim e dini, është në një vend që rrethohet nga malet, dhe ata thonë se e shohin bukurinë e tempullit, i shohin malet përreth tyre, e shohin luginën e Jutës dhe liqenin e Jutës në perëndim. Është një mjedis rrethues i bukur në të cilin ata kanë rastin të mësojnë”, tha Kritendeni.

Drejtori administrativ i QTM-së, Kelli Mills shtoi: “Synimi ynë ishte të bënim gjithçka që mundeshim për të krijuar një hapësirë ku ne mund ta lidhnim atë që ndodh brenda ndërtesave me atë që ndodh jashtë, t’i lidhim misionarët me krijesat e Perëndisë dhe gjithashtu të lejojmë të hyjë në hapësira sa më shumë dritë natyrale që të jetë e mundur”, tha Kelli Mills, drejtor administrativ i qendrave të trajnimit të misionarëve të Kishës.

“Ka një numër hapësirash që ne u referohemi si ‘hapësira përsiatjeje’, të cilat janë vende ku ka vepra të bukura arti, ku luhet muzikë e qetë në sfond – hapësira të këndshme ku misionarët mund të ulen”, tha Millsi.

Afreske stolisin muret e dy ndërtesave të reja që janë pjesë e zgjerimit të Qendrës së Trajnimit të Misionarëve në Provo të Shteteve të Bashkuara, në shtetin e Jutës.

“Teksa misionarët ecin përmes ndërtesave, ata do të vërejnë se ka xhama gjithandej dhe se drita depërton nëpërmjet ndërtesës [njësoj] si Shpirti i Krishtit depërton nëpër shpirtrat tanë”, tha Dejvid C. Martino, president i QTM-së në Provo.

Dhoma të mëdha mbledhjesh dhe zona të brendshme e të jashtme studimi u përfshinë në skicë për ta përmirësuar përvojën trajnuese të misionarëve.

“Më pëlqejnë vërtet mjediset e jashtme të këtij objekti të ri”, tha Plaku Xhejkob Ris, një misionar nga Atlanta, Xhorxha, i cili do të shërbejë në Misionin e Taivanit, në Taipei. “Ka një vend në veçanti që më pëlqen të shkoj me shokun tim. Është në tarracën e njërës prej ndërtesave të reja. Është thjesht një zonë e gjelbër, e hapur, në majë të një ndërtese, dhe ne mund të mbështetemi gjithnjë [atje], thjesht për t’u ndier vërtet në paqe dhe për ta ndier Shpirtin kur planifikojmë.”

Godina përfshin edhe mjedise banimi të përtërira, sisteme mekanike dhe shërbimi të përmirësuara, dhe peizazhe të zbukuruara të ndërtesave ekzistuese.

Zgjerimi i QTM-së në Provo kërkoi më shumë se dy vjet për t’u përfunduar. Ajo përfshin dy ndërtesa të reja gjashtëkatëshe.

Plaku Xhoshua Haus, një misionar nga Gallupi në Nju-Meksiko, i cili do të shërbejë në Misionin e Adriatikut Jugor, i gëzohet hapësirave të qeta në ndërtesat e reja. “Më pëlqen shumë të shkoj në ato zona përsiatjeje. Ato janë krijuar që unë të mund të shkoj e të jem i qetë në një zonë, dhe t’i hap të gjitha shkrimet e shenjta dhe gjërat, dhe të përqendrohem vërtet në gërmimin e shkrimeve të shenjta dhe te ushqyerja me fjalët e Krishtit, dhe te përsiatja dhe te të mësuarit rreth Shpëtimtarit e gjithçkaje që Ai ka bërë, dhe në të qenit një misionar më i mirë për shkak të saj”, tha ai.

“Më pëlqejnë vërtet afresket dhe sa të mahnitshme janë”, u shpreh Plaku Garret Friman nga Tuela, në Juta, i cili shërben në Misionin e Adriatikut Jugor. Dy afresket e tij të parapëlqyera janë ajo e Moisiut dhe një tjetër e profetëve në Librin e Mormonit. “Dhe vërtet, kjo vetëm i jep jetë historisë, dhe vërtet, thjesht e bën reale për mua.”

Që prej hapjes së saj në vitin 1976, QTM-ja në Provo ka trajnuar më shumë se 600 000 misionarë nga pothuaj çdo vend. Është një prej 15 QTM-ve në mbarë botën, ku misionarët që shërbejnë në 421 misionet e Kishës, marrin trajnim në 55 gjuhë.

Në tetor 2012, Presidenti i Kishës Tomas S. Monsoni njoftoi se burrat, që njihen si Elder (pleq), mund të shërbejnë në misione dyvjeçare në moshën 18 vjeç në vend të 19 vjeç dhe, për gratë, mosha minimale për të shërbyer gjithashtu është ulur nga 21 në 19 vjeç. Motrat misionare janë në fushën e misionit për 18 muaj.

Projektet e zgjerimit janë gjithashtu në proces në QTM-të në Meksikë, Ganë dhe Filipine, për t’iu përshtatur trajnimit të një force misionare në rritje.

“Misionarët që vijnë këtu i kanë kushtuar tetëmbëdhjetë muaj deri në dy vjet shërbimit ndaj Zotit dhe shërbimit ndaj të tjerëve”, shpjegoi Presidenti Martino. “Parimet dhe doktrinat që do të mësojnë këtu, jo vetëm që do të krijojnë një themel që ata të shkojnë e të jenë misionarë të mirë, por [do të] jenë një themel që do t’i ndihmojë për pjesën tjetër të jetës së tyre”

Shkoni brenda QTM-së në Provo në këtë vizitë me anë të materialit filmik (në anglisht).

Zgjerimi i QTM-së në Provo përfshin dy ndërtesa të reja gjashtëkatëshe me 200 klasa të reja, më shumë se 100 dhoma praktike mësimore dhe 13 laboratorë kompjuteri