Atij që Merr, Unë do t’i Jap më Shumë
Ndërkohë që shërbeja si misionar kohëplotë në Francë shumë vite më parë, shokun tim misionar dhe mua na ftuan në shtëpinë e një zonje të krishterë, të mirë dhe besnike. Gjatë një bashkëbisedimi të këndshëm, ajo shprehu shqetësimet e veta rreth pakësimit të besimit në shoqëri. Sipas mendimit të saj, një pjesë e terminologjisë fetare, fjalë të tilla si “pendim” ose “bindje”, po luanin rol në një pakësim të tillë. “Njerëzit frikësohen nga këto fjalë”, – këmbënguli ajo, – “dhe largohen nga feja.”
Që nga ajo kohë, kam reflektuar shpesh rreth fjalëve që përdorim në bashkëbisedimet tona për ungjillin. Ndërkohë që është e vërtetë se shoqëria në përgjithësi mund t’i shohë negativisht disa terma që lidhen me ungjillin, është po ashtu e vërtetë se fjalët mund të kenë domethënie dhe fuqi të thellë. Studimi i shkrimeve të shenjta zbulon se Zoti është i qëllimshëm rreth fjalëve që Ai zgjedh. Kur shpenzojmë kohë për ta kuptuar domethënien e tyre, ne fillojmë t’i kuptojmë më thellësisht mesazhin dhe qëllimet e Tij.
Bindja Është rreth Mirëbesimit dhe Dashurisë
Një fjalë e tillë, e cila ka domethënie dhe fuqi të thellë, është fjala “bindje”. Ligji i bindjes iu dha Adamit dhe Evës pas rënies së tyre. Ligji ishte hapi i parë drejt të drejtës së përdorimit të fuqisë shëlbuese të Shpëtimtarit. Në të kundërt të asaj që mendon bota, bindja nuk është rreth detyrimit; përkundrazi, është rreth të mësuarit se si të mirëbesojmë te Perëndia dhe këshilla e Tij: “Të bekuar janë ata që dëgjojnë parimet e mia dhe që i vënë veshin këshillës sime, pasi ata do të mësojnë urtësi; pasi atij që merr, unë do t’i jap më shumë”[i]. Teksa mësojmë t’i mirëbesojmë Zotit, ne fillojmë të zhvillojmë një marrëdhënie vetjake me Të dhe të përjetojmë efektet e mrekullueshme të bekimeve të Tij. Mirëbesimi tek Ai sjell dashuri dhe dashuria vazhdon të kultivojë mirëbesim. Kur i bindemi zërit të Tij, dashuria jonë bëhet më e thellë dhe marrëdhënia jonë me Të bëhet e fortë dhe plot gëzim.
Një Ndryshim i Zemrës
E gjej interesante që përpara se t’i udhëzonte farisejtë rreth dy urdhërimeve të para, të mëdha për të dashur Perëndinë dhe të afërmin tonë[ii], Shpëtimtari dha mësim shëmbëlltyrën e dasmës së birit të mbretit, të cilën e përfundoi duke thënë: “Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur”[iii]. Në zbulesën moderne, Zoti shton shpjegim të mëtejshëm për këtë thënie, pasi Ai dha mësim: “Përse nuk zgjidhen ata? Sepse zemrat e tyre vihen kaq shumë mbi gjërat e kësaj bote dhe aspirojnë nderet e njerëzve”[iv]. Kur i bindemi Zotit dhe mësojmë t’i mirëbesojmë Atij dhe ta duam Atë, zemra jonë dalëngadalë ndryshon dhe dëshirat tona e zhvendosin përqendrimin drejt marrëdhënies sonë të besëlidhjeve me Të. Në procesin e të mësuarit të bindjes, ne gjithashtu mësojmë si t’i ruajmë si thesar dhe si të kujdesemi për gjërat e mira që vërtet kanë rëndësi.
Bërja më Pak të Përqendruar te Vetja
Teksa përqendrimi ynë ndryshon, ne dalëngadalë e pakësojmë prirjen tonë të natyrshme për të qenë të përqendruar te vetja. Ligji i bindjes nuk kishte kurrë si qëllim që të krijonte marioneta, por përkundrazi që të zhvillonte dishepuj të cilët mirëbesojnë nëpërmjet zgjedhjes dhe zgjedhin t’i duan Zotin dhe njerëzit e tjerë. Ati ynë Qiellor është i përsosur sepse zemra e Tij ka ndryshuar. Perëndia është Perëndi sepse Ai vazhdimisht zgjedh të mirën; zemra e Tij nuk strehon më asnjë dëshirë të ligë, duke zgjedhur vazhdimisht që të ketë dashuri dhe të bëjë atë që është më e mira për ne.[v] Sipas fjalëve të Plakut Xhefri R. Holland: “Urdhërimi i parë i madh i gjithë përjetësisë është që ta duam Perëndinë me të gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë – ai është urdhërimi i parë i madh. Por e vërteta e parë e madh[ërishme] e gjithë përjetësisë është që Perëndia na do me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e Tij. Ajo dashuri është guri themeltar i përjetësisë dhe duhet të jetë guri themeltar i jetës sonë të përditshme.”[vi]
Gjetshim forcën për t’i mirëbesuar Zotit dhe për ta dashur Atë nëpërmjet bindjes ndaj zërit të Tij. Atëherë zemrat tona do të ndryshojnë dhe do të përjetojnë gëzimin e thellë që vjen nga të pasurit e një marrëdhënieje vetjake me Të.
[i] 2 Nefi 28:30
[ii] Mateu 22:36–40; Lluka 10:25–37
[iii] Mateu 22:14
[iv] DeB 121:34–35
[v] 2 Nefi 26:24
[vi] “Nesër Zoti Ka për të Bërë Mrekulli midis Jush”, Plaku Xhefri R. Holland, konferenca e përgjithshme e prillit 2016; Liahona, maj 2016, f. 126.